×
  • Lajme
  • Insajderi

    Tensionohet situata – I shkarkuari Kodra niset drejt zyrës së tij, intervenon Policia

    Insajderi
    27 July 2022 - 21:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Fadil Kodra, i cili u shkarkua nga pozita e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ia ka mësyrë sërish zyrës së tij në këtë institucion, për të vazhduar punën. Mirëpo, pengesë e tij u bënë zyrtaret e MPB-së të cilët ia ndaluan hyrjen dhe kështu  rasti përfundoi në Policinë e Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ish-drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave i shkarkuar nga ministri Sveçla ishte nisur sot për në zyrën e tij për të ushtruar detyrën e tij si gjithherë. Por, disa zyrtarë të Agjencisë nuk e lejuan të hy brenda.

    Kështu, Kodra kishte lajmëruar Policinë e Kosovës, ku këta të fundit kishin dalur menjëherë në vendin e ngjarjes.

    Këtë e konfirmoi për Gazetën Insajderi avokati i Fadil Kodrës, Faton Fetahu, i cili tha se Policia doli dhe evidentoi faktin që Kodra u pengua në ushtrimin e detyrës zyrtare.

    Sipas Fetahut, zyrtarët e Agjencisë i janë bindur urdhrave të paligjshëm të ministrit Sveçla.

     “Është pengu dhe për këtë qëllim ka bërë denoncim në polici. Me ftesë të Fadil Kodrës kanë ardhur policia dhe kanë evidentuar faktin që Kodra është pengu në ushtrimin e detyrave dhe funksionit të tij zyrtar. E kanë penguar personat zyrtar në Agjenci të cilët i janë bindur urdhrave të paligjshme të ministrit të MPB-së”, tha Fetahu për Insajderi.

    Gazeta ka pyetur se si Kodra është nisur për në zyrë, duke pasur parasysh vendimin e shkarkimit.

    Në përgjigjen e tij Fetahu tha se vendimi për shkarkimin e Kodrës është i pezulluar pasi ka një ankesë në Këshillin e Pavarur.

    Rasti tashmë është hapur në Policinë e Kosovës  dhe sipas avokatit të Kodrës nesër pritet të bëhet kallëzim penal ndaj U.D drejtorit aktual.

    “Vendimin për shkarkimin e Kodrës ka qenë i pezulluar, sepse ne momentin që shkon ankesë në Këshillin e Pavarur pezullohet vendimi. Tash dolëm nga policia ku dhamë deklaratë, nesër do të bëjmë edhe kallëzimin penal të radhës ndaj U.D të drejtorit aktual”, tha Fetahu për Insajderin

    Në fund Fetahu shtoi se nuk do të lënë gur pa lëvizur për të vënë para përgjegjësisë shkelësit e ligjit.

    “Ne nuk do të lëmë  gur pa lëvizur për t’i vënë para përgjegjësisë shkelësit e ligjit dhe urdhërdhënësit e urdhrave të paligjshëm”, tha Fetahu për Insajderin.

    Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave u shkarkua të enjten e 14 korrikut me vendim të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    Fadil Kodra ka shërbyer si udhëheqës i agjencisë që menaxhon me njësitë e zjarrfikësve që nga viti 2010, kur ishte emëruar në këtë pozitë nga Qeveria “Thaçi 1”

    Kodra është njohur për aktivitetin e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovë. Ai ka qenë pjesë e grupit të parë të luftëtarëve të UÇK-së./GazetaInsajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark