Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet Z.M., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri, në cilësinë e Drejtorit të Departamentit të Administratës dhe Shërbimeve Ndihmëse në Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda”, dyshohet se nga janari i vitit 2019 deri në fund të vitit 2023 nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, duke mos ndërmarrë procedurë disiplinore ndaj një punonjësi që mungonte në punë.
Sipas aktakuzës, bëhet fjalë për nëpunësin me inicialet Xh.Z., i punësuar si operator në statistikë, për të cilin thuhet se kishte munguar në vendin e punës për vite.
Prokuroria pretendon se Z.M., edhe pse ishte njoftuar paraprakisht për mungesat e punëtorit, nuk kishte nisur procedurat disiplinore të parapara me ligj, duke i mundësuar atij përfitimin e pagës bruto në vlerë prej 21 mijë e 473 euro e 42 centë.
“Me këto veprime, buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm material”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Rasti është cilësuar si vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe ndaj tij të shqiptohet edhe masa plotësuese e ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik. /Insajderi.org/