
Kanë kaluar më shumë se tetë muaj që nga vdekja e Rizah Hasanit, kamionistit të firmës ‘Bageri’ në Ferizaj, të multimilionerit Bujar Shabani. Prokuroria Themelore në Ferizaj ka heshtur pavarësisht se familjarët kanë bërë thirrje që të hetohen disa pista hetimesh.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Ferizaj për t’i pyetur nëse kanë iniciuar hetim ndaj firmës qe më shumë se një javë, mirëpo nga kjo prokurori s’janë përgjigjur për Insajderin.
Mediumi ka marrë vesh se vendngjarja ku ka humbur jetën Rizah Hasani ka qenë zonë e ndaluar si vendpunishte.
Insajderi ka kontaktuar edhe me firmën “Bageri” për t’i pyetur nëse kanë qenë në dijeni për një gjë të tillë, mirëpo të njëjtit s’i janë përgjigjur kërkesave të mediumit.
Kanë kaluar më shumë se tetë muaj që nga fatkeqësia që i mori jetën Rizah Hasanit.
Inspektorati i Punës e kishte dënuar kontraktorin multimilioner të Qeverisë Kurti, Bujar Shabanit, në vlerë prej 8,500 eurosh.
Sidoqoftë, familjarët janë ankuar se rasti nuk është trajtuar me seriozitet, pasi që nuk është inspektuar vendi ku ka ndodhur incidenti që shkaktoi vdekjen e Hasanit.
Insajderi raportoi për ankesën e familjarëve, ku ka thënë ndër të tjera se “Bageri” nuk ka arritur të dëshmojë se ka ndërmarrë masat e duhura për parandalimin e rreziqeve në punë.
“Mos-inspektimi i vendit të aksidentit, përveç që ka pamundësuar konstatimin e të gjitha shkeljeve që mund të jenë bërë nga subjekti N.P.Sh. “Bageri”, ka pamundësuar që të vërtetohen pretendimet tona si familjarë të së ndjerit Rizah Hasani, si fakti që familjari ynë ka poseduar patentë shofer CE që nuk përputhet me Kontratën dhe patentë shoferin e vjetër si dhe atesti i mjetit i lëshuar për periudhën 6 mujore ka kaluar atestin si mjet i modifikuar, dhe vërtetimi i këtyre pretendimeve do të sillte konstatim dhe të shkeljeve të tjera nga subjekti në fjalë dhe do të vërtetohej përgjegjësia e subjektit N.P.Sh. “Bageri” në rastin konkret dhe do të parandalonte shkaktimin e rasteve të tjera. Ky obligim rrjedh nga neni 14 i Ligjit”, thuhet ndër të tjera në ankimimin e familjarëve për vendimin e Inspektoratit të Punës.
Ata kanë shprehur shqetësimin edhe për modifikimin e rimorkios dhe largimin e mjeteve të punës menjëherë nga vendi i ngjarjes.
“Në këtë rast mjeti i punës (kamioni dhe rimorkio) me të cilën ka ndodhur aksidenti në punë, janë larguar menjëherë nga ana e Punëdhënësit. Kjo gjetje është esenciale për të konstatuar edhe përgjegjësinë kundërvajtëse edhe penale të Punëdhënësit. Andaj, kërkojmë që të përfshihet si konstatim i veçantë shkatërrimi apo largimi i provës nga vendi i ngjarjes. Për më tepër, rimorkio e kamionit ka qenë e modifikuar për ti shtuar volumin e ngarkesës nga ana e Punëdhënësit, gjë e cila mund të dëshmohet me fotografi të cilat i kemi siguruar për mjetin e punës. Po ashtu do të ishte mirë që ky kamion ti nënshtrohej ekspertizës së gjendjes teknike nëse ka qenë apo jo duke funksionuar në rregull, pasi që kemi dyshime se kontrolla teknike nuk ka qenë e kryer në mënyrë të duhur”.
Rizah Hasani humbi jetën në një aksident më 11 korrik të këtij viti. Ngjarja tragjike e humbjes së jetës së tij kishte ndodhur në rrugën e njohur si “Reka e Vogël” në Ferizaj.
Gazeta Insajderi kishte siguruar pamje nga vendi i ngjarjes atje, ku shihej kamioni i rrokullisur. Ai po punonte për “Bageri”-n, firmën e biznesmenit Bujar Shabani.
Për rastin pati folur vëllai i tij, Vëllai i Rizah Hasanit, Valon Hasani, tha se familja e tij kanë dyshuara të mirë-bazuara në fakte se kamioni i cili po e ngiste ishte i mbi-ngarkuar me material ndërtimor.
Valon Hasani në një intervistë ekskluzive për Insajderin shtoi se kur ka qenë prezent në vendngjarje, ka parë që është modifikuar kamioni me të cilën humbi jetën vëllai i tij, Rizah Hasani.
Pos tjerash, ai është ankuar për neglizhencë nga ana e Policisë dhe Prokurorisë lidhur me rastin. Siç thotë ai, kur i ka kërkuar prokurorit të rastit ta hetojë çështjen e kamionit, ky i fundit ka thënë se s’mund të bëhet një gjë e tillë meqë materiali ndërtimor është derdhur gjatë aksidentit.
I njëjti ka bërë të ditur edhe se biznesmeni Bujar Shabani i kishte kërkuar që t’ia kryente shërbimet e varrimit Rizah Hasanit, mirëpo që vëllai i tij, Valoni, s’kishte pranuar.
Gazeta Insajderi ka raportuar disa herë për të bëmat e biznesmenit multimilioner, Bujar Shabani dhe favorizimin që i bëhet atij nga Qeveria Kurti: