Klinika e Kardiologjisë mund të mos ofrojë shërbimin për stenta që kishte nisur në vitin 2008. Kjo për shkak se ShSKUK-së i kanë dalë telashe me tender për furnizim me këto pajisje. Vite më parë kardiologjia publike u bë temë kombëtare kur dhjetëra kardiologë u akuzuan nga Prokuroria në skandalin e njohur ai ‘Stenta’. Dy prej tyre aktualisht e udhëheqin po këtë klinikë.
Gazeta Insajderi
Një pacemaker dhe dy lloje stendash. Këto janë rezervat e QKUK-së për Kardiologjinë, aty ku kryhen intervenimet e shpejta për sëmundjeje zemre.
Në mungesë të këtij materiali, që pritet të vijë me një tender që ende nuk është nënshkruar si kontratë, kosovarët që prekën nga sëmundjet e zemrës shpejt mund të përfundojnë nëpër spitalet private e të shtrenjta të vendit.
Vite më parë shumë kosovarë kishin përfunduar në spitale private me sëmundje zemre e të referuar jo-rrallë edhe nga mjekët.
Për këtë, prej vitesh shumë kardiologë po kalojnë kohë nëpër salla gjykimesh, të akuzuar në skandalin e madh të shëndetësisë, të njohur ai ‘Stenta’.
Por si është gjendja aktuale në Kardiologjinë e QKUK-së?
“Për shkak të punës së jashtëzakonshme të stafit të Kardiologjisë Invazive është bërë një konsumim i shtuar i materialit, në këtë rast edhe i stenteve. Numri i mjekëve që punojnë në sallë në 5 muajt e fundit është rritur, pastaj numri i procedurave intervente po ashtu është rritur, dhe performanca e mjekëve është zhvilluar dukshëm. Dy lloj dimensionesh të stenteve janë shpenzuar më shumë ka ndodhur sepse arteriet me këto dimensione më së shpeshti preken nga stenozat”, ka thënë U.D. i shefi i sallave të kateterizimit, Daut Gorani.
Se kur saktësisht do të furnizohen me stenta kjo klinikë, nuk ka ende një përgjigje.
Nga Klinika e Kardiologjisë i kanë thënë “Kohës” se “tenderi është në përfundim”, pa shpjeguar nëse ka ankesa të kompanive konkurrente, gjë që mund ta zvarrisë me muaj procesin.
“Tani është në përfundim procedura e tenderit për furnizim me material për sallën e kateterizimit dhe do të ketë mjaft material dhe puna do të vazhdoj me intensitet të shtuar. Aktualisht, nuk ka rrezik për bllokimin e punës në sallat e kateterizimit”, thuhet në një përgjigje të Klinikës së Kardiologjisë për “Kohën”.
Asnjë informatë se kur do të lidhet kontrata dhe sa është e rrezikuar QKUK-ja që t’i ndërpresë stentimet për shkak të mungesës së materialit nuk kanë dhënë as në Barnatoren Qendrore.
“Të gjitha proceduarat tenderuese për materialin në fjalë janë në vlerësim”, thuhet në përgjigjen e Barnatores Qendrore.
Kjo njësi ka shpjeguar procedurën se si pranohet materiali, por nuk kanë treguar se kur bëhet furnizimi.
QKUK-ja në stok ka vetëm një pacemaker. Kjo është një pajisje që vendoset në zemër për rregullimin e rrahjeve të zemrës. Në mungesë të tyre pacientëve po ju vendosën pacemaker të përkohshëm.
“Nuk kemi listë pritje për pacemaker; të gjithë pacientët që dikur kanë qenë në listë kanë impantuar tashmë Pacemaker. Ka vetëm 6 pacientë në pritje të cilët ose janë regjistruar brenda muajit te fundit, me çrregullime kronike përçimi dhe krejtësisht stabil, ose te tillë që kanë refuzuar për momentin ose nuk kanë qenë të përgatitur ende për një intervenim të tillë”, ka thënë për ‘Kohën’ kardiologu Edmond Haliti, që është edhe shef i Shërbimit të Elektrofiziologjisë.
Kardiologjinë e drejtojnë dy njerëz me aktakuzë
Sistemi publik shëndetësor, me theks të vecant shërbimet për sëmundjeje zemre kishte përfunduar në situatën ku shumë pacientë po përfundonin nëpër spitale private e të shtrenjta.
Më vonë Prokuroria do të niste hetimet për të përfunduar në një aktazu që ka vite qe gjykohet nëpër shumë seanca e jo pak prej tyre të dëahtuara. mjekët akuzohen kryesisht për keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje ryshfeti”.
Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në SHSKUK, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 personave edhe pse të njëjtit i kishin kryer trajtimet mjekësore.
Me akuzat e prokurorisë në rastin “Stenta 2”, janë duke u përballur 40 të akuzuar, përkatësisht, Gani Bajraktari, Nexhmi Zeqiri, Daut Gorani, Elfedin Muhaxheri, Reshat Emra, Hamza Selmani, Ismajl Avdimetaj, Sali Shala, Nehat Rexhepaj, Agron Besimi, Petrit Ademaj, Bajram Mziu, Agron Leka, Driton Miftari, Besim Guda, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Luan Pazhari, Galina Berisha, Bajram Preteni, Lulzim Kamberi, Faik Shatri, Ejup Pllana, Florim Sadiku, Halim Halili, Agim Krasniqi, Hajdin Çitaku, Edmond Haliti, Besnik Koliqi, Afrim Poniku, Banush Gashi, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Kelmend Pallaska dhe Arlind Batalli.
Dy prej tyre aktualisht e udhëheqin me klinilën e Kardioligjisë, ku stoku i stendave e i pajisjeve tjera të nevojshme po shterohet. Janë Lulzim Kamberi si drejtor dhe shefi i sallave të kateterizimit, Daut Gorani.
Aktakuza i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2” se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjike në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marrë ryshfet.
Sipas aktakuzës, për çdo pacient që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet.
Këto veprimet të tyre, sipas PSRK-së, të akuzuarit i kishin kryer në bashkëpunim me të akuzuarit që tashmë janë të përfshirë në rastin “Stenta 3”, ku janë kryesisht pronarë e mjekë të spitaleve private./Gazeta Insajderi/