Një ngjarje e shëmtuar ka ndodhur në garat e kampionatit evropian për makinat karting, të zhvilluar ditën e diel në pistën e Portimao (Portugali).
Piloti 15-vjeçar rus Artyom Severyukhin, që në këtë garë garoi nën flamurin e Italisë, në momentin e ceremonisë ka goditur me grusht dy herë gjoksin e tij dhe më pas ka zgjatur përpara dorën e djathtë, duke bërë përshëndetje fashiste.
Ai nisi të qeshte pas këtij gjesti, por kjo skenë nuk është mirëpritur nga të gjithë. Kjo video është bërë shume shpejt virale në rrjetet sociale, ndërkohë që Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) ka nisur një hetim, transmeton telegrafi.
Megjithatë, garuesi tha se gjesti nuk ishte një shenjë se ai mbështeste fashizmin dhe në vend të kësaj pretendoi se ishte një gjest tradicional italian sepse ai garon nën flamurin italian.
“Dua të kërkoj falje. Unë kurrë nuk e kam mbështetur nazizmin dhe e konsideroj atë një nga krimet më të këqija kundër njerëzimit”.
“Unë jam gati të ndëshkohem, por nuk ka pasur mbështetje për nazizmin apo fashizmin”, ka thënë ai pas garës
Ai garoi nën flamurin e Italisë, për shkak të sanksioneve që i janë vendosur Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës.