×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Studimet letrare të Hasan Mekulit

    Insajderi
    08 November 2023 - 21:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Autor: Dr. Isak Shema, studiues i letërsisë shqipe

    Objekt studimi të këtij punimi janë studimet letrare të Hasan Mekulit kushtuar letërsisë shqipe. Kjo temë nuk është studiuar sa duhet. Janë botuar disa punime për kritikën letrare të këtij studiuesi të shquar, i cili me shkrimet kritike dhe me studimet letrare në kuptimin e sotëm të studimeve për kulturën letrare në përgjithësi, {ashtu siç e ka trajtuar temën kushtuar kulturës letrare në veçanti studiuesi Alain Viala , profesor i letërsisë frënge në Universitetin e Oksfordit, në veprën e vet La Culture littéraire}, ka ndikuar në zhvillimin e kul¬turës letrare shqiptare.

    Në këtë referim shkencor përfshihet një pjesë e studimit kush¬tuar veprimtarisë studimore të Hasan Mekulit përkitazi me letërsinë shqipe. Është trajtuar problematika e pasur, e shtrirë në kohë dhe hapësirë mjaft të madhe dhe metodologjia studimore e tij. Në bazë të analizës, vlerësimit dhe rivlerësimit të studimeve letrare për letërsinë shqiptare, është prezantuar mendimi vlerësues për vlerën shkencore të këtyre studimeve dhe për rëndësinë që kanë ato për historinë e letërsisë shqipe. Për realizimin e këtij punimi, janë analizuar edhe dorëshkrimet ekzistuese të këtij autori.

    Hasan Mekuli (1929-1996)

    Hasan Mekuli ( 1929-1996) është studiues i zellshëm i letërsisë shqiptare dhe i asaj botërore. Veprimtaria e tij për zhvillimin e arsi¬mit, të kulturës dhe të shkencës shqiptare në të gjitha faza e krijim¬tarisë së tij është shumë e gjerë dhe e rëndësishme. Me shkrimet e para kritike letrare është paraqitur në shtypin dhe në periodikun shqi¬p¬tar që nga viti 1955, në kohën kur në Kosovë kritika letrare nuk ish¬te njohur “…si institucion i afirmuar”, ndërsa studimet teorike dhe historike letrare gjatë dy dekadave të para pas përfundimit të Luftë së Dytë Botërore ende nuk kishin njohur zhvillim të mirëfilltë.

    Hasan Mekuli, njëri ndër prijatarët e kritikës letrare ndër ne, shkroi trajtesa, recensione, shkrime kritike, vështrime problemore letrare, studime historike letrare për autorë dhe për vepra gjinish të ndry¬shme letrare, për poezinë, për prozën, për dramën dhe teatrin dhe punime të veçanta për kulturën letrare.

    Ai deri në fund të jetës me pasion të jashtëzakonshëm zhvilloi veprimtarinë shkencore në fushën e studimeve të letërsisë, duke dhë¬në kontribut të madh për zgjerimin dhe thellimin e diturisë letrare të shkencës së letërsisë. Shënime biografike

    “Hasan Mekuli lindi më l3 prill l929 në Plavë. Rrjedh nga një familje e varfër fshatare, e ardhur në Plavë nga katundi Nokshiq, i mirënjohur për nga beteja e madhe shqiptare kundër malazezëve të Mark Milanit më l879.i ati i tij Tali, ishte bujk, por me fare pak tokë. Jetën e kaloi kryesisht si komitë, bashkë me shumë pjesëtarë të farefisit, duke kaluar pjesën dërmuese të jetës nëpër male, herë në Kosovë, herë në Shqipëri, deri sa ra dëshmor më l941.

    Shkollën fillore Hasan Mekuli e kreu në Plavë, në gjuhën serbokroate, ku çdo ditë në shkollë (në kl. e parë) detyrohej të thotë: “Unë jam serb me fe muslimane”. Më l940/41 u regjistrua në Medresenë e Madhe të mbretit Aleksandër, që ishte një lloj gjimnazi klasik me traditë specifike. Mirëpo shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore ia ndërpreu mësimet.

    Më l942 u regjistrua në Shkollën Normale “Sami Frashëri” në Prishtinë, ku nuk ia pranuan klasën e parë të kryer në Shkup. Klasën e parë dhe të dytën tani i kreu në Prish-tinë, por me përfundimin e luftës dhe disfatën gjermane kjo shkollë u shua dhe nxënësit u shpërndanë. Më l945 Hasan Mekuli u regjistrua në gjimnazin real në Berane (ish Ivangradi), sërish në klasën e parë, ngase tani dy klasat e Normales nuk iu pranuan, duke e marrë këtë shkollë si “shkollë fashiste”.

    Pas vijimit katërvjeçar të gjimnazit, maturën e mori në Berane dhe pastaj shkoi në studime në Beograd. Me që nuk mundi të re¬gjistronte mjekësinë ku regjistroheshin studentët e privilegjuar, por kryesisht për mungesë të mundësive materiale, një vjet u kthye dhe punoi në Prishtinë në cilësinë: referent i kulturës dhe i artit në Sekretariatin e Kulturës të Këshillit Popullor të KAKM. Në vitin shkollor l950/51 u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Beogradit, në grupin XIV (Degë e përbashkët e letërsisë jugo¬sllave, Letërsisë botërore dhe Letërsisë dhe gjuhës ruse). Fakultetin e kreu më l955 me sukses të dalluar.

    Pasi i kreu studimet, punoi në cilësi profesor i Letërsisë në Shkollën e Mesme të Edukatës Fizike në Prishtinë (një kohë të shkur¬tër) dhe pastaj në Shkollën Normale të Prish-tinës, ku jepte mësim në Letërsinë jugosllave, e një kohë edhe lëndët frëngjisht dhe rusisht. Me l959, sipas “nevojës së shërbimit”, u transferua nga kjo shkollë dhe u emërua drejtor i Teatrit Popullor Krahinor të Prishtinës, prej nga u transferua në mënyrë arbitrare, sepse drejtor i Teatrit u kthye përsëri personi (serb) njëherë i larguar për mungesë kualifikimesh përkatëse për drejtor, pos që ishte aktor.

    Më l963 Hasan Mekuli u zgjodh ligjërues i lartë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës dhe pastaj në Fakultetin e Filologjisë, ku mbeti deri në fund, duke ligjëruar Letërsinë jugosllave, Letërsinë botërore (si përcaktim profesional), e një kohë, për degët e serbokroatishtes (Letërsi e Gjuhë dhe Gjuhë e Letërsi) ligjëroi Letërsinë shqiptare-kursin e përgjithshëm.

    Më 1969 u avancua në titullin ligjërues i lartë, ndërsa në vitin l991 profesor ordinar i Fakultetit Filologjik, ndonëse si pensionist. Me shuarjen e të drejtave dhe subjektivitetit politik të shqiptarëve Hasan Mekuli ishte mbase i pari profesor i kundërshtuar dhe i përjashtuar nga Fakulteti Filologjik, në frymën e represioneve të caktuara dhe terrorit të pushtetit të ri serbomadh kundër popullit shqiptar.

    Pra, më l991 u pensionua para kohe, por vazhdonte të punojë dhe të ligjërojë në Universitetin e Kosovës, në mësimin paralel në gjuhën shqipe, në vazhdë. Me l984 u zgjodh drejtor i Bibliotekës Po¬pullore dhe Universitare të Kosovës, ku mbeti deri më l990, pa e lëshuar mësimin në Fakultetin Filologjik, ku i ligjëroi dy lëndë.

    Gjatë shërbimit të tij, Hasan Mekuli u mor aktivisht me punë shoqërore, kryesisht kulturore e arsimore. Kreu një varg funksionesh. Dy vjet ishte prodekan i Fakultetit Filozofik. Më vonë, në vitet l981-l983 u zgjodh dekan i Fakultetit të Filologjisë. Gjatë plot njëzet e pesë vjetëve ishte anëtar i Sekretariatit ose nënkryetar i Bashkësisë Kulturo-Arsimore të KSAK, deputet i Kuvendit Krahinor (l968-l971), kryetar i Këshillit për fakultete e shkolla të larta në Këshillin Kulturo-Arsimor të Kuvendit të KSAK, dy herë u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Kreu edhe një varg funksio¬nesh të tjera. Për disa vjet ishte anëtar i redaksisë së revistës për kulturë, art e politikë “Përparimi”. Në vitet l975-l982 kryeredaktor i revistës letrare “Jeta e re” dhe, në vazhdë, anëtar i redaksisë së kësaj reviste. Ka qenë anëtar i Këshillit botues të Redaksisë së botimeve të “Rilindjes”, anëtar i Këshillit botues të Institutit Albanologjik, anëtar i Pleqësisë së Entit për Botimin e Teksteve dhe Mjeteve Mësimore të Kosovës, anëtar i jurive të ndryshme në Kosovë dhe jashtë saj, pjesëmarrës në shumë delegacione përfaqësuese kulturore e letrare.

    Për punën dhe aktivitetin e tij është shpërblyer disa herë Hasan Mekuli ishte edhe përkthyes shumëvjeçar nga shqipja në ser¬bo¬kroatisht dhe nga serbokroatishtja e rusishtja në gjuhën shqipe. Është bashkëpunëtor i Enciklopedisë së Jugosllavisë në gjuhën shqi¬pe, si dhe anëtar i redaksisë dhe bashkëpunëtor i Enciklopedisë së Vogël të “Prosvetës” (Beograd).

    Me krijimtari letrare Hasan Mekuli filloi të merret që në gjimnaz dhe në studime, por me botime filloi të paraqitet që nga viti l950, me përpjekje në poezi e prozë. Pastaj iu kushtua kryesisht kritikës dhe formave të ndryshme studimore. Shkroi shumë vështrime, kritika, trajtesa, ese etj. për vepra, autorë dhe probleme letrare dhe estetike nga letërsia botërore, ajo shqiptare, që ishin në fokusin e interesimeve të tij, por edhe nga letërsitë e popujve të ndryshëm në Jugosllavi, qoftë në faqet e revistave tona, ose të atyre në serbo-kroatishte, qoftë si parathënie e pasthënie të veprave të botuara. Bibliografia e tij shënon mbi 600 njësi punimesh të botuara.

    Ligjëroi Letërsinë botërore në Fakultetin Filologjik. “Ndërroi jetë më 26 korrik l996.

    Krijimtaria e Hasan Mekulit zë vend të merituar në kuadër më të gjerë të shkencës bashkëkohore të letërsisë. Mendimi kritik letrar i këtij autori është i pranishëm dhe gjithnjë aktual në rrjedhat e zhvi¬llimit të kritikës dhe të letërsisë së bash¬këkohore shqiptare. Në recen¬sio¬net, shkrimet kritike, vështrimet le¬tra¬re, trajtesat, studimet, esetë dhe në shkrimet e tjera, me kompe¬tencë dhe përgjegjësi të lartë shke¬n¬core, shqyrtohen çështje dhe fenomene të ndryshme të letërsisë dhe të kulturës. Përgatitja e lartë dhe e gjithanshme profesionale, informa¬cioni i pasur shkencor për rrjedhat e zhvillimit të artit letrar dhe të shkencës së letërsisë në tërësi, si edhe përkushtimi i jashtëzakonshëm në veprimtarinë e pandërprerë shkencore, këtij shkencëtari me dituri enciklopedike, i kanë dhënë mundësi të realizojë studime për vep¬rimtarinë letrare të shumë autorëve të shquar, dhe së bashku me shu¬më krijues të tjerë, ta zhvillojë dhe ta afirmojë shkencën e letërsisë shqiptare.

    Bibliografia e punimeve të Hasan Mekulit është hartuar dhe sistemuar nga vetë autori. Ajo përfshin me qindra njësi bibliografike, ndërsa vetëm bibliografia e shkrimeve kritike dhe e studimeve të zgjedhura të tij ka 443 zëra bibliografikë. Me qëllim të informimit shke¬ncor të gjithanshëm lidhur me krijimtarinë e Hasan Mekulit, si shtojcë të punimit, japim bibliografinë e tij të plotë dhe atë të zgje¬dhur.

    Studimet për poezinë shqipe, për prozën (për tregimin, novelën dhe për romanin shqiptar, për dramën dhe për teatrin, studimet teo¬rike, historike letrare dhe ato për kritikën letrare, bëjnë opusin studi¬mor gjithëpërfshirës kushtuar letërsisë shqiptare të traditës dhe asaj bashkëkohore. Shumica e shkrimeve të tij për letërsinë dhe për kul¬turën shqiptare, janë botuar në revistat letrare dhe shkencore, në orga¬net e shtypi, në botime të ndryshme në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera. Disa studime janë përkthyer në gjuhët e huaja, si parathënie, pasthënie, apo si prezantime të veprave të letërsisë shqipe të për¬kthyera. Studimet e tij gjithherë plotësojnë kërshërinë e lexuesve dhe të studiuesve të letërsisë.

    Botimi i tërësishëm i krijimtarisë së Hasan Mekulit sipas një plani botues ende të parealizuar, do të përfshinte disa vëllime studi¬mesh dhe shkrimesh kritike për letërsinë shqipe dhe për letërsinë botë¬rore. Nga ky plan paraprak janë botuar dy vëllime të veçanta: “ Romani shqiptar – kritika dhe vështrime” (2000) dhe “ Letërsi botë¬rore“- Autorë dhe vepra (2002).

    Shumë punime të tij kanë mbetur në dorëshkrim. Vazhdon pu¬na studimore lidhur me dorëshkrimet (materialet e pabotuara) dhe të pa studiuara, me qëllim të studimit të gjithanshëm dhe të vlerësimit objektiv shkencor dhe të publikimit të tyre,

    Arkivi i dorëshkrimeve të Hasan Mekulit përfshin shumë studi¬me për letërsinë shqipe. Përveç punimeve të botuara më parë, janë ruajtura dorëshkrime të ndryshme, dhe veçanërisht studime të ve¬çanta letrare për letërsinë shqipe dhe atë botërore. Ndër projektet studimore shquhet studimi i pa përfunduar me titullin Zhvillimi i romani shqiptar dhe rëndësia e tij historike letrare”. Kjo ka qenë teza e doktoratës, (e pa përfunduar). Përmbajtja e punimit është para¬qitur si tërësi kompakte kompozicionale. Përveç Hyrjes përfshin kapitujt kryesorë: Zhvillimi i letërsisë shqipe në periudha të veçanta – veçoritë e përgjithshme, Romani si lloj letrar dhe zhvillimi i tij, Kara¬kteristikat e romaneve të autorëve në Shqipëri, Romani në gjuhën shqipe jashtë kufijve të Shqipërisë, Krijimtaria letrare dhe romani në gjuhën shqipe në RSF e Jugosllavisë, Estetika dhe teknika e romanit në gjuhën shqipe në tërësi, Përfundimi. Si kapitull i veçantë – shtesë është përmbledhur Kronologjia e romanit shqiptar dhe literatura për autorët.

    Në kuadër të zhvillimit të temës shumë të gjerë janë dhënë edhe kapitujt vijues: Kushtet politike shoqërore dhe kulturore, Mor¬fologjia e romanit dhe zanafillat e teorisë, Romani botëror brenda kë¬saj kohe dhe më parë, Romani i parë shqiptar etj.

    Radhitja kronologjike e hartimit të romaneve në gjuhën shqi¬pe sipas Hasan Mekulit fillon me veprat e Anton Santorit “Bija e mall¬kuar “(La figlia maledetta) dhe Sofia Cominiate (1889). Pasojnë autorët e tjerë të romaneve, siç janë: Ndoc Nikaj, Vaso Pasha , Jeronim de Rada, Papa Kristo Negovani, Banush Shpataraku, Mihal Grameno, Zef Harapi, G. Koleci, Foqion Postoli, Andon Frashëri, Milo Duçi, Filip Papajani, Mehdi Frashëri, Llambi Daradha, Pjetër Rasha, Haki Stërmilli, Sterjo Spasse, Veis Sejko (Mark Mikolini), Rexhep Çakçiri, Veli Panariti, Mark Kurbini, Vedat Kokona, Luigj Thaçi, Mustafa Greblleshi, Nikoll Lako, Dhimitër Shuteriqi, Ibrahim Oruçi, Kin Dushi, Sinan Hasani, Petro Marko, Martin Camaj, Hasan Petrela, Rexhep Hoxha, Rexhai Surroi, Qamil Buxheli, Hilush Vilza, Azem Shkreli, Thoma Kacorri, Reshat Nepravishta, Ismail Kadare, Rexhep Zogaj, Sotir Andoni, Gazmend Kongoli, Shevqet Musaraj, Jakov Xoxa, Thoma Frashëri, Nazmi Rrahmani, Murat Isaku, Dhimitër Xhuvani, Hivzi Sulejmani, Ali Abdihoxha, Skënder Drini, Kapllan Resuli, Gjergj Zheji, Filip Ndocaj, Ramiz Lika, Rifat Kukaj, Vehbi Kikaj, Razi Brahimi, Anastas Dushku, Ilo Bodeci, Maksut Shehu, Alçi Kristo, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Helena Kadare, Sabri Godo, Ruzhdi Pulaha, Dhimitër Karagani, Teodor Laço, Miço Kallamata, Ramiz Kelmendi, Anton Pashku, Petraç Zoto, Kiço Blushi, Pertef Isufi, Qmil Buxheli, Ymer Elshani, Agim Cerga etj.

    Për çdo autor të romaneve është dhënë lista e romaneve të bo¬tuara sipas kronologjisë dhe literatura për autorin dhe për veprat. Po ashtu janë përfshirë edhe artikujt në gazeta, në revista dhe në libra të veçantë. Hasan Mekuli ka ndjekur metodologjinë tradicionale të har¬timit të punimit shkencor, dhe është bazuar në botimet enciklo¬pe¬dike, në fjalorët e letërsisë në gjuhën shqipe dhe në gjuhët e huaja. Mate¬rialet janë zgjedhur me përkushtim shkencor dhe me kritere të qëndrueshme të vlerësimit kritik dhe metodologjik. Autori i këtyre punimeve për punën personale shtron kërkesa rigoroze shkencore dhe u përmbahet atyre me vetëdije të lartë krijuese. Korrigjimet e punimeve në disa variante tregojnë shumë më tepër për akribinë shkencore të tij.

    Duke u bazuar në studimet historike letrare të tij, në shkrimet kritike, në recensionet, në intervistat, në tekstet e përgatitura për pre¬zan¬time letrare, profesionale dhe shkencore në emisionet e shumta të radios dhe të televizionit, por edhe të manifestimeve dhe të tubimeve shkencore, në tekstet diskursive të llojllojshme, vlerësojmë pikë¬pa¬mjet e Hasan Mekulit për letërsinë dhe për shkencën e letërsisë.

    Studimi i veprës voluminoze të Hasan Mekulit ka rëndësi të madhe për historinë e letërsisë. Punimet shkencore dhe ato kritike letrare të Hasan Mekulit për letërsinë shqipe, ato të botuara në revis¬tat, në gazeta dhe në botime të veçanta, ndërsa shumë të tjera të siste¬muara në materialet dorëshkrimore të tij, mund të shfrytëzohen si lite¬ra¬turë e zgjedhur për hartimin e punimeve të niveleve të ndryshme studimore të letërsisë, pra edhe për realizimin e projektit të madh: Historia e letërsisë shqipe.

    Punimet gjithëpërfshirëse historike letrare dhe ato kushtuar kri¬jimtarisë së shkrimtarëve të ndryshëm, janë:

    Mbi letërsinë dhe letrarët

    Letërsia dhe roli i saj shoqëror

    Rrugët e zhvillimit të letërsisë shqipe në Jugosllavi

    Mbi veprën letrare të Vedat Kokonës

    Vepra letrare e Petro Markos

    Književno stvaralaštvo na Kosovu

    Letërsia shqipe dhe mërgimi

    Mbi nevojë e një kritike aktive, analitike dhe të hapur te ne

    Epoka e revolucionit dhe e LNÇ në letërsi

    Ashtu siç janë përmbledhur në dorëshkrime, titujt e punimeve i japim të mbarështruara sipas gjinive letrare.

    Lidhur me poezinë shqipe evidentojmë këto njësi:

    Esad Mekuli poet i kohës dhe i popullit të vet

    Arti poetik si trajtë e vetëdijes estetike dhe shoqërore

    (Vepra poetike e Esad Mekulit)

    Poezia si trajtë e luftës për progres

    (Për poezinë e Esad Mekulit)

    Poezia si dokument i rëndësishëm i realitetit

    (Për poezinë e Esad Mekulit)

    Vargje t`idhta e krenare

    “Tufa”- e Latif Berishës- krijim i rëndësishëm poetik

    Në margjinat e tri përmbledhjeve të poezisë sonë bashkë¬kohore E. Gjerqeku: “Bebzat e mallit”, M. Isaku: “Zani i malit”, A. Shkreli: ”Bulzat”)

    Poezia si shpërthim mallkimi (Për poezinë e Fahredin Gungës)

    Ali Podrimja: “Loja nën diell”

    Antologjia e poezisë shqipe për fëmijë (Antologjia e Agim De¬vës)

    Të shprehurit lirik dhe situatat lirike si pasqyrë e jetës

    Lirski govor i lirske situacije kao ogledallo života

    Lirski govor in lirske situacije kot zrcalo zivljenja (Parathënie në Antologija poezije albancev v Jugoslavije). Hasan Mekuli: Izbor, uvodni esej in notice o pesnikih. Cankarjeva Izlozba, Ljubljana, 1979.

    Poezia dhe tradita jonë letrare

    Nexhat Pustina:”Zë bylbyli, lule maji”

    Qerim Ujkani: “Përralla e votrës”

    “Hullinat” e Qerim Ujkanit

    Në frymën romantike të këngëtimit (Jakup Ceraja: “Përku¬shtime”)

    Koordinatat jetësore të një poezie (Poezia e Azem Shkrelit)

    Gjurmave të një përvoje poetike (Poezia e Din Mehmetit)

    Thekse të reja të një poezie (Poezia e Qerim Ujkanit)

    Poezia e Besim Bokshit

    Din Mehmeti:”Rini diellore”

    Muhamet Kërveshi: “Ngjyrat e dashurisë”

    Nebih Muriqi: “Në synin e pranverës”

    Behram Hoti: “Ligjërimet e mija”

    Ngjyrat e fjalës dhe shqetësimet (Beqir Musliu: “Rima të shqe¬të¬sueme”

    “Drita në zemër” e Adem Gajtanit

    Rexhep Hoxha: “Me sy kah Parnasi”

    Në ëndrrën e të gjallëve (Qerim Ujkani:”Lartësi toke”)

    Jakup Ceraja: “Përkushtime”

    Hasan Hasani: ” Kroje të bardha”

    Rrustem Berisha: “ Bredhje intime”

    Nuhi Vinca: “ Dallgë jugu”

    Për prozën tregimtare shqiptare janë shkruar shumë punime, siç janë:

    Fatmir Gjata: “Tana”

    Gjurmim serioz i trajtave të reja (Anton Pashku: “Tregime”)

    Nëpër margjinat e tregimeve të Azem Shkrelit

    N. Prifti: ”Një pushkë më shumë”

    Samedin Mumxhiu: Ai dhe Koha”

    Ramiz Kelmendi: “Tregime të sotme shqiptare”

    Ramiz Kelmendi :”Letra prej Ulqini”

    Daut Demaku: “Birigjet e thata”

    Në botën e hijeve dhe të gjakut (Daut Demaku:” Plisat e kuq”)

    Një trajtë e së kaluarës sonë (T. Hatipi: ”Ghurmë kohe”)

    Romani shqiptar

    “Zhvillimi i romani shqiptar dhe rëndësia e tij historike letra¬re”, tezë e lejuar e doktoratës, por e papërfunduar. Ai duke punuar në këtë temë të madhe dhe të rëndësishme, ka hartuar Bibliografinë e romanit shqiptar dhe ka kompletura literaturën e zgjedhur për çdo vepër dhe për çdo autor.

    E vërteta e përjetueme dhe artistikisht e hetueme (Hivzi Sulejmani:”Njerëzit”)

    Në vazhdën e krijimeve realiste (Hivzi Sulejmani: “Fëmijët e lumit tim”)

    Vetëdija kritike e Hivzi Sulejmanit

    Tue lexue “Gjarpijt e gjakut”

    Sterjo Spasse”Afërdita”

    “Këneta” e Fatmir Gjatës

    Romani i një personazhi- një kohe

    Romani “Me valët e jetës” i Vedat Kokonës

    Mbi veprën letrare të Vedat Kokonës

    “Me valët e jetës” një projeksion i plotë i realitetit (Parathënie e romanit)

    Në vallen e re të jetës dhe të luftës (Parathënie e romanit “Këneta” të Fatmir Gjatës)

    Selman Vaqari dhe romani i tij i mbresshëm për fëmijë (Para¬thënie e romanit “Debatiku”)

    “Besniku” i Rexhai Surroit

    Karvani i bardhë” i Azem Shkrelit

    “Beli Karavan”- prozni prvenac Azem Škrelji

    Književno delo Sinana Hasanija

    Kah plotësimi i një detyre të letërsisë (Sinan Hasani:” një natë e turbullt”)

    Simbolika e një realiteti (Rexhep Qosja:”Vdekja më vjen prej syve të tillë”)

    F. Postolli: “Lulja e kujtimit”

    H. Stërmilli: “Sikut t`isha djalë”

    Književnost i kritika (Rexhep Qosja: Književnost i kritika”- Parathënie)

    Hasan Mekuli:“ Mbresa dhe vështrime” përmbledhje kritikash dhe esesh –në pëgatitje për shtyp

    Romani ynë për fëmijë dhe të rinj

    Zgjerimi i hapësirës në romanet e Sinan Hasanit

    Nebil Duraku: “Murgesha”

    Vepra letrare e Petro Markos

    Një roman epope dhe dramë

    (Romani i Jakov Xoxës “Lumi i vdekur”

    Një trajtë e vdekjes (Jakov Xoxa)

    Kundrime realiste të së kaluarës sonë (Murat Isaku :”Plagët”)

    Fati i njerëzve të një treve në një mozaik romanesk (Zuvdi Hoxhiqi- Berisha:”Viti i Gucisë”

    “Lugjet e verdha” i Rexhep Hoxhës

    Dramaturgjia Drama dhe teatri kanë zgjuar interesimin e veçantë të këtij autori:

    Vërejtje dhe dëshmi për artin e skenës ndër ne (Vehap Shita:”Skena shqipe”)

    Andrea Skanjeti : “Nora”

    Letërsia për fëmijë

    Vepra e Anton Çettës “Në prehën të gjyshes”

    Maksut Shehu:”Jemi dy motra”

    Pikëpamjet e Hasan Mekulit për letërsinë dhe për artet e tjera janë shfaqur në shumë artikuj kritikë, në studimet letrare shkencore, në ligjëratat e mbajtura për studentët e filologjisë dhe, me rastin e organizimit të aktiviteteve të ndryshme kulturore dhe shkencore, në paraqitjet publike. Mendimi për letërsinë ka evoluar, është pasuruar dhe gjithnjë është konsoliduar, duke sjellë risitë e letërsisë dhe të mendimit teorik dhe historik letrar. Në të gjitha aspektet e studimit të letërsisë ai ka transmetuar te lexuesit mendimin shkencor të avancuar dhe vlerësimin sa më të plotë dhe të argumentuar. Krahas vlerësimit kritik dhe studimit inventiv, në tekstet diskursive për shkrimtarët dhe veprat e tyre, Mekuli ka përfshirë shumë të dhëna relevante, me të cilat kompletohen njohuritë shkencore të traditës dhe të modernitetit.

    Gjatë viteve të fillimeve letrare, por edhe të shkrimeve kritike për letërsinë, Hasan Mekulit i ka interesuar poezia, pra letërsia. “Si njeri që ndalem shpeshherë aty ku takohen poezija dhe jeta”, ka shkruar ai, dhe pas kësaj fjalie ka vazhduar vështrimin kritik për veprën letrare. Në vështrimin “Poezija-kuptimi dhe reflekset” spikat tiparet e poezisë dhe të krijimit letrar. Njëkohësisht ndriçon çështjen e frymëzimit krijues dhe rolin shoqëror të artit poetik. Në kuadër të suazave më të gjera teorike letrare vazhdon shqyrtimet e analizës së veprave letrare të shkrimtarëve shqiptarë, por edhe të atyre botërorë.

    Gjithnjë sipas bindjes së thellë se “Jeta jonë asht gjithmonë e jona – e përshkueme me poezi. E poezija asht mësim dhe ngushllim, simbol i fatit tonë. Ajo asht iluzioni ynë. Ajo asht e vërteta jonë. Në te na kallxojmë gjithçka për vetëvehten, gjithçka për të tjerët dhe gjthçka mbi të tjerët nëpër vetë ne. Poezija asht lufta jonë me ve¬të¬vehten dhe lufta me të tjerët, rezistenca jonë ndaj jetës dhe etja jonë për jetën. Poezija asht lindje dhe rritje e ngadalshme, njohje e dhim¬bshme dhe zhdukje. Po, ajo asht mashtrimi ynë ma i madh dhe e vër¬teta jonë ma e madhe dhe e vetme. Poezija – asht jeta që vlon”.

    Hasan Mekuli intensivisht dhe pa ndërprerje i ka përcjellë rrjedhat e letërsisë, duke lexuar gati të gjitha botimet letrare dhe ato studimore. Ky bibliofil i rrallë ka lexuar dhe analizuar aspekte të lloj¬llojshme të produkcionit letrar dhe shkencor të veprimtarisë botuese në tërësi. Në punimin shkencor “Rrugët e zhvillimit të letërsisë shqi¬pe në Jugosllavi” i është qasur vlerësimit kritik të krijimtarisë letrare të shumë shkrimtarëve shqiptarë sipas gjinive dhe llojeve letrare dhe ka paraqitur panoramën autentike të zhvillimit të letërsisë gjatë viteve dyzet dhe pesëdhjetë. Ky studim, i botuar më parë në revistën “Për¬parimi”, do të përfshihet në botimin gjithëpërfshirës “Panoramë e letërsisë bashkëkohore shqipe në Jugosllavi”. Përpjekja për të bërë edhe periodizimin e letërsisë bashkëkohore, pa lënë në harresë letër¬sinë e traditës, ka bërë jehonë pozitive dhe është vlerësuar si anga¬zhim serioz për studimin e gjithanshëm të historisë së letërsisë. “Derisa perioda e parë, ka shkruar Mekuli,… asht mbushë relativisht me tentime qëllimmira, por jo edhe gjithmonë të sukses¬shme, aso tentimesh që dëshmojnë përpjekje të qëndrueshme për me iu vu njiherë bazat, jo vetëm nji literature, por edhe nji kulture për¬gjithë¬sisht, perioda e dytë ka domethanje tjetër, rezultate tjera si dhe karakteristika ma tepër të randsishme, artistike”.

    Letërsia, sipas mendimit kritik të Hasan Mekulit,”… është fryti më suptil dhe më specifik” i krijimtarisë njerëzore. Veprës letrare prandaj i është qasur me vëmendje të përqen¬druar dhe nga të gjitha aspektet e realizimit artistik, për të shquar më mirë vlerën dhe përjetimin estetik që sjell leximi i poezisë, i prozës, i dramës, si edhe shikimi në skenë i veprës dramatike. Në analizën e veprave letrare ka spikatur: përmbajtjen, motivet, temat, idetë, kon¬fli¬k¬tet letrare, ka analizuar personazhet, tiparet kompozicionale, tipolo¬gjinë e krijimeve letrare, shprehjen artistike e figurative, veçoritë sti¬listike dhe gjuhësore. Me objektivitet dhe me guxim krijues ka vlerësuar veprat dhe dukuritë letrare dhe ka shfaqur mendime intere-sante që lidhen edhe me aspekte të tjera të krijimtarisë artistike dhe të jetës njerëzore. Në qendër të vëmendjes dhe të interesimit shkencor të këtij studiuesi prore kanë qenë çështjet e rëndësishme të historisë së letërsisë, të historisë kombëtare e botërore, problemet shoqërore, politike, filozofike, etike dhe të tjera.

    Interpretimet letrare janë të plota, herë-herë shumë të gjera, me vrojtime karakteristike që lidhen me tekstin letrar si edhe me kontek¬stin më të gjerë të saj. Duke i kushtuar rëndësi të posaçme rolit sho¬që¬ror të letërsisë, me invencion të rrallë ka theksuar funksionin e artit, të kritikës letrare dhe të faktorëve të tjerë që ndikojnë në zhvillimin e letërsisë dhe të kulturës në kuptimin e gjerë të fjalës. “Kritiku letrar, ka pohuar Hasan Mekuli, e ka me borxh të shkruajë si ndien, ta lexojë veprën bashkë me lexuesit që paramendon. Do të thotë të meditojë lidhur me veprën nga të gjitha anët dhe këndvë¬shtrimet, të vrojtojë, të gjykojë mbi veprat që i do, ushqen një mirë-njohje dhe dashuri për to, por t’i vrojtojë e të flasë hapur edhe për veprat që nuk i do, nuk i pëlqejnë eventualisht, por e angazhojnë dhe detyrojnë ta vrasë mendjen përkitazi me atë çka paraqesin dhe për çka angazhohen ato, me mesazhin që ka vepra, qoftë si përmbajtje, qoftë si formë. Kritika gjithsesi varet nga niveli i vetëdijes shoqërore, nga vepra me të cilën merret dhe nga ajo që i ofron përmbajtja ose më mirë pesha e përgjithshme e saj. Varet nga faktorët e shumtë të jash¬tëm sa edhe nga elementet e brendshme, nga realiteti a do ta pranojë autori ose autorët kritikën si një qëndrim dashamirës, madje edhe atë¬herë kur është e rreptë, qortuese, negative, ose do të armiqësohet me kritikun. Ajo përkon pa dyshim, me faktorët estetikë, por s’mund të përjashtohen as faktorët psikologjikë, as kushtëzimi nga koha dhe hapësira, as llojet e shestimeve, etj., deri te faktorët sociologjikë që im¬pli¬kohen vetvetiu… Ajo, kritika presupozon artin, të bukurën, të mirën, të madhërishmen. Këtu qëndron përkatësia e saj krijuese, aftësia kritike që në përputhje me estetikën, me cilësitë estetike të një vepre letrare ose të artit në përgjithësi, t’i krijojë dhe t’i formojë gjykimet dhe kriteret, analizat dhe pohimet. Pra, qoftë kritika impre¬sioniste, qoftë pozitiviste, realiste, apo e cilitdo lloj të jetë, ajo do të mbështetet në cilësinë artistike të përgjithshme të një vepre. Cilësitë estetike të veprës e përcaktojnë suksesin ose mossuksesin e saj, suazat që ka kritika, metodat në të cilat mbështetet. Prandaj është me rëndësi të posaçme raporti i kritikës me kohën dhe hapësirën kur krijohet, sa edhe raporti ndaj artit dhe estetikës.”

    Krijimtaria e Hasan Mekulit përfshin shumë fusha të diturisë. Kritika e tij letrare, që ndërmjetëson në mes të autorit, pra të veprës letrare dhe lexuesit, është aktive, analitike, dhe e hapur. Kjo është, siç e quan Mekuli, kritika praktike “që doemos duhet ta shoqërojë jetën letrare dhe të komunikojë me një gjuhë të qartë dhe të mprehtë, me turmën e lexuesve në përgjithësi, dhe me rrethin e ngushtë të spe-cialistëve në veçanti”. Kërshëria e gjallë intelektuale dhe shkencore e ka nxitur autorin që në vijimësi të shfaqë mendime të rëndësishme për aktualitetin letrar dhe të shqiptojë vlerësime shkencore të që¬ndrueshme dhe aktuale për shkencën e letërsisë. Vepra e tij, e botuar në disa vëllime të ve-çanta, sendërton dëshirën edhe të autorit të saj, për të komunikuar vazhdimisht me lexuesit e të gjithë brezave. Në këtë funksion është dhe mbetet kontributi i çmuar i Hasan Mekulit në jetën tonë kulturore, arsimore dhe shkencore. Profesor Hasan Mekuli ka qenë enciklopedi e gjallë. Një shpirt i etur për dituri dhe i gatshëm kurdoherë atë dije ta transmetojë me zotësi të jashtëzakonshme te njerëzit e botës shqiptare dhe më gjerë. Njeri i pasionuar, me predis¬pozitë e me kërshëri të jashtëzakonshme për kërkime e studime shke¬n¬core në fushën e shkencave shoqërore-humanitare, në lëmin e artit dhe sidomos të letërsisë.

    Pas shkollimit fillor në Plavë (në vendlindje) është regjistruar në gjimnaz, më 1945. Që atëherë dhe deri më sot ky shkrimtar dhe shkencëtar i merituar, ka mësuar, ka studiuar, ka lexuar, ka shkruar, ka ligjëruar dhe ka arsimuar aq shumë breza të nxënësve dhe të stu¬dentëve në studimet universitare. Krijues i rrallë, shkrimtar, kritik let¬rar, shkencëtar me guxim të madh krijues, publicist, përkthyes, kultu¬ro¬log, mësimdhënës dhe njeri i dashur i një miqësie të përjetshme njerëzore dhe intelektual i kompletuar me dituri të gjithanshme, pro¬fesor Hasan Mekuli dha kontribut të madh që mahnit me gjerësinë studimore, me thellësinë e mendimit dhe me qëndrimin kritik për të gjitha çështjet e rëndësishme kulturore, shoqërore, politike dhe shken¬core.

    Guximi intelektual dhe shkencor, vendosmëria e rrallë për t’u ballafaquar dhe për të reaguar flakë për flakë ndaj padrejtësisë, ndaj të keqes, ndaj dhunës politike dhe ndaj gjenocidit të zaptuesit, ndaj shpifjeve të armikut, ndaj nënçmimit dhe ndaj poshtërimit njerëzor. Porosia e madhe e këtij njeriu me zemër të madhe dhe me dije të gjerë ishte aksiomë e jetës; identike me atë të Naim Frashërit: “Njeriu po s’deshi kombin e tija, / e mëmëdhenë, / Nuk ka pjesë nga njerëzia / S’do as vethenë”; pastaj qëndresa njerëzore dhe kombëtare. Dituria, liria, jeta, …Hasan Mekuli ishte bibliofil i pasionuar dhe adhurues i librit. Dëshira për të lexuar, për t’u informuar për botimin e librit të ri, për shtypin, periodikun, për çdo gjë që i përket diturisë, te ky njeri ishte e pashuar. Me rastin e udhëtimit të fundit për shërim në spital kërkoi të marrë me vete veprat e Ismail Kadaresë (botime të “Duka-gjinit”): “Shkaba” dhe “Pallati i ëndrrave”.

    Njohës i mirë i letërsisë shqiptare, i letërsisë botërore të mile¬niumeve që nga lashtësia dhe deri te letërsia bashkëkohore (aq sa mund të lexojë njeriu i pasionuar gjatë jetës së vet dhe punës inten¬sive e të pandërprerë), njohës i kulturës dhe i artit shqiptar, i kulturës së popujve të tjerë të botës. Sa shumë dëshira, gëzime, pikëllime dhe brenga bashkë.

    Vlerësimi për kontributin shkencor ka qenë shumë afirmativ. Në një shkrim për krijimtarinë e Hasan Mekulit është shkruar: “Punimet e tij kritike kanë vlerë të lartë profesionale shkencore jo vetëm për kritikën letrare, por edhe për historinë e letërsisë sonë dhe shquhen si në pikëpamje shkencore, ashtu edhe gjuhësore e stilistike. Me punën e tij shumëvjeçare prej studiuesi të letërsisë, ai arriti të afirmohet si kritik i shquar dhe afirmues i letërsisë shqiptare, jugo¬sllave dhe botërore ndër ne. Duke marrë parasysh dinamikën e pranisë së tij në shkencën tonë letrare dhe cilësinë e vëllimin e punimeve të tij, mund të thuhet se ai ishte jo vetëm pionieri i kritikës letrare në mbështetje profesionale dhe shkencore, por edhe njëri nga kritikët më të dalluar të letërsisë sonë.

    Mënyra me të cilën i përvishet studimit të veprës letrare, metodologjia e punës së tij studimore, ka një bazë të shëndoshë ideoestetike dhe mbështetet mbi koncepcionet më bashkëkohore. Prania e tij vërehet në mënyrë të veçantë në lëmin e studimit të letërsisë shqiptare të pasluftës. Duke bërë analizën komplekse të veprës letrare ai luajti rol të rëndësishëm në orientimin e drejtë të krijimtarisë letrare të shkrimtarëve të rinj, duke theksuar cilësinë dhe vlerat e përhershme të krijimeve letrare dhe luftoi me ngulm kundër devijimeve të ndryshme. Erudicioni i tij pasqyrohet si në lëmin e kritikës letrare shqiptare, ashtu edhe jugosllave e botërore…

    Punimet e tij i karakterizon qëndrimi i drejtë ndaj vlerave të vërteta letrare, vlerësimi i gjithanshëm i veprave letrare, metodologjia e avancuar, përgatitja solide teorike, shpjegimi shkencor i feno¬meneve të ndryshme letrare. Në këtë mënyrë, Hasan Mekuli arriti t’i kapërcejë me sukses interpretimet e njëanshme, të kufizuara, të me¬ndimit kritik të asaj kohe dhe me punën e tij të ndjeshme e cilësore, ushtroi ndikim të fuqishëm mbi emancipimin e sigurt të kritikës letrare dhe vendosjen e saj mbi baza të shëndosha teorike.

    Duke regjistruar me kujdes e me përgjegjësi çdo përpjekje letrare, çdo botim të ri dhe çdo fenomen letrar, duke interpretuar në mënyrë shkencore çdo vepër të re ose të përkthyer letrare, ai ndikoi edhe në punën krijuese të shkrimtarëve tanë bashkëkohorë, kërkoi zgjerimin dhe thellimin e kulturës letrare, teorike dhe artistike të tyre. Si krijuesit tanë të rinj, ashtu edhe le¬xuesit kishin nevojë për një personalitet të tillë kritiku letrar, fjalën e të cilit do ta mirëpritnin dhe do të cyteshin për ngritjen profesionale-teorike dhe krijimtari më cilësore”.

    Hasan Mekuli, ky studiues i shquar dhe personalitet i rrallë i kulturës shqiptare dhe botërore, ka lënë kontributin e madh shkencor kushtuar letërsisë shqiptare, i cili mbetet trashëgim për të gjithë bre¬zat, për ardhmërinë

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark