×
  • Sport
  • Sport

    SUPER-LAJM për sportin tonë: Kosova do ta organizojë Kampionatin Evropian të Xhudos

    Insajderi
    15 April 2023 - 16:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Xhudoja kosovare të shtunën ka arritur një tjetër sukses të madh. Është zyrtarizuar vendimi i Unionit Evropian të Xhudos (EJU) që në Kosovë të organizohet Kampionat Evropian i xhudos.

    Evropiani do të mbahet më 16 dhjetor, ndërsa është format i ri i ngjarjes kontinentale.

    Zyrtarisht ngjarja kontinentale njihet si “European Championships Open”, ndërsa garuesit e kategorive të ndryshme do të garojnë mes vete. Evropiani i hapur do të organizohet për xhudistet deri 57 kilogramë dhe xhudistët deri 73 kilogramë.

    Pra te xhudistet do të garojnëgarueset më të mira të Evropës në kategoritë 48 kg, 52 kg e 57 kg. Te xhudistët do të garojnë më të mirët e kategorive 60 kg, 66 kg e 73 kg.

    Fondi shpërblyes është plot 300 mijë euro, që është shifër goxha e lartë për xhudo. Rrjedhimisht gara pritet të mbledhë xhudistët më të mirë në Evropë.

    Evropiani në Prishtinë do të jetë gara e fundit e vitit sa i takon EJU-së.

    “Kohëzgjatja e garës do të jetë e shkurtër, ndërsa shpërblimi financiar jashtëzakonisht i lartë”, ka shkruar EJU.

    Xhudoja kosovare i takon nivelit më të lartë botëror. Xhudistet e Kosovës i kanë tri medalje të arta olimpike, ndërsa numri i medaljeve botërore e evropiane është shumë i lartë. Deri më tani ka munguar një garë e nivelit të lartë në Kosovë. Dhe kjo po ndryshon.

    Kosova do të prezantohet me dy xhudiste e dy xhudistë. Vendet e tjera evropiane kanë të drejtë të marrin pjesë me nga një xhudist e një xhudiste.

    “Jam shumë i gëzuar për vendimin që sapo e mori Komiteti Ekzekutiv i Unionit Evropian të Xhudos për organizimin e Kampionatit Evropian në muajin dhjetor në Prishtinë. Është kampionat ‘open’ që mbahet për xhudistet deri 57 kilogramë dhe xhudistët deri 73 kilogramë. Pas rezultateve kulminante nga xhudoja kosovare, tani është koha që të marrim përgjegjësi edhe për organizimin e eventeve serioze në sportin e xhudos”, ka thënë për KOHËN kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka. Ai është edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të EJU-së.

    “Evropiani është pjesë e programit ‘Kosova, shtet i xhudos’ që tani ka filluar të zbatohet në disa dimensione. Dua të falënderoj ministrin Hajrulla Çeku dhe kabinetin e tij për mbështetjen dhe profesionalizmin”, ka shtuar Kuka.

    Për Evropianin në Kosovë ka folur edhe presidenti i EJU-së, Laszlo Toth.

    “Me këtë Kampionat të hapur Evropian, duam të krijojmë një format të ri, miqësor ndaj audiencës, si dhe nxitje shtesë për xhudistët tanë më të mirë. Në të ardhmen duam të ofrojmë deri në dy turne të këtij lloji në vit”, ka thënë Toth.

    Konkurrenca për ta prezantuar Kosovën në Evropianin në Prishtinë pritet të jetë e fortë. Por kampionet olimpike, Distria Krasniqi e Nora Gjakova, janë favorite.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark