Krasitja është një ndër procedurat më të rëndësishme që duhet të kryhet në pemëtari. Krasitja nënkupton tërësinë e operacioneve të prerjeve dhe rrallimeve të pjesëve të veçanta të pemëve frutore.
Krasitja mbanë procese të rëndësishme siç është formimi i kurorës, e cila siguron më shumë ndriçim dhe ajrim të pemëve. Përmes krasitjes, pemët futen në prodhim më herët dhe sigurojmë prodhim të mjaftueshëm dhe më cilësor. Po ashtu me anë të krasitjes, rritet jetëgjatësia e pemëve, duke mundësuar prodhim të përvitshëm etj.
Ekzistojnë lloje të ndryshme të krasitjeve. Ato dallohen nga vetë operacionet, duke filluar nga koha e kryerjes së krasitjes, mosha e pemës, shkalla e prerjeve etj.
IPKO- Stacionet agrare kanë gjeneruar të dhëna të cilat janë në interes të fermerëve, pasi që lidhen ngushtë me aktivitetet e hershme bujqësore. Temperaturat nga dita e nesërme e deri të hënën do të jene më të larta në regjionin e Junikut, ku temperatura minimale do te sillet nga 1˚C dhe maksimalja 11˚C. Në atë të Istogut, temperaturat do te jenë pothuajse njëjtë, nga 0˚C deri në 11˚C. Bazuar në këto të dhëna, ngritja e temperaturave favorizon fillimin e krasitjeve tek kulturat pemëtare.
Për të pranuar këto informata, fermerët duhet të regjistrohen në bazën e të dhënave të IPKO-s, ndërsa përmes SMS-ve, do të njoftohen rreth parashikimit agrologjik, parashikimit dhe sinjalizimit për sëmundjet dhe faktorët që mund të sulmojnë kulturat pemëtare dhe perimtare.
IPKO Telecommunications mban edhe takime të shpeshta me fermerë. Takimi i radhës mbahet me datën 12 Shkurt 2019 (e Martë) nga ora 10:00 – 14:00 në Drejtoratin e Bujqësisë “Kuvendi Komunal – Pejë”. IPKO ka instaluar disa stacione agrare në Kosovë, në kuadër të projektit “IPKO-Parashikimi Agrologjik”. Këto stacione gjenerojnë informata të sakta agrologjike për kulturat pemëtare dhe perimtare, po ashtu edhe për Bletari dhe Blegtori, informata të cilat më pas u pasohen të gjithë fermerëve të Kosovës. Ata fermerë, të cilët nuk posedojnë numër të IPKO-s, do të pajisen edhe me nga një numër të telefonisë mobile të IPKO-së (Pa pagesë). Ndërkohë gjatë takimit të së Martës, fermerët do të informohen nga agronomët e IPKO-së rreth gjenerimit të të dhënave nga këto stacione agrare. IPKO synon që deri në fund të projektit, të instalojë deri në 100 stacione agrare, në shtatë rajone të Kosovës, duke mbuluar të gjithë territorin e vendit.