×
  • Op-Ed
  • Op-Ed / Editorial

    The New York Times: Shtetet që përdorën vaksinën kineze mund të përballen me pasoja të rrezikshme

    Insajderi
    26 June 2021 - 11:08

    Ndonëse në Shqipëri po i gëzohemi përditë e më shumë vaksinimit masiv me dozat e SinoVac, e përditshmja prestigjoze amerikane “The New York Times”, ka hedhur hije të forta dyshimi për efektshmërinë afatgjatë të saj.

    “Ndonëse vaksina Sinovac u aprovua në fillim të majit të vitit 2021 për përdorim emergjent nga OBSH-ja, të dhënat nga shumë shtete që imunizuan qytetarët e tyre duke përdorur këtë vaksinë nuk janë fare optimiste” shkruan gazeta. Në një artikull të gjatë, ku bëhet një vështrim krahasues mes efikasitetit të procesit të vaksinimit në ato vende që kanë përdorur dozat perendimore dhe të tjerëve që kanë përdorur ato kineze arrihet në përfundimin se shtetet që kanë bërë zgjedhjen e dytë kanë pasur sërish rritje të dozës së infektimeve. 

    “Izraeli ka garantuar vaksina Pfizer për gjithë popullësinë e vet dhe numri i rasteve të reja të konfirmuara çdo ditë është afro 5 persona në një milion banorë. Duke përdorur të njëjtën vaksinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë imunizuar pothuajse 45% të popullsisë dhe rastet kanë rënë me 94% përgjatë 6 muajve të fundit. Ndërkohë Mongolia, që rendi ndër të parat për të marrë shumë doza të vaksinës Sinovac, sapo ajo doli, ka vaksinuar 50% të popullsisë dhe megjithëkëtë përballet me ritmet më të frikshme të rritjes së rasteve ditore. Në shumë shtete të imunizuara me Sinovac, numri i të infektuarve ditorë ka pësuar 4-fishim krahasuar me një ose dy muaj më parë”, vijon artikulli, që ngre jo pak pikëpyetje mbi përdorimin e vaksinës kineze për të siguruar imunizimin e nevojshëm të popullsisë.

    Kujtojmë se një studim i kryer në Kili zbuloi se vaksina kineze ishte më pak e dobishme se Pfizer apo Moderna, duke u shprehur se efikasiteti i vaksinës për parandalimin e rasteve të infeksionit me simptoma arrin në 67%. Në Indonezi, vaksina rezultoi 65% efektive në provat klinike. 

    Çfarë na pret? 

    Sipas NYT “shkalla e rimëkëmbjes nga pandemia nga virusi dhe kthimit në normalitet varet nga vaksinat që qeveritë sigurojnë për popullin e vet”. Prandaj pabarazitë e krijuara ka shumë gjasa të krijojnë një ndarje të thellë në tre kategori të vendeve pas pandemisë: “shtetet e pasura që kanë siguruar vaksina si Pfizer-BioNTech, AstraZeneca apo Moderna, shtetet e varfra që nuk kanë mundësi fare të sigurojnë doza kundër koronavirusit dhe në fund shtete që janë tërësisisht të imunizuar, por që mbeten ende shumë larg nga të qënit të mbrojtur”.

    Kina, së bashku me 90 vendet ku bën pjesë edhe Shqipëria sipas gazetës mund të përfundojnë në këtë kategori të tretë, që ka shumë të ngjarë që të përballet me lockdown-e të vazhdueshme, kufizime si dhe shumë sfida ekonomike deri në rikthim të plotë në normalitet.

    Nga ana tjetër, Pekini zyrtar që e pa këtë si një mundësi për t’u riafirmuar si një fuqi globale pas pandemisë, vazhdimisht ka mohuar lidhjet mes marrjes së vaksinës së prodhuar nga Sinopharma dhe vijueshmërisë së rritje së kurbës së infektimeve me Covid-19.

    Shqipëria imunizon masivisht popullsinë me SinoVac

    Tani për tani, falë edhe vaksinimit masiv me SinoVac Shqipëria duket se është futur në rrugën e duhur për daljen nga tuneli i gjatë i pandemisë. Ministria e Shëndetësisë së fundmi njoftoi se janë kryer në total 901,429 doza të vaksinës kundër Covid-19, prej të cilave 375,629 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat. Për të shkëputur zinxhirin e infektimeve, vendi ynë ka përvetësuar vaksina nga pothuajse të gjithë shpërndarësit globalë dhe ka lancuar që prej nisjes së këtij viti një fushatë vaksinimi masiv të popullsisë. Dozat e administruara, megjithatë, nuk kanë qenë të njëjtat për të gjithë. Bluzat e bardha, mësuesit si dhe një sërë kategorish të tjera të veçanta janë imunizuar me Pfizer apo AstraZeneca. Per popullsinë “e thjeshtë” është vendosur përdorimi i vaksinës ruse Sputnik V dhe, me shumicë, të asaj kineze Sinovac. Por nëse parashikimet e The New York Times, rezultojnë të vërteta ne ende nuk e kemi hedhur përfundimisht pas krahëve pandeminë.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark