Me moton “Jo në emrin tim”, nesër, duke filluar nga ora 16:00, pritet të mbahet një nga protestat më të mëdha në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së.
Një nga udhëheqësit dhe ideatorët e platformës “Liria ka emër”, Ismail Tasholli, ka dhënë detaje për protestën e nesërme, duke paralajmëruar pjesëmarrje masive.
Në emisionin “DPT te Fidani”, Tasholli tha se, sipas tij, numri i pjesëmarrësve mund të arrijë në mbi 150 mijë persona.
“Paj, unë besoj që afrohemi diku te mbi 150 mijë, sepse edhe gatishmëria është shumë e lartë, edhe emocioni është shumë më i rritur se herave të tjera, edhe qytetarët e kanë kuptuar rolin e tyre në përçimin e mesazhit që duhet të bëhet në shesh.
Mos të harrojmë se ai shesh është i ’68-tës e ’69-tës, është shesh i ’81-tës dhe ’84-tës, edhe i ’97-tës, e duhet të jetë edhe i 2026-tës.
Nuk kam asnjë dyshim që nuk ka me pasë vend ‘me lëshue gjilpanën nesër’ në Prishtinë”, u shpreh Tasholli në Klan Kosova.
Sipas tij, gatishmëria e qytetarëve për të marrë pjesë është e lartë, ndërsa protesta synon të përcjellë mesazhin e saj në sheshin e Prishtinës.