Futbolli i Kosovës ka shënuar së fundmi ngritje të madhe, derisa në një renditje të publikuar, ka lënë pas edhe disa shtete të rajonit.
Poashtu, në edicionin e ri, futbolli i Kosovës do të përfaqësohet nga katër klube në garat evropiane.
Lajmin e ka bërë me dije kryetari i FFK-së, Agim Ademi.
Ademi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se tri skuadra dalin në Evropë përmes kampionatit dhe një tjetër nga kupa.
Poashtu, kampioni i Kosovës nga ky edicion nuk do të garojë në rundin paraeliminator, por direkt në rundin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve.
Postimi i plotë i Agim Ademit:
“Meqë jemi në fazën përfundimtare të garave kampionale, dhe kohës kur do të përcaktohen klubet që do ta përfaqësojnë futbollin tonë në garat evropiane, konfirmohet edhe një lajm i mirë për futbollin tonë.
Siç u pa edhe në ranglistën e fundit të UEFA-s, për renditjen e ligave kombëtare, liga e Kosovës ka shënuar përparimin e radhës. Dhe në bazë të këtij përparimi, konfirmohet lajmi qe ne FFK-ja e ka dhënë edhe para fillimit të edicionit, se nga ky edicion, liga jonë do të përfaqësohet me 4 klube. 3 nga kampionati dhe fituesi i kupës.
Mirëpo risia tjetër është se si rezultat i ngritjës së rangimit të ligës, kampioni i Kosovës nga ky edicion nuk do të garoj në rundin para kualifikues, por direkt në rundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Përparimi i Ligës, përfaqësimi me më shumë klube në garat evropiane dhe rritja e cilësisë në kuadër të garimit tê brendshëm, është një tjetër deshmi se futbolli i Kosovës po shënon rritje në çdo aspekt, që është edhe mision kryesor i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Presidentit Agim Ademi“.