×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Takimi i Muhaxherit me Dragomir Kariq, reagon deputeti i VV’së

    Insajderi
    09 January 2024 - 18:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Gju më gju”. Kështu e ka përshkruar Nijazi Isaku, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, afërsinë e nënkryetarit të LDK-së, Gazmend Muhaxherit, me Dragomir Kariq, emrin famkeq të krimit ndërkombëtar pas takimit që këta dy zhvilluan me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.

    Nuk e di çka kanë këta nënkryetarët e LDK-së, ai në Pejë gju më gju me njërin prej vëllezërve Kariq, bashkëpunëtor i njohur i Millosheviqit, deklaroi Isaku ndër të tjera për Gazetën Blic.

    Muhaxheri i LDK-së, i cili është edhe kryetar i Pejës, njoftoi për takim në Patriarkanën e Pejës me rastin e Krishtlindjeve ortodokse. U publikua edhe një foto nga kjo vizitë. Bashkë me foton u dha edhe lajmi që Muhaxheri kishte vizituar Patriarkanën dhe se ka takuar Patriarkun Porifrije.

    Por, një detaj nuk u përmend në njoftimet zyrtare.

    Në foto figuron edhe një njeri me një histori të pazakonshme. Ishte në krahun e djathtë të Muhaxherit. Mbetet e paqartë se si dhe pse ai person gjendej në afërsi të Muhaxherit. Ishte pjesë e nikoqirëve të takimit.

    Personi misterioz ishte Dragomir Kariq që ka një histori të bujshme kriminale.

    Supozohej se ai tashmë kishte ndërprerë aktivitetet e tij në Kosovë. Emri i tij nuk është përmendur për kohë të gjatë në Kosovë. Para dhe pas luftës ishte në qendër të vëmendjes.

    Gazeta Insajderi e pyeti Muhaxherin për praninë e biznesmenit Kariq në Patriarkën e Pejës, megjithatë ai s’dha ndonjë koment.

    Kush është Dragomiri?

    Historia e tij është e mbushur me krim. Nis që prej para luftës. është vëllai i Bogoljub Kariq, udhëheqës i ndërmarrjes së para luftës “Braça Kariq”. Ky emër biznesi ka qenë i njohur në vitet e 90’ta si dhe pas luftës në Kosovë.

    Kariqët llogariten si njerëzit e besueshëm të regjimit të Millosheviqit. Kanë qenë financues të regjimit të tij. Janë pasuruar me ndihmën e atij regjimit. Kanë pasur edhe ortakëri me djalin e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit.

    Ata janë me origjinë nga Peja. Ishin muzicentë deri në kohën kur u pasuruan nga regjimi i Millosheviqit. Bogoljubi, vëllai që drejton biznesin e familjës, ishte edhe drejtues i grupit muzikor. Ishte bas kitarist deri sa u bë multimilioner me ndihmën e Millosheviqit.

    Familja Kariq ka qenë prej më të pasurave dhe më me ndikim në vitet e 90’ta në Serbi. Kjo familje ishte emërtuar me epitetin “Kuleta e Millosheviqit”. Për këtë arsye biznesi i tyre ishte vendosur atëkohë nën sanksione të rrepta ndërkombëtare.

    “Braça Kariq” nën sanksione të BE’së

    Pas rënies së regjimit të Millosheviqit fuqia e kësaj familje kishte nisur të zbehej në Serbi. Kryesori prej tyre, Bogoljubi, ishte detyruar që të arratisej në Rusi. Për një dekadë. Nga viti 2006 deri në vitin 2016, kur u rikthy në Serbi.

    Familja gjatë kësaj kohe ishte në kërkim të shtigjeve të reja biznesore. Ishte stacionuar në Bjellorusi. Edhe atje ishte përfshirë në krime të mëdha. Edhe Bogoljubi, por edhe Dragomiri të cilën e takoi dje Gazmend Muhaxheri, janë vënë nën sanksione nga Bashkimi Evropian.

    Sanksionet janë shqiptuar me qëllim dëmtimin e krahëve financiar të diktatorit bjellorus, Aleksander Llukashenko.

    Diktatori bjellorus publikisht ka treguar për lidhjet e tij me vëllezërit Kariq nga Peja.

    Të dytë i kishte pritur në zyrën e tij më 22 qershor të vitit 2015. Madje Dragomirin, të cilin e takoi Gazmend Muhaxheri, e ka nderuar edhe me një post të rëndësishëm. E ka emëruar konsull nderi të Bjellorusisë në Beograd. Dragomiri në të kaluarën ka qenë edhe deputet i parlamentit të Serbisë.

    Përpos Bashkimit Evropian që i vendosi sanksione Kariqëve për shkak të financimit të pushtetit diktatorial të Llukashenkos, për të njëjtën arsye ishte diskutuar edhe vendosja e sanksioneve nga SHBA.

    Në mars të vitit 2021 në Kongresin Amerikan, kongresisti Chris Smith, kishte kërkuar që emrat e Dragomir dhe Bogoljub Kariq të vendoseshin në listën e të sanksionuarve nga Thesari Amerikan. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark