Dhe vjen edhe goli i gjashtë. Armando Broja nuk duket se do t’i fikë motorët deri në fund të sezonit. Sulmuesi në dyshim deri në momentet e fundit për ndeshjen kundër Totenhemit pas goditjes në gju të shtunën në Kupën FA kundër Koventrit, jo vetëm që ia doli të ishte titullar në “Tottenham Hotspurt Stadium” të mërkurën, por u bë sërish protagonist, duke shënuar golin momental të barazimit 1-1 në minutën e 23-të.
Plus goditi shtyllën dhe humbi dy raste të tjera ku mund të kishte tundur rrjetën e Lorisit. Në fund pak rëndësi ka, “Shenjtorët” fituan ndeshjen dramatike kundër skuadrës së Kontes 3-2, duke i shkaktuar humbjen e parë teknikut italian në shtëpi.
Për Brojën, që është edhe shënuesi më i mirë i skuadrës së Ralf Hazenhytelit këtë sezon, ishte goli i 6-të në Premier Ligë në 19 ndeshjet që është aktivizuar, duke u shkëputur edhe njëherë nga Romelu Lukaku, shoku i skuadrës te Çelsi.
Blutë e Londrës i paguan Interit 97.5 milionë paund për ta kthyer në “Stamford Bridge” në gusht, me koston e transferimit më të shtrenjtë të historisë.
Sulmuesi belg e ka tundur rrjetën 5 herë në kampionat këtë sezon, ndërsa sulmuesit e tjerë të Tomas Tuhelit, Kai Haverc (2 gola) dhe Timo Verner (1) mbeten shumë larg shifrave të Brojës.
Talenti 20-vjeçar i Çelsit i ka shënuar golat e tij kundër Lidsit, Bërnlejt, Brajtonit, Palasit, Brentfordit dhe Totenhemit.
Pas triumfit në Londër, “The Sun” i dedikonte edhe një shkrim me titullin “Strong Arm” (Krahu i Fortë) frymëzuar nga tri germat e para të emrit të djaloshit të lindur në Slau.
Njeriu që u huazua në “St Mary’s” për të zëvendësuar Dani Ingsin këtë sezon dhe që bashkë me 3 golat me fanellën e kombëtares e ka dërguar në 11 numrin e rrjetave këtë sezon, i ka hapur telashe të bukura drejtoreshës së Çelsit, Marina Granovskaia, e cila vetëm për një gjë duket e sigurt: për të pritur deri në fund të sezonit për të vendosur të ardhmen e Armandos.