
Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve, Besim Kodra, e cila është themeluar në vitin 2013, thotë se ndonëse institucionet shëndetësore marrin shumë ankesa nga pacientët, ato shumë pak shqyrtohen.
“Që nga themelimi i shoqatës ka filluar të diskutohet e drejta e pacientit. Është një trend pozitiv, por, derisa nuk e kemi pacientin në qendër të sistemit shëndetësor,e drejta e pacientit ende mbetet shumë larg. Mungojnë shumë gjëra, si lista e barnave esenciale, siguria në shërbime shëndetësore, mos informimi i duhur, e që e prekin direkt të drejtën e pacientit”, thotë Kodra për Radio Evropa e Lirë.
Drejtori i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se, vetëm nga linja falas për ankesa që ka ky institucion, kanë pranuar 116 ankesa, derisa shton se 86 prej tyre tashmë janë shqyrtuar.
“Duke u bazuar në linjën ndihmëse, Ministria e Shëndetësisë ka pranuar 116 ankesa të ndryshme nga qytetarët. Prej tyre 86 janë adresuar , derisa të tjera që kanë qenë më të ndërlikuara në situatë , u janë drejtuar inspektoratit shëndetësor, duke siguruar adresimin në instanca më të larta”.
Sidoqoftë, edhe zyrtarë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, kanë deklaruar se pacientët nuk janë të informuar sa duhet për të drejtat e tyre. /Insajderi.com