Pas konfirmimit të tetë rasteve me fruth në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, së bashku me institucionet shëndetësore, po monitorojnë nga afër situatën epidemiologjike, duke qenë në gatishmëri të plotë për menaxhimin e saj.
Kjo po realizohet përmes identifikimit të fëmijëve të pavaksinuar dhe angazhimit të ekipeve mobile për vaksinim në zonat ku mbulueshmëria është më e ulët.
Sipas Institutit të Shëndetësisë Publike, të gjitha rastet e konfirmuara janë te fëmijët që nuk janë vaksinuar kundër fruthit.
Po ashtu, nga ky institucion theksohet se fruthi është një sëmundje serioze dhe rreth gjashtë herë më ngjitëse se gripi. Sipas tyre, një në pesë persona të infektuar mund të zhvillojë komplikime të rënda shëndetësore.
Simptomat e fruthit përfshijnë temperaturë, rrjedhje të hundës, kollë, sy të skuqur dhe të përlotur, si dhe skuqje që fillon në fytyrë dhe përhapet në të gjithë trupin.
Për të reduktuar rrezikun e përhapjes së kësaj sëmundjeje, vaksinimi mbetet mënyra më efektive dhe më e sigurt për mbrojtjen e shëndetit publik.
“Vaksinimi ul rrezikun e komplikimeve dhe ndihmon në forcimin e imunitetit te fëmijët që kanë imunitet të dobësuar. Ndikon gjithashtu në parandalimin e përhapjes së ndonjë epidemie. Kryesisht prek grupmoshat nga 0 deri në 12 muaj, që është edhe periudha kur bëhet vaksinimi me këtë vaksinë. Efektet kryesore janë prekja e sistemit respirator, shfaqja e skuqjeve në trup dhe dobësimi i imunitetit”, ka deklaruar për RTK Besim Murseli, shef i Mjekësisë Familjare nr. 1 në Prishtinë.
Gjithashtu, rekomandohet që të shmangen kontaktet e panevojshme me persona të dyshuar për fruth.
IKSHPK rikujton se çdo vonesë në vaksinim rrit rrezikun për përhapje të mëtejshme të sëmundjes dhe për komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët dhe personat me imunitet të dobësuar.