×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Tenderi 2.5 milionësh për Operën përfundon në OSHP, nën dyshimet për favorizim të kompanisë fituese

    Insajderi
    25 October 2023 - 11:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Pretendime serioze janë deponuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP) nën dyshimet për favorizim të kompanisë fituese në tenderin 2.5 milionësh për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës më 28 shtator 2023.

    Më 11 gusht të vitit 2022, kompania gjermane “Gerber Architekten” me numër të dosjes 6842, është shpallur fituese nga Ministria e Kulturës, edhe pse e njëjta kishte shkelur rregullat kryesore të tenderit, duke e zbuluar emrin e kompanisë në ofertë dhe dorëzimin e ofertës pa zarf të mbyllur.

    Ligji i Prokurimit Publik kërkon që në rastet kur ofertohet me projekte ideore, kompanitë të ofertojnë vetëm me kode për të shmangur ndikimet tek Komisioni Vlerësues. Më saktësisht, neni 80 i Ligjit për Prokurimin Publik –LPP, përcakton qartë se zbulimi i identitetit të pjesëmarrësve në garë për jurinë, është shkelje ligjore.

    Pika 2 e këtij neni specifikon se: “Juria do të vendosë mbi konkursin vetëm në bazë të kritereve të përshkruara në njoftimin për konkursin e projektimit. Identiteti i pjesëmarrësve nuk do të zbulohet para anëtarëve të jurisë”.

    Mirëpo, në dokumentet që ka parë Buletini Ekonomik, shihet se kjo kompani ka vendosur logon e saj në secilën faqe të projektit ideor.

    Ky fakt ka ngritur dyshime tek kompanitë e tjera në garë, të cilat pretendojnë se është favorizuar kompania fituese nga Komisioni Vlerësues. Kompanitë ankuese janë: -“Consortium MVRDV” në partneritet me “O.U.D.-ARCHITECTS” SH.P.K., dhe Grupi i Operatorëve Ekonomik në përbërje prej “Green Door” SH.P.K., “Chapman Taylor LLP” dhe “Progetto CMR SRL”.

    Ndërkaq, shkelja tjetër që ka shtuar dyshimet tek kompanitë ankuese për favorizim të kompanisë fituese, ka të bëjë me faktin se kompania gjermane nuk e kishte bërë as dorëzimin e ofertës në zarf të mbyllur, siç kërkohet me ligj.

    Sipas Rregullores 01/2022 për Prokurimin Publik, më konkretisht nenit 55.14 dhe 55.16 të kësaj rregulloreje, kompanitë kërkohet të dorëzojnë projektet në zarfe të veçanta dhe të mbyllura në një tjetër zarf të jashtëm me kodet përkatëse, kriter ky që ishte shkelur nga kompania fituese gjatë aplikimit.

    “Pjesëmarrësi do ta mbyllë projektin origjinal dhe secilën kopje në zarfe të veçanta dhe në faqen e përparme të secilit zarf do të: a) Shënojë qartë si “Origjinali – Projekti Ideor ose “Kopje – Projekti Ideor”; b) Shënojë numrin e prokurimit sikurse ceket në dosjen e konkursit të projektimit; dhe c) Një numër anonim prej katër shifrave sipas përzgjedhjes së pjesëmarrësit. Zarfet pastaj do të mbyllen në një zarf të jashtëm, të shënuar qartë “Projekti Ideor” dhe që mban vetëm numrin e prokurimit dhe një numër anonim katër-shifror sipas përzgjedhjes së pjesëmarrësit”, thuhet në nenin 55.14 të kësaj rregulloreje.

    Ndërsa, në nenin 55.16, theksohet se të dyja zarfet, që përmbajnë “Projektimin Ideor” dhe zarfi tjetër me “Dokumentacionin e Kandidatit”, duhet të mbyllen edhe në një zarf tjetër të jashtëm me të dhënat konkrete dhe të dërgohen për aplikim.

    Kompania fituese, sipas dy operatorëve të tjerë në garë, nuk i ka respektuar as këto dy pika të rregullores më lartë. Ato janë ankuar se të gjitha dokumentet aplikuese të dorëzuara nga fituesi i projektit kanë qenë të hapura dhe pa zarfe, dhe se logoja e kompanisë fituese në projektin e prezantuar para jurisë ka qenë e mbuluar vetëm me një copë letre ngjitëse ku ka qenë i shkruar edhe kodi.

    “Në këtë produkt, shihet qartë llogoja e kompanisë me kodin 6842 dhe shihet se kjo kompani është “GERBER ARCHITEKTEN”, gjë që në këtë rast juria e ka pasur të ditur faktin se për cilën kompani po bëhet fjalë. Në këtë rast, është dashur që oferta e tij automatikisht të diskualifikohet nga vlerësimi i mëtutjeshëm, e jo të shpërblehet me çmimin e parë”, ka shkruar operatori në fjalë në ankesë.

    Tenderi për projektin ideor për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës tashmë ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) më 23 shtator të këtij viti, pothuajse një vit pas shpalljes së tij.

    Në këtë tender fillimisht kishin aplikuar gjithsej pesë kompani, ndërsa në fazën e dytë të vlerësimit, kishin kaluar vetëm tri prej tyre, një e huaj dhe dy kompani vendore në partneritet me kompani të huaja.

    Emrat e pesë kompanive në garë:
    1.”Gerber Architekten International GmbH”, kompani e huaj me seli në Dortmund të Gjermanisë, e cila njëkohësisht ishte shpallur fituese e tenderit.
    2.“Consortium MVRDV”; “O.U.D.-ARCHITECTS” SH.P.K., grup operatorësh që përbëhet nga dy kompani, njëra nga Kosova dhe tjetra nga Holanda.
    3. Grupi i Operatorëve Ekonomik në përbërje prej tri kompanive, njëra nga Kosova – “Green Door” SH.P.K.; tjetra ndërkombëtare – “Chapman Taylor LLP”; dhe kompania “Progetto CMR SRL”, me seli në Milano të Italisë.
    4. ”BIG Partners Ltd”, me seli në Londër.
    5. “Snohetta Oslo AS”, me seli në Oslo të Norvegjisë.

    Pas dhjetë muajsh nga hapja e tenderit në fjalë (tetor 2022), më saktësisht më 11 gusht të këtij viti, Ministria e Kulturës kishte publikuar vendimin në të cilin ishin të pasqyruara edhe rezultatet finale të Komisionit Vlerësues për këtë projekt. Sipas këtyre rezultateve, në vendin e parë me më së shumti pikë është renditur kompania “Gerber Architekten” me kod 6842.

    Rezulatet e Komisionit Vlerësues për këtë projekt:

    Nr.Kodi i operatorit ekonomikPikët
    1.684271
    2.070354.2
    3.200851.4

    Ministria i kishte pranuar ofertat me emrat e kompanive dhe Komisioni Vlerësues përkundër  pikës legjislative ku kërkohet që ofertat të dorëzohen me kode, pa u shpalosur emri i kompanisë, e kishte shpallur njërën prej tyre fituese, përkatësisht operatorin me kod 6842.

    Ministria e Kulturës në përgjigjen e saj për këto aludime, ka thënë se disa prej pikave qëndrojnë, ndërsa për disa të tjera janë përgjigjur se kanë qenë pjesërisht të bazuara.

    “Autoriteti Kontraktues ka ardhur në konstatim se këto gjetje mund të kualifikohen si devijime jo-substanciale, të cilat nuk bien në kundërshtim me nenin 59, pika 4 të LPP në fuqi”, thuhet ndër të tjera në sqarimin e Ministrisë së Kulturës.

    Më pas, për shkak të këtyre pikave ankimore, Ministria e Kulturës kishte vendosur që të anulojë vendimin dhe procesin ta rikthejë edhe njëherë në rivlerësim ku pastaj përsëri mori vendimin e njëjtë.

    Buletini Ekonomik ka kërkuar Qasje në Dokumente Publike pranë Ministrisë së Kulturës lidhur me këtë tender, por ata kanë refuzuar qasjen në të dhëna me përgjigjen se “rasti tashmë ka shkuar në OSHP” dhe se “Zyra e Prokurimit, si njësi përkatëse, nuk mund ti ofrojë dokumentet e kërkuara të cilat nuk kanë një epilog lidhur me një procedurë një subjekti i cili nuk është pjesë e procedurës.

    Buletini Ekonomik ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga kompania fituese “Gerber Architekten”, lidhur me pretendimet e të dy operatorëve të tjerë me të cilët ajo ka qenë në garë për këtë projekt, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, nuk ka marrë përgjigje.

    Ndryshe, Kuvendi i Kosovës më 2 gusht të vitit të kaluar me një shumicë votash prej 75 deputetëve, pati votuar pro “Propozim-vendimit të Qeverisë së Kosovës për themelimin e institucionit të Operës së Kosovës si institucion i shërbimit publik”.

    Këtij votimi i kishte paraprirë fillimisht vendimi i Kuvendit Komunal të Prishtinës për ndarjen e hapësirës prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, si lokacioni më i përshtatshëm për Teatrin e Operës dhe të Baletit, me ç’rast shumica e këshilltarëve në këtë kuvend kishin votuar pro.

    Tenderi i shpallur në tetor të vitit të kaluar është përpjekja e katërt e Ministrisë së Kulturës për ndërtimin e këtij institucioni kulturor. Procesi i parë për këtë qëllim ishte zhvilluar në dhjetor të vitit 2009, kur ishin hedhur edhe gurët e parë në themele në një parcelë afër Fakultetit Teknik. Mirëpo, pas më shumë se dy vitesh, projekti ishte shpallur i pavlefshëm (korrik 2012) nga Ministria e Kulturës.

    Ndërkaq, tentativa e dytë dhe e tretë ishin zhvilluar në vitin 2019, kur Ministria e Kulturës prapë kishte vendosur të shpallte një proces të ngjashëm. Në qershor 2019 ishte hapur konkursi i parë për atë vit, i cili do të anulohej menjëherë pas një muaji, me arsyetimin se kompanitë ofertuese kanë hasur në probleme lidhur me aplikimin. Por, disa ditë pas kësaj, prapë ishte hapur i njëjti konkurs, ishin pranuar disa aplikime nga disa kompani, mirëpo procesi kishte ngecur sërish./BuletiniEkonomik

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark