Vazhdon aventura e Carlos Tevez në pankinën e Independientes, skuadër që luan në Primera División të kampionatit argjentinas. Skuadra e drejtuar nga “Apache” nuk shkoi përtej barazimit 0-0 ndaj Argentinos Jrs, por ajo që tërhoqi vëmendjen nuk ishte aq ajo që ndodhi në fushë, por gjesti i Tevez gjatë lojës.
Pak para përfundimit të ndeshjes, disa tifozë argjentinas hodhën një copë bukë drejt pankinës së Independientes, e cila ra pikërisht pranë këmbëve të Tevez. Reagimi i trajnerit për provokimin? Absolutisht i papritur.
Argjentinasi e mori copën e bukës, e puthi dhe më pas e vuri diku me kujdes. Pamjet bënë xhiron e shpejtë në internet dhe u vlerësuan unanimisht për gjestin e bukur të ish-futbollistit.