Policia e Kosovës ka arrestuar sot një person në Gjakovë nën dyshimin për dhënie ryshfeti.
Gjatë kohës kur policia po i lëshonte gjobë për kundërvajtje, i dyshuari ka hedhur 20 euro në veturën e policisë.
Kështu ai dyshohet se ka bërë përpjekje të ndërhyjë në detyrat ligjore të policëve.
I dyshuari A.G është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Njoftimi i plotë:
Më datën 24 qershor 2024, zyrtarët policorë të Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Gjakovë, kanë ndalur një automjet, në një pikë kontrolli rutinë, në fshatin Rakovinë- Gjakovë. Gjatë procesit të lëshimit të një gjobe për një kundërvajtje, i dyshuari A. G., (shoferi i automjetit) në përpjekje të ndërhyjë në detyrat ligjore të zyrtarëve policorë, që të mos i shqiptonin gjobën, kishte hedhur një kartëmonedhë prej 20 eurosh në makinën e patrullës. I dyshuari u shoqërua menjëherë në stacionin policor, si dhe kartëmonedha prej 20 eurosh është sekuestruar si provë.
Në konsultim me prokurorin e shtetit, është iniciuar rast “dhënia e ryshfetit”, ndërsa i dyshuari është ndalur në mbajtje për 48 orë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, mbetet e përkushtuar në ruajtjen e standardeve më të larta të integritetit dhe transparencës. Ne vlerësojmë mbështetjen dhe bashkëpunimin e publikut, përderisa vazhdojmë të angazhohemi në drejtim të ruajtjes së rendi dhe qetësisë publike.