Insajderi
Hulumtime/Analiza

Skandali me çmimet në raft e arkë -Inspektorati godet “Albi Market” me katër gjoba radhazi

Insajderi
22 October 2026 - 19:12
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Skandali me çmimet në raft e arkë -Inspektorati godet “Albi Market” me katër gjoba radhazi
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka ndëshkuar rrjetin e njohur të marketeve “Albi Shopping”, duke nxjerrë katër vendime të njëpasnjëshme ndëshkuese për shkak të shkeljeve të përsëritura në dëm të konsumatorëve dhe mosrespektimit të rregulloreve në fuqi. Përmes këtyre inspektimeve, autoritetet kanë evidentuar praktika të papranueshme, nga manipulimet me çmimet në raft e deri te moszbatimi i urdhëresave zyrtare, duke i shqiptuar këtij operatori ekonomik një faturë ndëshkuese prej mijëra eurosh.

Vendime të cilat Insajderi i ka siguruar përmes kërkesës për qasje në dokumente publike.

Gjoba e parë ka ardhur me vendimin e datës 6 maj 2026 (nr. 2065) për pikën nr. 12 në Prishtinë, ku Inspektorati i vuri kompanisë 1,000 euro gjobë. Pasi që makaronat “Divella”, në raft e kishin çmimin 0.89 euro, ndërsa në arkë u faturuan me çmim më të shtrenjtë prej 0.99 eurosh.

Gjoba e dytë u shqiptua me vendimin e datës 15 maj 2026, ku pas ankesës së bërë nga një konsumator “Albi Market” u dënua me 1,000 euro gjobë te pika nr. 32 në Prishtinë. Aty është gjetur se produkti “Butterfly Hyperdy 8 Pcs” në raft e kishte çmimin 0.99 euro, kurse në arkë blerësit i është marrë çmimi prej 1.19 eurosh.

Gjoba e tretë u vendos për pikën nr. 11 në Fushë Kosovë me vendimin e datës 29 maj 2026, po ashtu në vlerë prej 1,000 eurosh. Këtë herë arsyeja e dënimit ishte moszbatimi i urdhrit të inspektorëve, pasi “Albi Market” nuk e kishte bërë brenda afatit prej 5 ditësh ndarjen e produkteve të qumështit e mishit nga ato bimore dhe vendosjen e njoftimeve përkatëse.

Seria e dënimeve për tremujorshin e dytë të këtij viti u përmbyll me vendimin e datës 8 qershor 2026, ku Inspektorati dha gjobën e katërt prej 1,000 eurosh për pikën nr. 47 në Prishtinë. Pas ankesës së një konsumatori, u vërtetua se produkti “Kos Drena 1.4kg” në raft e kishte çmimin 2.19 euro, kurse në arkë u pagua 2.29 euro.

Lidhur me të gjitha këto shkelje të evidentuara dhe gjobat e shqiptuara nga Inspektorati i Tregut, Insajderi ka kërkuar një përgjigje zyrtare nga përfaqësuesit e „Albi Market“, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, kompania nuk ka kthyer asnjë sqarim. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark