Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin e plagosjes me armë zjarri që ka ndodhur mbrëmjen e së martës në Prishtinë.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30 në rrugën “Feriz Guri”, ku është raportuar për të shtëna me armë zjarri.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka konfirmuar për Gazetën Insajderi se një person ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor.
“Mbrëmë rreth orës 23:30, Policia ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën ‘Feriz Guri’ në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë vend është i lënduar një person, që dyshohet nga arma e zjarrit dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor. Njësitet relevante në koordinim me Prokurorin e Shtetit janë duke ndërmarrë veprime të mëtejme hetimore”, ka deklaruar Pllana për Insajderin.
Policia nuk ka bërë të ditur nëse lidhur me rastin është arrestuar ndonjë person i dyshuar, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë duke vazhduar.