×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Superpuna” apo “Superdështimi” i Qeverisë Kurti? Ankesa nga bizneset dhe të punësuarit

    Insajderi
    26 February 2024 - 17:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Si një mundësi për uljen e papunësisë te të rinjët, Qeveria e Kosovës në shkurt të vitit të kaluar pati prezantuar platformën “Superpuna”. Përmes kësaj u synua që vetëm gjatë vitit 2023 t’i punësojë 10 mijë të rinj në profesione të ndryshme, të rinj prej moshës 18 vjeç deri në 25.

    Kjo platformë më shumë se për të rinjtë, u pa si mundësi shumë e mirë edhe për bizneset, të cilat kishin nevojë për punëtorë, por që ekonomikisht qëndronin dobët.

    Një vit pas, kjo platformë nga bizneset dhe ata që janë punësuar po shihet si dështim.

    Disa prej tyre janë ankuar në adresë të “Zeri.info”.

    H.Y. (emër i njohur për redaksinë) ka thënë se që nga nëntori i vitit të kaluar është punësuar në një biznes, por që pagën e ka marrë vetëm një herë nga ana e Qeverisë dhe një herë është paguar nga biznesi ku është punësuar.

    “Na ka dalë vetëm paga e dhjetorit, edhe ajo na ka dalë në fund të janarit, edhe ma hiç asnjë cent”, u shpreh ky i punësuar.

    Një biznes që ka punësuar rreth 6 persona përmes platformës “Superpuna” ka thënë për “Zërin” se me punësimin e këtyre të rinjve më shumë i janë vështirësuar financat.

    Kam apliku në ‘Superpunë’ se kisha nevojë për punëtorë, po s’kisha mundësi me i pagu, po prej kur kanë ardhë këta të rinj më shumë jemi tu pas probleme financiare, sepse vetë po duhet t’i paguajmë këta punëtorë”, ka thënë ky përfaqësues i një biznesi, që pranoi të flasë vetëm në kushte anonimiteti.

    Zeri.info merr vesh nga burime të saj brenda Thesarit të Shtetit se për platformën “Superpuna” janë procesuar të dhënat vetëm për muajin dhjetor, ndërkaq për muajin janar akoma jo.

    Në anën tjetër, duke i parë këto probleme me të cilat po ballafaqohen bizneset dhe të rinjtë e punësuar, për ekspertin e ekonomisë Safet Gërxhaliun kjo platformë më shumë është një “superdështim”.

    Gërxhaliu tha se kjo platformë më shumë është politike sesa sociale.

    “Është e vërtetë që Kosova është shndërruar në një hapësirë eksperimentale nga fakti që po shpikin ide të ndryshme vetëm për të mbuluar realitetin e hidhur të krijuar në Kosovë. Flitet domethënë për një qasje shumë më tepër sociale që është duke dominuar në Kosovë, shumë më tepër qasje sociale sesa zhvillimore, edhe në këtë drejtim po bëhen skema të ndryshme që janë të kalkuluar shumë më tepër në aspektin politik sesa social. E kemi pasur edhe dukurinë ose fenomenin e ‘Superpunës’. Është promovuar nga ana e Qeverisë si një e arritur shumë e madhe që garanton punësim dhe përmirësim të gjendjes sociale në Kosovë, mirëpo e vërteta është se edhe sektori privat, por edhe vetë të papunët po kanë probleme të shumta. Sektori privat ballafaqohet me një burokraci nga institucionet, e cila nuk i kompenson obligimet që i ka në këtë projekt.

    Në anën tjetër, qytetarët kanë probleme të shumta, por edhe bizneset që komunikimi qoftë përmes internetit, ose në forma të tjera vërtet është shumë burokratik, shumë e vështirë dhe definitivisht e tëra kjo si duket do të mbetet prapë barrë e sektorit privat, sepse nuk ka reflektim. Prandaj besoj që gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin. Është shumë më e mirë të dihet e vërteta sesa të tentohet të hijeshohet një e vërtetë e hidhur dhe në këtë drejtim po humbet shpresa se në Kosovë ka perspektivë, se në Kosovë mund të krijohet një mirëqenie dhe zhgënjimi po rritet çdo ditë e më tepër, sidomos kur kemi premtim institucional shumë të madh”, u shpreh Gërxhaliu.

    Sipas Gërxhaliut, ky është edhe një dështim i radhës i Qeverisë së Kosovës në aspektin ekonomik.

    “Definitivisht duhet të analizohet fare mirë dhe në këtë drejtim shumë më tepër ka dështim se që ka zhvillim ose efekte pozitive, por këtë e di më së miri qytetari, këtë po e kupton biznesi dhe besoj që me kalimin e kohës shumëçka që nuk ka substancë po demaskohet”, theksoi Gërxhaliu.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark