×
  • Lajme
  • Lajme

    Tahiri: Serbia duhet të plotësojë një kusht nëse e do Asociacionin

    Insajderi
    18 May 2016 - 21:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministrja për Dialog e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se nuk do të ketë avancim të krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, nëse nuk zbatohet marrëveshja për telekomin dhe për energjinë me Serbinë.

    “Ne kemi një bllokadë nga ana e Serbisë apo një mosrespektim të marrëveshjeve për çështjen e kodit telefonik të Kosovës  dhe për çështjen e pavarësisë së sistemit transmetues të energjisë”, ka thënë Tahiri në emisionin ‘Tonight Ilva Tare’ në Ora News.

    “Serbia po i shmanget zbatimit, i ka bllokuar, pra edhe ne e kemi kushtëzuar me mosnisjen e asnjë veprimi zbatues për Asociacionin. Kemi thënë qëndrimin që pa e marrë Kosova kodin telefonik dhe pa e marrë pavarësinë për çështjen e energjisë në pjesën e trasmisionit, ne nuk lëvizim drejt, pra Asociacioni ka disa veprime, hartimin e statutit, duhet të jetë në pajtim me kushtetutën, por desha t’ju them se kjo është situata e deritashme”, është shprehur Tahiri.

    Ajo ka thënë se nëse vonohet kodi telefonik dhe pavarësimi i KOSTT’it, do të vonohet edhe çështja e Asociacionit.

    Tahiri ka thënë se beson që Bashkimi Evropian e sheh që nuk do të kishte logjikë të vazhdohej dialogu Kosovë-Serbi, nëse nuk do të zbatoheshin çështjet e sipërpërmendura.

    E pyetur nëse ka ndonjë mundësi që Kosova ta bllokojë rrugën e integrimit evropian të Serbisë, Tahiri ka thënë se “në fakt ne integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian e shohim si zhvillim pozitiv por ne nuk mendojmë se Serbia mund të integrohet në BE pa e njohur Kosovën dhe që BE duhet t’ia pamundësojë Serbisë bllokimin eventual të integrimit të Kosovës. Nëse do të ndodhnin gabime të tilla do të komplikohej situata në Ballkan sepse ja ku e kemi Shqipërinë e cila së shpejti do të marrë datën e hapjes së bisedimeve”. /Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark