Skandaloze | I dënuari për terrorizëm e sulmon biznesmenin – Prokurori në Pejë nuk kërkon paraburgim, tjetri me dosje të trashë penale - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Skandaloze | I dënuari për terrorizëm e sulmon biznesmenin – Prokurori në Pejë nuk kërkon paraburgim, tjetri me dosje të trashë penale

    Insajderi
    10 April 2025 - 21:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Rasti për të cilin ka raportuar Gazeta Insajderi, ku biznesmeni nga Istogu Ylber Blakaj u rrahë nga dy persona e ku njëri kishte edhe armë, shpërfaq edhe një herë problemet serioze në Prokurori.

    Gazeta Insajderi merr vesh që njëri nga sulmuesit, Leutrim Musliu, personi pa armë në videon e publikuar, del që është i dënuar për terrorizëm.

    Ai ishte në mesin e nëntë të akuzuarit për planifikim të sulmeve terroriste ndaj lojtarëve të Kombëtares Izraelite të futbollit, në ndeshjen Shqipëri – Izrael e zhvilluar në nëntor të 2016.

    Pavarësisht këtij fakti, dhe videos së sulmit, Prokurori Ermal Demhasaj në Pejë nuk ka kërkuar fare paraburgim për të. Pas një kohe, në Polici është dorëzuar edhe i dyshuari tjetër që në video shihet me armë në dorë.

    Policia, sipas burimeve të Insajderit, dyshon se madje aksidentalisht ai ka shkrepur edhe një plumb gjatë përplasjes me biznesmenin.

    Ky i dyshuar tash është nën masën e ndalimit 48 orë. Por, i njëjti ka ndërruar identitetin, pasi që në regjistrin policor, siç merr vesh gazeta, ka një sërë veprash penale të regjistruar.

    Siç merr vesh Insajderi, ky i dyshuar më parë e kishte emrin Naser Rraci.

    Ai e ka ndërruar emrin dhe tash e ka Luan Ibrahimi.

    Insajderi mësoi se biznesmeni Ylber Blakaj, i njohur me nofkën “Dila”, ndërsa po qëndronte brenda hapësirave të një lokali në Istog, u sulmua me armë zjarri nga dy të dyshuarit, Naser Rraci dhe Leutrim Musliu.

    I dyshuari, Naser Rraci, duke tentuar të shtinte me armë zjarri në drejtim të Blakajt, ishte penguar dhe si pasojë, Blakaj u godit me kondakun e armës, duke mbetur i lënduar rëndë. Në vendin e ngjarjes ishte shkrepur një plumb, sipas burimeve të Insajderit.

    Policia e Kosovës kishte njoftuar se rrahja ndodhi mbrëmjen e 2 prillit, rreth orës 19:00, ndërsa ende nuk ishte bërë e ditur se cili ishte motivi i sulmit.

    Sipas Policisë, dy personat e dyshuar për rrahjen e biznesmenit Ylber Blakaj ndodheshin tashmë prapa grilave. Pas hetimeve të zhvilluara, i dyshuari Leotrim Musliu ishte arrestuar më 04.04.2025, ndërsa i dyshuari i dytë, Naser Rraci, më 07.04.2025.

    Zëdhënësi Shkodran Nikçi kishte konfirmuar për Insajderin se i arrestuari i dytë, Naser Rraci, akuzohej për lëndim të rëndë trupor dhe përdorim të armës.

    Ndaj tij, Nikçi kishte thënë se pritej caktimi i masës së paraburgimit.

    Ndërsa i arrestuari tjetër ishte ndaluar për 48 orë. Nikçi kishte shtuar se ai e kishte pranuar fajësinë dhe kishte qenë vetëm pjesëmarrës në këtë rast.

    “Është ndaluar 48 orë dhe ndaj tij s’ka ndonjë kërkesë, sepse ka qenë vetëm pjesëmarrës në rrahje dhe e ka pranuar fajësinë“, deklaronte ai.

    Gazeta Insajderi do t’ju mbajë të informuar lidhur me rastin…


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    26 April 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark