Sulmuesi i Ajaxit, ka kaluar një përvojë aspak të këndshme në orët e natës mes 27 dhe 28 korrikut.
Mësohet se dy grabitës të maskuar e kanë pritur pranë banesës së tij, në Van Eeghenstraat, në jug të Amsterdamit. 33-vjeçari, pasi e kuptoi që diçka nuk po shkonte, është munduar të arratiset, por është ndjekur nga gabitësit. Ai ka mundur t’i heqë maskën njërit prej tyre, madje edhe ta godasë me shuplakë. Pas një përleshjeje të shkurtër, Tadic ka mundur të largohet, duke pësuar vetëm disa dëmtime të lehta.
Grabitësit janë larguar pa mundur të marrin gjë. Është e paqartë se çfarë saktësisht synonin. Për shkak se ngjarja ka ndodhur afër shtëpisë së Tadicit, policia nuk përjashton mundësinë që grabitësit të kenë pasur për qëllim të hyjnë në banesën e futbollistit. Policia ka nisur një hetim të gjerë, por ende nuk ka persona të arrestuar.
Pak ditë pas incidentit, Tadiç, i cili bëri kallëzim në polici, luajti të gjithë ndeshjen kundër PSV-së në “Johan Cruijff Arena”, në Superkupën e Holandës (PSV fitoi 5-3).
Në atë ndeshje futbollisti serb e kishte dorën në allçi. Pas heqjes së allçisë në gishtat e tij dalloheshin disa plagë të vogla.
Precedentët
Tadic, Siem de Jong dhe Steven Bergwijn u sulmuan në vitin 2018 nga një bandë, që kërkonin t’u merrnin me dhunë orët Rolex. Në vitin 2020, drejtësia kërkoi gjashtë vjet burg për një 18-vjeçar dhe deri në shtatë vjet burg ndaj tre të dyshuarve të tjerë.
Në vitin 2021, gruaja dhe fëmijët e sulmuesit të PSV-së, Eran Zahavi, u lidhën gjatë një grabitjeje të dhunshme në shtëpinë e tyre në Buitenveldert. Pavarësisht hetimeve të shumta, ende askush nuk është arrestuar.