Insajderi
Lajme

Suspendohen edhe shtatë policë të tjerë për keqtrajtimin e dy personave në stacionin policor të Podujevës

Insajderi
02 December 2025 - 18:14
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Suspendohen edhe shtatë policë të tjerë për keqtrajtimin e dy personave në stacionin policor të Podujevës
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar sot suspendimin e edhe shtatë zyrtarëve policorë në lidhje me rastin e dyshuar për keqtrajtim të dy qytetarëve, njëri prej tyre i mitur, në Stacionin Policor të Podujevës.

Sipas IPK-së, nga shtatë zyrtarët e rekomanduar për suspendim, gjashtë shërbenin në Stacionin Policor të Podujevës, ndërsa njëri në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës. Ky vendim vjen pas zgjerimit të hetimeve nga Departamenti i Hetimeve të IPK-së, i cili po punon në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës, shkruan Insajderi.

“Hetimet fillestare IPK i kishte filluar me dyshimin se disa zyrtarë policorë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe atë brenda zyrave të stacionit policor në Podujevë kanë keqtrajtuar dy qytetarë (njëri nga ta i mitur) që ndodheshin në ndalim”, thuhet në njoftimin e IPK’së.

Aktualisht, hetimet ndaj gjashtë prej zyrtarëve po zhvillohen në procedurë të rregullt për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”. Ndërsa një toger policor dyshohet për veprën “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.

Me këto zhvillime, numri i zyrtarëve të dyshuar në këtë rast arrin në 11.

IPK ka rikujtuar se më 10 nëntor kishte rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve të parë të stacionit policor në Podujevë, pasi dyshohej se ata kishin përdorur forcë të tepruar dhe kishin keqtrajtuar dy qytetarët gjatë ndalimit. Edhe në atë rast, hetimet po zhvilloheshin në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ndërsa IPK kishte paralajmëruar se priteshin veprime të tjera hetimore.

“Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorinë pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e rastit”, përfundon njoftimi i IPK’së. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark