
Menaxhmenti i Telekomit të Kosovës ka vendosur që të zbatojë një marrëveshje të 2019-ës për kontratën kolektive, që përfshinte pagesa të garantuara, si shujtat, pagat jubilare dhe shtesa për 0,5 për qind. Për këtë marrëveshje u ngritën përreth 800 padi në gjykata nga punonjësit, duke e bërë të pamundur zbatimin e saj.
Se ka pasur padi, kjo dëshmohet përmes një dokumenti. Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë një formular të konfirmimit për pagesën me këste të përfitimeve financiare që burojnë nga kontrata kolektive. Në një nga pikat, menaxhmenti obligon punonjësit që të tërhiqen nga paditë lidhur me këtë kontratë.
“Me nënshkrimin e këtij formulari, heq dorë në mënyrë të pakthyeshme, përfundimtare dhe të plotë nga çdo pretendim, kërkesë, padi, ose veprim ligjor lidhur me përfitimet financiare të përcaktuara nga Marrëveshja Kolektive Nr. 01-3207/2019, datë 31.05.2019, si dhe nga çdo pretendim ose padi gjyqësore aktive e mëparshme që kam ushtruar lidhur me këtë çështje në cilëndo gjykatë“, thuhet në atë formular.
Një gjë të tillë e konfirmon edhe Telekomi.
“Marrëveshja është konceptuar në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe u ofrohet të gjithë punonjësve aktivë të Telekomit të Kosovës, pa dallim nëse kanë apo jo padi të ngritura. Të gjithë punonjësit që përmbushin kriteret dhe ndjekin hapat procedurale (si plotësimi i formularit, dhe në rastet e nevojshme, tërheqja e padive nëse kanë paraqitur), kanë të drejtë të përfitojnë në mënyrë të barabartë“, thotë Fadil Lepaja nga Zyra për Informim për Insajderin.
Menaxhmenti aktual i cili erdhi në krye të Telekomit gjate vitit 2021, llogaritjet e përvojës se punës, shujtave dhe pagës jubilare i bëri duke llogaritur në pagën e muajit maj të vitit 2022, e jo kur kontrata ishte te fuqi nga 1 qershori i 2019-ës. Krejt kjo, duke iu përshtatur pagave të tyre qe i kishin në vitin 2022 kur ushtronin pozitat e Burbuqe Hana, Feim Kelmendi, Halil Krasniqi, Leonora Sylaj, të cilët tashmë janë pjesë e menaxhmentit.
Gazeta Insajderi ka pyetur Telekomin nëse përbën konflikt interesi përfshirja e menaxhmentit aktual në zbatimin e kësaj marrëveshje. Nga ndërmarrja publike kanë thënë se përfitimi është strukturuar në mënyrë të njëjtë për të gjithë.
“Pasi Kontrata Kolektive është një Marrëveshje që rregullon të drejtat dhe detyrimet e të gjithë punonjësve të Telekomit, pa përjashtim, edhe oferta është adresuar për të gjithë punonjësit aktivë të ndërmarrjes me status të prerë më 30.05.2022, përfshirë edhe anëtarët e menaxhmentit nëse të njëjtit kanë qenë punonjës dhe përmbushin kriteret përkatëse të përcaktuara për këtë qëllim. Duke synuar interesin e përgjithshëm të punonjësve dhe ruajtjen e stabilitetit financiar të Telekomit, oferta është hartuar nga menaxhmenti, dakorduar me Sindikatën e Punëtorëve (FSP-PTK) dhe është miratuar nga Bordi i Drejtorëve. Çdo përfitim është i strukturuar në mënyrë të njëjtë për të gjithë, duke respektuar standardet profesionale dhe pa krijuar konflikt interesi“, ka deklaruar Fadil Lepaja nga Zyra për Informim e Telekomit.
Të pyetur nga Insajderi se pse po zbatohet një marrëveshje e para gjashtë vitesh që është kundërshtuar nëpër gjykata, Lepaja ka përmendur një realitet të ri juridik dhe financiar në ndërmarrje publike.
Ndonëse në krizë financiare për shkak të llogarive të bllokuara nga përmbaruesi, Telekomit të Kosovës do t’i kushtojë 3,5 milionë euro zbatimi i kësaj marrëveshjeje kolektive, të paraparë që të përmbyllej më 2022-ën.
Gazeta Insajderi në maj të këtij viti kishte raportuar për një vendim të Gjykatës Supreme, ku dëshmohej se kryeshefja ekzekutive e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, edhe pse e kishte të rregulluar me marrëveshje kolektive të brendshme, nuk i paguante barabartë punonjësit për paga jubilare, përvojë pune e shujta ditore. Ajo i paguante njëjtë punonjësit; si ata që janë punësuar para 20 viteve edhe ata para 5 vite.
Vendimi i Supremes citon interpretimin e Apelit, ku thotë se “i punësuari, ka të drejtë në shpërblimin jubilar dhe atë: për 10 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të një page mujore të tij. E njëjta parashihet edhe në nenin 44 të Marrëveshja Kolektive e Punës në Telekomin e Kosovës nr. 01-3207/19 e dt. 31.05.2019, ku thuhet se punonjësve u takon kompensimi i shtesave për përvojë pune 0.5% të pagës bazë për çdo vit të plotë të përvojës së punës”.
Shkalla e tretë bëri të ditur edhe se objekt i shqyrtimit ishin edhe pretendimet e Telekomit se është duke operuar me humbje dhe vështirësi financiare, por që gjeti se pretendimet e tilla nuk janë shkaqe të arsyeshme, duke i refuzuar si të pabazuara. /Insajderi.org/