Skuadra gjermane Mainz 05 ka përjashtuar Anwar El Ghazi nga stërvitjet dhe lojërat pas postimit të tij pro Palestinës në Instagram, i cili më pas është fshirë.
Këtë e ka bërë të ditur klubi në rrjetet sociale të martën në mbrëmje. Në postimin e tij, El Ghazi mori një pozicion për konfliktin në Lindjen e Mesme në një mënyrë që ishte e patolerueshme për klubin. Përjashtimit i parapriu një diskutim i detajuar midis bordit dhe lojtarit.
“Mainz 05 respekton se ka perspektiva të ndryshme për konfliktin kompleks të Lindjes së Mesme që ka vazhduar për dekada. Megjithatë, klubi distancohet nga përmbajtja e postimit pasi nuk shkon paralelisht me vlerat e klubit tonë”, thuhet në deklaratën e klubit.
Në mesditë, El Ghazi, i cili ishte bashkuar me Mainz 05 në mes të shtatorit, kishte ndërprerë stërvitjen. Holandezi 28-vjeçar kishte shpërndarë më parë një postim ku ndër të tjera thoshte: “Nga lumi në det, Palestina do të jetë e lirë”. Ajo që nënkuptohet është se Palestina duhet të shtrihet nga Jordani në Mesdhe.
Postimi u fshi më vonë dhe deri të hënën ai kishte gjithashtu një foto profili me fjalët “Unë qëndroj me Palestinën”. Të martën, ajo foto u zëvendësua me një imazh të fytyrës së El Ghazit. /KP/