Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është arrestuar nga Policia e Kosovës. “Insporti” mbrëmë raportoi se numri një i FFK-së është arrestuar nga prokurori Besart Mustafa.
Policia e Kosovës e ka bërë të ditur për portalin se Ademi është arrestuar mbrëmë pas incidentit që ndodhi dje në ambientet e FFK-së.
“Me datën 16.03.2022 rreth orës 14:00, kemi pranuar informatën për një rast sulmi, i cili ka ndodhë në zyrat e FFK-së. Lidhur me këtë rast aktualisht në stacion policor është duke u intervistuar pala ankuese. Për detaje njoftoheni me kohë.
Informatë shtesë:
Lidhur me këtë rast janë intervistuar disa persona, njëri nga ta në cilësinë e personit të dyshuar.
Në koordnim me prokurorin e shtetit, rasti është iniciuar sulm dhe personi i dyshuar është dërguar në mbajtje“, ka thënë zëdhënësja e PK-së, Flora Ahmeti.
Dje gjatë ditës u raportua për përleshjen mes Artan Govorit dhe Agim Ademit në zyret e FFK-së.
Rasti është konfirmuar nga Policia e Kosovës dhe vet Govori.
Po ashtu, ky rast ka ndodhur dje pas deponimit të nënshkrimeve nga Gramoz Vokrri, që do të jetë kundërkandidati i Ademit në zgjedhjet që do të mbahen më gjashtë (6) prill.