Trepça ’89 e ka siguruar rikthimin në Superligën e Kosovës në futboll. Mitrovicasit triumfuan sot 2:0 në derbin lokal ndaj Trepçës për ta siguruar edhe matematikisht inkuadrimin në Superligën e Kosovës.
Me këtë fitore, Trepça’89 ka 50 pikë gjithsej pas 23 ndeshjeve dhe gjendet në vendin e parë në grupin A të Ligës së Parë.
Trepça’89 rikthehet në Superligën e Kosovës vetëm pas një viti në Ligën e Parë. Donatori i fuqishëm i futbollit kosovar, Ismet Begolli, është shprehur i lumtur me këtë fakt. “Uroj përzemërësisht Trepçën ’89 për rikthim në elitën e futbollit kosovar. Ky ekip e ka vendin në Superligë.
Kryetari i saj Abedin Zeka ka dhënë shumë për futbollin dhe është ndër donatorët më jetëgjatë në futbollin e Kosovës. Me Trepçën ’89, Superliga është shumë më e pasur”, ka deklaruar Ismet Begolli për Insport. Begolli me vite të tëra ka derdhur para në futbollin e Kosovës, madje edhe në kohën kur sporti jonë nuk ka qenë i pranuar në UEFA dhe FIFA. /Zeri.info