×
  • Lajme
  • Insajderi

    Sot fillon zyrtarisht fushata për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit

    Insajderi
    03 February 2021 - 07:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë nis sot zyrtarisht dhe për dhjetë ditë me radhë subjektet politike do të mbajnë tubime elektorale me qytetarët për të fituar besimin e tyre në garën e 14 shkurtit.

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ishte partia e parë që hapi fushatën menjëherë pas fillimit të afatit zyrtar mbrëmë në mesnatë, përmes një video-materiali, në të cilin kandidati për kryeministër Avdullah Hoti shpalosi zotimet dhe prioritetet e tij në mandatin qeverisës.

    Sot kjo parti nga ora 17:00 do të hapë fushatën në Podujevë, komunë kjo të cilën ajo e humbi në garën e vitit të kaluar për kryetar, për herë të parë pas 20 vjet qeverisje.

    Vetëvendosje kandidat për kryeministër në garën e 14 shkurtit ka Albin Kurtin, i cili gjatë shpalosjes së programit qeverisës tha se ai është bartës i listës, pavarësisht se KQZ e ka lënë jashtë duke zbatuar kështu aktgjykimin e Kushtetueses se në garën zgjedhore nuk kanë të drejtë pjesëmarrjeje personat e dënuar për vepra të ndryshme penale në tri vjetët e fundit.

    Kjo parti sot do të hapë fushatën zyrtarisht në Pejë, në ora 12:30, ndërsa në ora 10:00 do të bëjë hapjen edhe në qytetet e tjera, si Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë, Gjakovë, Ferizaj.

    Listës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i prin Enver Hoxhaj që kandidon për postin e kryeministrit.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sot hap zyrtarisht fushatën në Prizren, në ora 15:00. Listës së kësaj partie i prin Ramush Haradinaj, i cili nuk synon postin e kryeministrit, por atë të presidentit të vendit.

    Hapjen zyrtare të fushatës do ta bëjë edhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, kandidat për kryeministër të Kosovës, në ora 13:00.

    Ndryshe, gjatë afatit të vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 8 janar – 16 janar, kanë dorëzuar aplikimin për certifikim dhe listën e kandidatëve, gjithsej 28 subjekte politike, prej tyre, 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të këtyre subjekteve politike është 1079.

    Për të garuar në këto zgjedhje është regjistruar edhe subjekti politik më i madhi i serbëve të Kosovës, Lista Serbe dhe parti të tjera të pakicave të tjera. 10 ulëse janë të rezervuara vetëm për përfaqësuesit e serbëve të Kosovës ndërsa 10 vende tjera për pakicat tjera në Kosovë.

    Ndryshe, Bashkimi Evropian pret që zgjedhjet në Kosovë të zhvillohen sipas standardeve evropiane dhe të jenë transparente e gjithëpërfshirëse. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark