×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Skandaloze: Policia e Kosovës pranon çmime me të lira nga biznesmeni nën hetime që alarmoi Interpoli

    Insajderi
    28 November 2022 - 23:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një skandal i madh ka përfshirë Policinë e Kosovës. Biznesmeni Driton Shuki, pronar i klinikës “Avicena”, brenda vetëm dy javësh ka pasur punë me Policinë e Kosovës në dy cilësi të ndryshme.

    Para vetëm njëmbëdhjetë ditëve ai ishte intervistuar nën dyshimin për përfshirje në një grup kriminal që kishte alarmuar “Interpolin”.

    Por, 11 ditë më vonë ai është prezantuar në publik në cilesinë e humanistit.

    Kompania e tij “Avicena” ka bërë një marrëveshje që përfshinë pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

    Është nënshkruar mes një perfaqësuese të klinikës “Avicena” dhe sindikatës së Policisë së Kosovës.

    Kjo marrëveshje parasheh që pjesëtarët e Policisë së Kosovës të përfitojnë çmime shumë më të lira në klinikën e biznesmenit nën hetime për mashtrim.

    Lajmi për këtë marrëveshje është dhënë nga klinika “Avicena”. Është emërtuar në disa portale me titullin “Driton Shuki nuk i harron familjarët e policëve të rënë në detyrë”, si dhe me titullin “ Driton Shuki ofron zbritje 50 % për për Policinë e Kosovës”.

    Ende nuk ka pasur ndonjë njoftim zyrtar nga menaxhmenti i Policisë së Kosovës se a do të lejojnë ekzkekutimin e një marrëveshje të tillë me biznesmenin nën hetime, në te cilat është përfshirë edhe Interpol.

    Detajet e marrëveshjës së çuditshme e Driton Shukit nën hetime me sindikatën e Policisë

    Avicena KS ja ka lidhur marrëveshje edhe institucionin më të besuar në vend, Policinë e Kosovës.

    Marrëveshja e nënshkruar nga Imer Zeqiri, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës dhe Adelina Osmani, përfaqësuese e Avicena KS parasheh që për të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe për të gjithë familjarët e policëve të rënë në detyrë, çmimi për kryerjen e analizave rutinore biokimike dhe gjëndrës tiroide është me zbritje 50 për qind, ndërsa në të gjitha llojet tjera të analizave është 30 për qind nga çmimi i rregullt në ditën që pranohet shërbimi.

    Për çka po hetohet Driton Shuki?

    Pronari i poliklinikës ‘Avicena’, Driton Shuki është intervistuar nga Policia e Kosovës, në një rast që po ndjeket nga Interpol’i, pasi dyshohet se ka blerë një pajisje për ekzaminime shëndetësore, e cila dyshohet të jetë e vjedhur, në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

    Në rastin e iniciuar ndaj biznesmenit Shuki del të jetë i implikuar në hetim edhe Interpoli. Kështu ka bërë të ditur Policia në raportin 24 orësh.

    “Referuar rastit të lartcekur, Interpol – Maqedonia e Veriut, në bashkëpunim me zyrtarët policorë të PK-së dhe zyrën për bashkëpunim ndërkombëtar të Policisë së Kosovës ILECU, pas një pune operative kanë arritur të zbulojnë se persona të panjohur dyshohet se kanë kryer shit- blerjen e një pajisje shëndetësore e cila shërbente për qëllime të klinikave shëndetësore në Maqedoninë e Veriut, kundrejt të dyshuarit mashkull kosovar”, theksohej në raportin e datës 17 nëntor.

    Policia sot ka dalë edhe me një tjetër njoftim të veçantë për rastin të pronarit të “Avicena”. Aty tregohet se Driton Shukit i është sekuestruar edhe pajisja shëndetësore që dyshohet se është e vjedhur.

    “Në kuadër të veprimeve operative që po kryen policia me qëllim parandalimin dhe zbulimin e veprave kriminale, dje hetuesit e stacionit policor Qendra, kanë intervistuar një person, i cili dyshohet se ka blerë një pajisje për ekzaminime shëndetësore, e cila dyshohet të jetë e vjedhur, në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Pas sekuestrimit të pajisjes dhe përfundimit të procedurave të nevojshme policore, në koordinim me prokurorin e shtetit, është inicuar rast ndaj personit të dyshuar: – D. Sh, mashkull 47 vjeç, blerje, pranim ose fshehje e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës kriminale”, ka njoftuar PK’ja,

    Shuki është intervistuar për dyshimet se ka bërë blerje/pranim të disa pajisjeve të vjedhura nga persona që po dyshohen se kanë marrë tinëzisht pajisje mjekësore në vlerë 45 mijë euro nga spitalet e Maqedonisë së Veriut.

    Shuki dyshohet se pajisjen mjekësore e cila u përfitua në mënyrë të kundërligjshme, e ka blerë për rreth 10 mijë euro nga personat të cilët ende nuk janë identifikuar nga organet e hetuesisë. Ndaj pronarit të “Avicena” kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.

    Kjo është hera e dytë që arrestohet biznesmeni Driton Shuki për dyshime se kryen vepra penale që përfshijnë të dy shtetet: Kosovën e Maqedoninë e Veriut.

    Herën e parë ishte arrestuar në vitin 2022 për testet Covid 19. Shuki ishte kapur nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në Han të Elezit nën dyshimin se ka bartur mostra dhe rezultate të testeve. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark