×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    Tirana shet edhe një tjetër futbollist – 250 mijë euro arkëton nga shitja e mesfushorit shqiptar

    Insajderi
    01 August 2022 - 10:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Enur Totre nuk është më futbollist i Tiranës! “Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta pranë klubit se mesfushori është përshëndetur përfundimisht me shokët e skuadrës dhe drejtuesit duke u larguar nga kampionët e Shqipërisë pas vetëm një sezoni. Ashtu siç është shkruar ditën e fundit në gazetë për një transferim të tijin te Vorskla Poltava, tashmë pritet vetëm zyrtarizimi dhe dëmshpërblimi që klubi ukrainas do t’i japë Tiranës për shitjen e Enur Totres për shifrën e 250 mijë eurove.

    Vetë Totre do të firmosë për tri vite për skuadrën ukrainase, teksa do të përfitojë një rrogë prej rreth 200 mijë eurosh në sezon. Kujtojmë se klubi i Tiranës ka përfituar të ardhura të ndjeshme nga fitorja e titullit kampion dhe pjesëmarrja në kompeticionet europiane në këtë sezon.

    LARGIMI 2 – Enur Totre nuk është lojtari i vetëm që mund t’i largohet Tiranës. Bëhet fjalë edhe Taulant Seferin. Edhe sulmuesi është në rrugën për të gjetur një skuadër më të fortë. Tri janë kampionatet ku ai mund të luajë: Turqia, Polonia ose Ukraina.

    Më së shumti nga këto shtete ka pasur interesim për sulmuesin, i cili me të gjitha gjasat do të largohet nga Tirana, ndërsa mbeten modalitetet e fundit. Dihet që nga Polonia dhe Turqia për Seferin ka pasur interes, ndërsa Ukraina është një treg i sapozbuluar.

    Manisa FK është gati të paguajë deri në 800 mijë euro për kartonin e sulmuesit nga Kumanova. Nga Polonia bëjnë me dije se Seferi kërkohet nga Widzew Lodz, që janë të gatshëm të investojnë një shumë të konsiderueshme për ta afruar në skuadër. Për lojtarin mund të ketë oferta serioze në drejtim të tij dhe duhet të jetë gati për një lëvizje në një kampionat më të fortë.

    Sigurisht, flitet për transferim me shifra mbi 500 mijë euro që mund të marrë klubi, ashtu si edhe rroga e lojtarit. Kujtojmë se sulmuesi është nga më të paguarit te Tirana, ndërsa ishte më i miri në fushën e lojës gjatë sezonit të fundit.

    Futbollisti sezonin e shkuar në 43 ndeshje, koleksionoi 19 gola, 10 asiste dhe 3814 minuta. Këtu nuk llogariten ndeshjet e kombëtares shqiptare.

    POLITIKA – Tirana ka vendosur të largojë yjet e saj për t’i shitur në skuadra më të mira, por vetëm pas Europës dhe me çmimet që kërkohen nga kampionët.

    Tirana disa muaj më parë pati refuzuar një transferim për Redon Xhixhën. Kështu, në tavolinë ishin 150 mijë euro, por nga ana e presidentit të Tiranës qe refuzuar kjo ofertë. Sipas tij, shuma ishte e vogël dhe nuk plotësonte kërkesat e Tiranës.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark