Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se e ka njoftuar Bashkimin Evropian në lidhje me përpjekjet për veprimtari ilegale në Kosovë të një kompanie nga Serbia, e cila merret me shitjen e derivateve të naftës, dhe e cila ka përgatitur për të hapur tri pika të shitjes në Kosovë.
Bëhet fjalë për pika të shitjes në komunën e Mitrovicës Veriore, Zubin Potokut dhe Zveçanit.
Në një komunikatë për media thuhet se Tahiri ka kërkuar nga BE-ja që të “angazhohet për pengimin e zhvillimeve të tilla” që janë në kundërshtim me frymën e dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.
“Ministrja Tahiri, po ashtu ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të lejojë veprimtarinë joligjore të kësaj kompanie si dhe ka ftuar në vigjilencë të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës duke marrë parasysh informacionin se kjo kompani sjellë naftën ruse në Kosovë”, thuhet në komunikatë.
“Duhet të kemi vigjilencë maksimale që të ndalojmë çfarëdo ndikimi të Rusisë në Kosovë sepse mund të jetë me rreziqe për sigurinë kombëtare të shtetit tonë euroatlantik dhe me rreziqe gjeostrategjike për Kosovën dhe rajonin. Kjo çështje duhet të trajtohet nga institucionet tona shtetërore në kontekstin e ambicieve të rrezikshme të Rusisë për ndërhyrje të mundshme gjeostrategjike në gjithë rajonin e Ballkanit”, tha ministrja Tahiri.
Ministria e Dialogut ka njoftuar lidhur me këtë çështje edhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, “duke kërkuar që të bëhen verifikime zyrtare të kësaj informate.”
“Sipas të dhënave të siguruara përmes internetit thuhet se kompania “Nis petrol” është kompani aksionarësh ku 56 % të aksioneve janë nën menaxhimin e kompanisë ruse “Gazprom” dhe pjesa tjetër e Qeverisë së Serbisë”, sqaron komunikata./Insajderi.com