Insajderi
Lajme

Skandali në KEK: 6 mijë lëndë në gjykata, mungesë pajisjesh mbrojtëse dhe pakënaqësi e madhe me pagat

Insajderi
08 August 2026 - 22:11
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Skandali në KEK: 6 mijë lëndë në gjykata, mungesë pajisjesh mbrojtëse dhe pakënaqësi e madhe me pagat
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Shkelje flagrante të Ligjit të Punës, 6 mijë lëndë në gjykata, kushte të rënda pa pajisje bazë mbrojtëse dhe një rritje pagash prej vetëm 52 eurosh që konsiderohet “e papranueshme”. Kjo është pasqyra e alarmueshme që vjen nga vetë përfaqësuesit e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Teksa kryetari i sindikatës së punëtorëve të KEK-ut, Xhelal Jashari, ka deklaruar se “punëtorët detyrohen me punu në një pozitë tjetër pa lëshuar vend pune”, kryetari i Sindikatës së Termocentralit “Kosova A”, Qenan Avdullahu, ngre zërin për mungesën e elementeve bazë të sigurisë, duke kërkuar “rroba, këpucë, helmeta, syza e maska se është pluhur i madh”.

“KEK-u i ka 6000 lëndë në Gjykata që janë anku punëtorët për shkak të padrejtësive që iu kanë bërë deri më tash. Kemi orët e fundjavës, kemi rrezikshmërinë pa e pagu, kemi kushtet e punës për disa inxhinierë pa pagu, kemi vende të punës që Korporata Energjetike e Kosovës i detyron punëtorët me punu, i qet në një pozitë tjetër dhe nuk lëshon vend per atë vend pune, që do të thotë aty bëhet shkelje flagrante nga Ligji i punës”, deklaroi Jashari.

“Kërkesat e fundit që ne do t’i adresojmë dhe disa i kemi adresu janë ngritja që ka qenë tash në muajin maj e pagës për punëtorët e Korporatës ka qenë 52 euro neto, që ka qenë shumë e ulët dhe është e papranueshme për neve si Sindikatë, por edhe për punëtorë, për shkak të kushteve të punës që e bojnë këta punëtorë. Një padrejtësi tjetër që i është bërë punëtorëve të Korporatës ku nuk iu është dhënë paga e 13-të, ku gjithë sektorëve tjerë iu ka ndihmu Qeveria, ndërsa punëtorëve që e jepin maksimumin, që punojnë verë, dimër, borë e në shi, nuk janë interesu që të paktën gjysmën e pagës me ua jep”, vlerësoi Jashari.

Të njëjtën kërkesë e ka edhe kryetari i Sindikatës së Termocentralit “Kosova A”, Qenan Avdullahu. Sipas tij, përveç rritjes së pagave, nevojiten edhe pajisje mbrojtëse.

“Duhet investime të mëdha në punë, kjo edhe është një kompani shumë e vjetër edhe sidomos ‘Kosova A’ duhet investime të mëdha për t’u përmirësuar gjendja në Korporatën Energjetike. Të kemi rritje të pagave, shujta të rritet, të ketë investime në KEK dhe të bëhet nivelizimi i pagave, sidomos për rrob,a për këpucë, për helmeta, për syza, maska, se është pluhur i madh, zakonisht qeto kushte kërkohen”, tha Avdullahu.

Një hall tjetër mbetet edhe mospagesa e rrezikshmërisë.

“Ende nuk paguhemi për rrezikshmëri në punë, mundohemi që gjatë tjetrit vit sipas menaxhmentit të fillohet të paguhet rrezikshmëria në punë”, potencoi Avdullahu.

Të përballur me pluhurin, rrezikun e papaguar dhe mospagesën e pagës së 13-të, ndonëse punojnë “verë, dimër, borë e në shi”, punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë se durimit të tyre po i vjen fundi.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark