×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Tahiri akuzon Muratin se po iu bën presion qytetarëve për ta paguar tatimin në pronë

    Insajderi
    29 April 2023 - 18:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e ka akuzuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, se po iu bën presion qytetarëve për ta paguar këstin e parë të tatimit në pronë.

    Ministria e Financave të shtunën përmes Facebookut bëri të ditur se falja e 100 eurove për tatimin në pronë do të bëhen edhe për ata qytetarë që e kanë kryer pagesën para se të miratohet Projektligji për Tatimin në Pronë. MF-ja ka kujtuar se 30 prilli është afati i fundit për pagesën e këstit të parë të tatimit në pronë.

    E Tahiri këtë po e konsideron si presion ndaj qytetarëve.

    “Rikujtimi i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, se data 30 prill, është afati i fundit për pagesën e këstit të tatimit në pronë, me çmimin e papërballueshëm ka vendosur në presion mijëra familje. Qasja se 100 euro do të kompensohen me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri për Tatimin në Pronë, tregon se kjo qeveri nuk i kupton hallet e as pamundësitë e qytetarëve”, ka shkruar ai në Facebook.

    Deputeti i AAK-së ka thënë se shtrenjtimin e tatimit në pronë, Qeveria e nisi duke fajësuar komunat, duke gënjyer e tani po e mbyllin me presion. Ai ka thënë se vetë Projektligji është kundërshtuar nga komunat, pasi thotë se nuk jep zgjidhje.

    “Pagesa kaq e lartë, sot është e pa përballueshme, e pajustifikueshme. E nisën me fajësime të komunave, e vazhduan me gënjeshtra e po e mbyllin me presion. Edhe vetë projektligji, ka hasur gjerësisht kundërshtimin e komunave, në vend se të prodhohen zgjidhje, po normohen edhe më tepër rritje”, ka shkruar tutje Tahiri.

    Ai ka ftuar me urgjencë Muratin që të diskutojë me komunat për këtë Projektligj, ta sjell në Kuvend e “të ndalë presionin e ndëshkimeve në këtë kohë të çmimeve të papërballueshme”.

    “Të shihen zgjidhje për zgjerim të grumbullimit të tatimit. Sepse nuk mund t’u rëndohet barra atyre që po paguajnë plot fatura të dështimeve të institucioneve”, ka shkruar Tahiri.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark