Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, shpalljen e Deklaratës së 2 Korrikut 1990, e ka quajtur si një ndër veprimet më të rëndësishme në kohën kur filloi shpërbërja e federatës jugosllave.
“Në kohën kur filloi shpërbërja e federatës jugosllave, nga ambiciet hegjemoniste të diktatorit Millosheviq, një ndër veprimet më të rëndësishme politike të delegatëve të Kuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990 ishte shpallja publike e Deklaratës Kushtetuese”, ka shkruar presidenti Thaçi në facebook.
Kjo deklaratë, sipas tij, ka shfaqur ambiciet e kamotshme të shqiptarëve për Republikë.
“Përmes kësaj Deklarate shprehej vullneti i qytetarëve të Kosovës për avancimin e të drejtave deri në nivel të Republikës dhe të shkëputjes nga Serbia”, ka shtuar ai.
Ai ka shprehur konsideratë edhe për delegatët asokohe.
‘Duke kujtuar 26-vjetorin e këtij akti të rëndësishëm, shprehim konsideratë të lartë për delegatët e asaj kohe”, ka përfunduar presidenti. /Insajderi.com