Anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurti bashkë me bashkëpartiakun e tij Alim Rama, nuk e kanë lëshuar sallën e mbledhjeve të KQZ-së, ashtu siç kanë bërë kolegët e tyre nga partitë e tjera të cilët kanë shkuar në pushim për 2 orë, shkruan Insajderi.
Krejt kjo erdhi pasi që, anëtarët e VV-së, kërkonin që të votohet në atë moment rekomandimi i ZRCPP-së, për certifikimin e Kurtit dhe të tjerëve si kandidat për deputet, derisa anëtarët e partive të tjera kanë kërkuar që ta kenë në dorë atë rekomandim dhe ta shohin nga afër përmbajtjen e tij.
Pasi mbetën vetëm Kurteshi e Rama, ky i pari mbajti një fjalim para gazetarëve ku akuzoi kryetaren e KQZ-së, Valdete Dakën për mos-konsultim.
“Ne me kolegun tim nga VV, kemi ardh rreth orës 13:30 në KQZ. Kryesuesja e KQZ-së i ka mbledh anëtar e tjerë për konsultim, përveç neve të Vetëvendosjes. Ata kanë ftuar policinë, pa asnjë sqarim. Ne e dimë e ju e dini se cili është problemi dhe ne po e themi hapur se tash po ndryshojnë rregullat edhe normat brenda momentit. Ne do të qëndrojmë këtu dhe do të sigurohemi të zbatohen ligjet”, ka thënë Kurteshi, derisa kanë vazhduar të qëndrojnë në sallë.
Kujtojmë se ZRCPP ka rekomanduar që Albin Kurti dhe të tjerët të certifikohen dhe të kenë të drejtë të kandidojnë për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit./ Insajderi.org