×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Telekomi i Burbuqe Hanës vazhdon avazin e vjetër, e shpërblen me tender një-burimor afro 200 mijë euro kompaninë e huaj

    Insajderi
    10 June 2024 - 15:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kontratat një-burimore kanë ngritur dyshime për keqpërdorime përgjatë Qeverisë Kurti. Madje, ka pasur raportime edhe se Prokuroria Speciale po i heton ato. I tillë është edhe një tender që ia ka dhënë Telekomi i Kosovës nën menaxhmentin e Burbuqe Hanës ‘IntegraTouch’, kompanisë amerikane me bazë në Nju Jork. Ky tender ka vlerën e 180 mijë eurove, ndërsa puna që pritet të kryhet nga ana e tyre është “Upgrade i sistemit të billingut postpaid”.

    Kryeshefja ekzekutive e ndërmarrjes publike, Burbuqe Hana, duket se nuk po i frikësohet kontratave një-burimore që çuan në burg Nagip Krasniqin e KEK’ut. Një të tillë Telekomi e ka arritur me kompaninë ‘IntegraTouch’ më 7 qershor të këtij viti, shkruan Gazeta Insajderi.

    Në bazë të njoftimit për dhënie të kontratës, në përshkrimin e shkurtër të lëndës thuhet se kompania pritet të bëjë “Plotësimin e platformës Symphony me specifikat funksionale per integrimin e NE-Ericsson“.

    Vlera e kësaj kontrate është përplot 180 mijë euro.

    Kompania fituese, në bazë të të dhënave zyrtare, është me bazë në Nju Jork të SHBA’së.

    Në korrik të vitit që shkoi, Telekomi e shpërbleu të njëjtën kompani amerikane me negocim pa tender publik për të kryer punën nga distanca për projektin “Mirëmbajtja e Platformes se Billingut POSTPAID-SYMPHONY“. Kontrata kishte vlerë 100 mijë euro pa TVSH.

    Kompania në fjalë nuk ka të regjistruar zyrë apo përfaqësi në Kosovë. Ligji për Shoqëritë Tregtare parasheh që çdo kompani, pa marrë parasysh kapitalin, duhet të regjistrohet fillimisht në Kosovë para se t’i nënshtrohet procedurave tenderuese.

    Kompania amerikane përfitoi tender të negociuar me Telekomin e Kosovës në vlerë prej 160 mijë eurosh për të njëjtin shërbim edhe më 2021’ën.

    Njësoj Telekomi i Kosovës vepronte edhe më 2022’ën, duke e përzgjedhur në formë të negociuar sërish ‘IntegraTouch’ në një kontratë në vlerë prej 100 mijë eurosh. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark