×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Telekomi ia “sheh sherrin” Burbuqe Hanës, dënohet 10 mijë euro nga Inspektorati i Punës- DOKUMENT

    Insajderi
    24 August 2023 - 15:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dy konkurset në të cilat e vendosi veten kryetare të komisionit kryeshefja ekzekutive e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, si dhe e anuloi testin me shkrim, për t’i emëruar kandidatët e pa-kualifikuar dhe që kanë afërsi me të, i kushtuan 10 mijë euro ndërmarrjes publike. Inspektorati i Punës e ka dënuar në dy vendime me ka pesë mijë euro për këto veprime, pasi pavarësisht rekomandimeve të marra në qershor për rikthimin e konkursit në pikën zero, Telekomi i uzurpuar nga VV-ja nuk kishte ndërmarrë veprime.

    Gazeta Insajderi iu sjell detajet në vazhdim…

    Pas kërkesës së parashtruar nga mediumi në drejtim të Inspektoratit të Punës, këta të fundit kanë dërguar vendimin për aprovimin e ankesave të dy kandidatëve për dy pozita të ndryshme në Telekom – atë të Kreshnik Domit dhe Blerim Balës.

    Në vendimin që e ka parë Gazeta Insajderi, në të dyja rastet kryeshefja ekzekutive ka vepruar në kundërshtim me nenin 7,8 dhe 10 të Ligjit të Punës për favorizimin e kandidatëve, duke e emëruar veten në komisionin përzgjedhës në rastin e Domit dhe Balës, si dhe duke e anuluar testin me shkrim në të dyja konkurset.

    “Kryeshefja është e autorizuar të themelojë komisionet, mirëpo në nenin 7 të U.A. 07/2017, e formon apo themelon komisionin, por kjo dispozitë nuk i jep të drejtën të emëroj vetën në komision. Kryeshefja znj. B.H duke emëruar vetën në këtë komision ka vepruar në kundërshtim të U.A. nenit 7, lidhur me nenin 8 të Ligjit të Punës 03/L-212”, thuhet në dy vendimet e Inspektoratit të Punës.

    Dënimi ka ardhur dy muaj pasi që nuk janë zbatuar rekomandimet e inspektoratit, të cilat u përcollën përpara dy muajsh dhe u anashkaluan nga ndërmarrja publike.

    Telekomi, siç ceket në vendim, shkeli Ligjin e Punës. Pra, u gjet përgjetjës për cënimin e të drejtave të punës përgjatë procesit të ristrukturimit.

    Blerim Bala dhe Kreshnik Domi ishin kandidatët e vetëm që kishin plotësuar kushtet për kryeshef ekzekutiv të Telekomit. Madje, Domi ishte më i vlerësuari nga ambasada e Britanisë së Madhe. Përkundër kësaj, Qeveria e Kosovës, në krye me kryeministrin Albin Kurti, vendosi që ta emërojë në krye të ndërmarrjes aktivisten e VV-së, Burbuqe Hanën.

    Gazeta Insajderi raportoi ditë më parë për avancimin e vëllait të kryeshefes, Burim Hanës, në pozitë menaxheriale. Siç raportoi mediumi me burime, ai u vlerësua si i preferuari i komisionit përzgjedhës në pozitën e menaxherit në Departamentin “Analiza, Strategjia e Marketingut dhe Planifikimit”, duke lënë jashtë dy kandidatë të tjerë për të njëjtën pozitë.

    Lidhur me kandidatin në fjalë dhe mundësinë e ndikimit të motrës së tij – Telekomi pati deklaruar për mediumin se një i punësuar nuk duhet të ketë privilegj, por as të pamundësohet të konkurrojë.

    “Lidhur me pyetjen konkrete për privilegjin/përfitimin e mundshëm të z. Burim Hana, nga fakti se motra e të njëjtit aktualisht është Kryeshefe Ekzekutive e TK, konsiderojmë se një i punësuar nuk duhet të ketë privilegj, por as të pamundësohet të konkurrojë apo zgjidhet në ndonjë përgjegjësi vetëm për faktin se ka familjarë në pozitë drejtuese në kompani”, u tha në përgjigjen e tyre.

    Gazeta Insajderi ka raportuar edhe për avancimin e Violeta Namanit, mikeshë e Burim Hanës, në pozitën e Menaxherit të Departamentit për Shitje dhe Kujdes me Konsumator Individual. Ajo ka avancuar në këtë pozitë nga Departamenti Teknik dhe nuk ka qenë pjesë e shitjeve që 13 vite.

    Insajderi kishte arritur ta konfirmojë afërsinë e Namanit me Burim Hanën, vëllain e kryeshefes ekzekutive, nëpërmjet një fotografie të përbashkët.

    Insajderi raportoi edhe për avancimin e miqve të Hanës nëpër pozita menaxheriale. Ekrem Cervadiku u shpërblye me pozitën e menaxherit kryesor të Departamentit të Burimeve Njerëzore, përkundër mungesës së përvojës së punës. Cervadiku nuk kishte pasur më herët përvojë menaxheriale dhe s’ka pasur shkollim adekuat për të. I njëjti ka diplomuar në Menaxhment dhe Informatikë, që s’ndërlidhet fare me burimet njerëzore.

    Njësoj ka ndodhur edhe me Pranvera Shalën, e cila është avancuar në pozitën e menaxheres në Departamentin e Marketingut, pa përvojë menaxheriale. Insajderi kishte mësuar se e njëjta nuk ka pasur përvojë menaxheriale më herët dhe është e diplomuar në Art figurativ.

    Insajderi kishte arritur të konfirmojë afërsinë e Shalës me kryeshefen Hana nëpërmjet fotografive:

    Përkundër mos-kualifikimit për pozitën, vitin e kaluar në fushën ku ishte zyrtar Cervadiku ishin ndërmarrë edhe veprime kundër-ligjore. Në Telekom ishte instaluar pajisja e regjistrimit të punonjësve me të dhëna biometrike.

    Për këtë, vitin e kaluar ia kishte tërhequr vërejtjen Agjencia për Informim dhe Privatësi, duke kërkuar që të hiqen menjëherë dhe të shkatërrohen të dhënat e marra të punëtorëve.

    Përkundër që britanikët e kishin kundërshtuar përzgjedhjen e Hanës në Telekomin e Kosovës, Bordi i Drejtorëve të kësaj ndërmarrje publike kishte vendosur me vendim unanim që ta vë në pozitën e kryeshefes.

    Kompania britanike e përzgjedhur si trupë profesionale për të bërë poentimin e kandidatëve e ka vlerësuar me më së shumti pikë një ish-anëtar të Partisë Demokratike të Kosovës. Kreshnik Domin. Ai para pesë viteve kishte qenë kandidat për asamblenë komunale të Prishtinës nga radhët e PDK’së.

    Më 24 prill 2020, Burbuqe Hana u emërua Ushtruese e Detyrës së Kryeshefës së Telekomit.

    Hana në këtë pozitë e zëvendësoi Bedri Istrefin, që u shkarkua nga kjo pozitë nga Bordi i emëruar nga kryeministri atëkohë në detyrë, Albin Kurti.

    Më 2016-ën, Burbuqe Hana kishte qenë pjesë e protestave të Vetëvendosjes në sheshet kryesore të Prishtinës. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark