Dy persona janë plagosur në Pejë afër Gjykatës Themelore në këtë qytet. Motivi dyshohet se ishte hakmarrja.
I kontaktuar nga Insajderi, prokurori i rastit, Ersan Qavolli ka dhënë detaje te reja si dhe ka njoftuar se do të kërkoi nga Gjykata qe të dyshuarin e këtij rasti ta dërgoi 1 muaj në paraburgim.
“Ne kuadër të veprimeve hetimore janë kontrolluar edhe tri lokacione, po ashtu janë sekuestruar dy armë të gjata, shumë fishek dhe dy armë të shkurta, një veture passat. Sot gjatë ditës do të parashtrohet kërkesa për paraburgim’, ka thënë Qavolli për Insajderin.
I dyshuar për tentimvrasje është Mahmut Hoxhaj. Ndërsa viktimat janë Alfred Uka, punëtor në Komunën e Pejës dhe Afrim Gashi.
Cili është rasti që u bë shkas për hakmarrjen e sotme?
I vrari, Fazli Hoxha dhe dy vëllezërit e tij raportohej se kishin dalë për iftar me familje në një restorant, në parkingun e të cilit edhe ndodhi rasti tragjik, detaje këto që nuk janë konfirmuar ende nga autoritetet.
I vrari ishte djali i dëshmorit të UÇK-së, Fazli Hoxha, i vrarë para 23 vitesh, emrin e të cilit e ka trashëguar edhe djali.
Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë, ngarkonte gjashtë të akuzuarit: Nderim Gashi, Basri Gashi, Agron Gashi, Ardit Gashi, Bahri Gashi dhe Ylli Gashi, për “Vrasje të rëndë”, “Vrasje të rëndë në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit Nderim, Basri, Agron, Ardit dhe Bahri, më 28 prill 2022, rreth orës 20:30, në fshatin Volljakë, Komuna e Klinës, në parkingun e restorantit “Villa Park”, të përgatitur paraprakisht dhe duke vepruar në bashkëkryerje, e me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt, privojnë nga jeta viktimën F.H., duke vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë.
Kurse, Ylli Gashi akuzohej se ndihmoi në kryerjen e vrasjes, duke siguruar armën për të pandehurin Nderim.