×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Tenderi afro 1 milion euro i Komunës së Përparim Ramës, ngritën dyshime se po kurdisen kriteret

    Insajderi
    03 April 2024 - 16:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Komuna e Prishtinës ka shpallur një tender për fazën e dytë të rrugës “Nekibe Kelmendi”. Planifikon që të shpenzoi afro 1 milion euro. Por, që në fillim janë ngritur dyshime për kritere diskriminuese.

    Gazeta Insajderi

    Në mars të këtij viti, Komuna e Prishtinës që drejtohet nga Përparim Rama i LDK-së, ka shpallur një tender për fazën e dytë të rrugës “Nekibe Kelmendi”. Por ende pa shkuar tuje me ofertat e para-kualifikimet, janë ngritur dyshime për kurdisje të kritereve. Apo, me saktë për kritere që diskriminojnë kompani, e favorizojnë një kompani të caktuar.

    Këto dyshime publikisht i ka ngritur Rrjeti i OJQ-ve AVONET.

    “Komuna e Prishtinës vendos kritere diskriminuese në Aktivitetin e Prokurimit të Projektit për Ndërtimin e Rrugës Nekibe Kelmendi, Faza III Komuna e Prishtinës kurdis këtë aktivitet prokurimi për një operator të caktuar ekonomik Rrjeti i Organizatave Jo-Qeveritare AVONET shpreh shqetësimin e thellë lidhur me vendosjen e kritereve diskriminuese në aktivitetin e prokurimit të projektit për ndërtimin e rrugës Nekibe Kelmendi, Faza III (referuar si Prokurimi 616-24-1921-5-1-1). Këto kritere diskriminuese po shkelin në mënyrë flagrante Ligjin për Prokurimin Publik dhe dispozitat e Ligjit Nr. 05/L -021 Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, thuhet në reagimin e tyre.

    Sipas tyre, në këtë kohë është e papranueshme që prokurimi publik të vazhdojë të jetë subjekt i diskriminimit.

    “Në këtë kohë kur po përpiqemi të promovojmë integritetin, barazinë dhe përgjegjshmërinë në të gjitha sferat e veprimtarisë publike, është e papranueshme që prokurimi publik të vazhdojë të jetë subjekt i diskriminimit në çdo formë. Krijimi i një procesi të drejtë dhe transparent për prokurimin e kontratave publike është thelbësor për ruajtjen e besueshmërisë në institucionet tona dhe për sigurimin e qëllimeve të përbashkëta të zhvillimit”.

    AVONET, përmend kriteri ku dyshohet të jetë shprehur diskriminimi, ceket një “traktor special”.

    Si kriter diskriminues, i shprehur në dosjen e tenderit në fjalë është kërkesa për një traktor special me kreh min 8m për prerjen e drunjve në brez rrugor, ku i njëjti është i pa bazë për shkak se në para masën e projektit nuk ekziston ndonjë pozicion për prerjen e drunjve, në kuadër të aktivitetit të prokurimit publik në fjalë”, deklarojnë nga AVONET.

    Gjithashtu, përmendet edhe kërkesa për posedimin e gjysmërimorkios (90 ton) për bartjen e mjeteve është kriter i panevojshëm, për shkak se e njëjta nuk kërkohet asnjëherë me këtë lloj tonelate për bartje.

    Si rrjedhojë, si Organizatave Jo-Qeveritare AVONET, kërkon nga Autoriteti Kontraktues (Komuna e Prishtinës) të rivlerësojnë menjëherë kriteret e përdorura në prokurimin e projektit për ndërtimin e rrugës Nekibe Kelmendi, Faza III, dhe të korrigjojnë çdo element diskriminues nga procesi i prokurimit.

    Pasi që kriteret ekzistuese sipas tyre janë vendosur për të favorizuar një operator të caktuar ekonomik.

    Ata po ashtu, u bëjnë thirrje autoriteteve kompetente të ndërmarrin masa konkrete për të siguruar se të gjitha procedurat e prokurimit janë në përputhje me standardet ligjore dhe parimet e barazisë dhe drejtësisë.

    “AVONET konsideron se në rastin në fjalë ka shkelje të dispozitave materiale penale, konkretisht ka shkeleje që ndërlidhen me nenin 414 (Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar) dhe nenin 415 (Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Andaj, ftojmë Autoritetin kontraktues të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm me qëllim evitimin e shkeljeve dhe keqpërdorimeve në rastin në fjalë. Rrjeti i Organizatave Jo-Qeveritare AVONET është i përkushtuar për të promovuar drejtësinë dhe transparencën në institucionet tona publike dhe do të vazhdojë të monitorojë dhe të raportojë rastet e mundshme të diskriminimit dhe shkeljeve tjera në prokurimin publik”.

    /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark