Duhej të ishte një turne miqësor veror ai mes Salernitanës, Regginës dhe turqve të Adana Demirspor, por nuk rezultoi aspak i tillë, pasi gjithçka degjeneroi në tension dhe në fund u desh edhe ndërhyrja e policisë së rajonit të Kampanjës në Itali.
Teksa po luhej sfida Salernitana-Adana, në minutën e 17’ mbrojtësi i turqve Akaydin bëri një faull të rëndë ndaj Boultman dhe shkaktoi të gjithë tensionin në fushë.
Ndonëse arbitri ndëshkoi turkun me karton të kuq, kjo nuk mjaftoi për lojtarët e Salernitanës, teksa mbrojtësi Fazio ishte ai që reagoi më keq, duke u bërë i dyti i ndëshkuar me të kuq.
Por tensioni mes futbollistëve dhe stafeve të të dy ekipeve vijoi gjatë dhe u ndëshkuan me karton të kuq edhe dy lojtarë të tjerë, nga një për secilën skuadër, duke bërë që si Salernitana, ashtu edhe Adana të mbeteshin me nga 9 vetë.
Për të shtuar edhe më shumë tensionin menduan tifozët e Salernitanës, që filluan të shajnë turqit, ndërsa sfida u mbyll edhe me ndërhyrjen e agjentëve të policisë, që ishin vendosur në anë të fushës.