Reshat Ramadani transferohet te Dinamo e Kievit. Talenti 19-vjeçar i Shkëndijës së Tetovës ka bërë hapin e madh të karrierës, duke firmosur për klubin e njohur ukrainas.
Mesfushori tetovar kreu pasditen e sotme vizitat mjekësore dhe më pas hodhi firmën mbi kontratën që do ta mbajë në Kiev për 5 vitet e ardhshme.
SuperSport mëson se nga ky transferim në arkat e Shkëndijës do të shkojnë rreth 250 mijë euro. Gjithashtu mësohet se Ramadani ka firmosur për 5 sezone, me një pagë që nis nga 100 mijë euro në sezon.
Në kontratë është parashikuar edhe rritja e pagës në varësi të aktivizimit. Thënë ndryshe, në vitin e fundit mesfushori mund të arrijë deri në 250 mijë euro në sezon.
Reshat Ramadani është i lindur në Tetovë dhe është rritur pikërisht me moshat e Shkëndijës, teksa tashmë është shndërruar në një titullar i formacionit të kuqezinjve.
Këtë sezon Ramadani numëron 16 ndeshje si titullar me Shkëndijën, si dhe 5 ndeshje në ndeshjet eliminatore të kompeticioneve europiane.
19-vjeçari ka luajtur me moshat e Maqedonisë së Veriut dhe së fundi është pjesë e U21-shit, teksa di të përshtatet mjaft mirë qoftë në rolin e shkatërruesit, qoftë në atë të mbrojtësit të qendrës.