×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Tragjedia shekullore e 9/11: Çfarë ndodhi më 11 shtator?

    Insajderi
    11 September 2023 - 11:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Më 11 shtator të 2001-ës, ditë e martë, sulmues kamikazë shfrytëzuan avionë pasagjerësh amerikanë për t’u përplasur në dy rrokaqiejt e Nju Jorkut, duke vrarë mijëra njerëz.

    Sulmi mbetet si një nga ngjarjet më traumatike të shekullit, jo vetëm për amerikanët, por edhe për botën, raporton BBC, përcjell Gazeta Insajderi.

    Kush ishin objektivat?

    Katër avionë që fluturonin mbi lindje të SHBA-së u kidnapuan njëkohësisht nga ekipe të vogla rrëmbyesish.

    Më pas ato u përdorën si raketa gjigante, të drejtuara për t’u përplasur në ndërtesat historike në Nju Jork dhe Uashington.

    Dy avionë goditën Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork.

    I pari goditi Kullën e Veriut në orën 08:46 me kohën në SHBA. I dyti u përplas në Kullën Jugore në orën 09:03.

    Ndërtesat pas goditjes morën flakë, duke bllokuar njerëzit në katet e sipërme dhe duke e mbuluar qytetin me tym. Në më pak se dy orë, të dyja kullat 110-katëshe u shembën në total.

    Në orën 09:37 avioni i tretë shkatërroi fytyrën perëndimore të Pentagonit – selinë gjigante të ushtrisë amerikane jashtë kryeqytetit të vendit, Uashington DC.

    Avioni i katërt u rrëzua në një fushë në Pensilvani në orën 10:03. Mendohet se rrëmbyesit kishin për qëllim të sulmonin ndërtesën e Kapitolit në Uashington DC.

    Sa njerëz vdiqën?

    Në total, 2,977 njerëz humbën jetën, shumica prej tyre në Nju Jork.

    246 pasagjerë dhe ekuipazhi në bordin e katër avionëve u vranë.

    Në Kullat Binjake, vdiqën 2606 njerëz.

    Në Pentagon u vranë 125 persona.

    Viktima më e re ishte Christine Lee Hanson dy vjeçare, e cila vdiq në një nga avionët me prindërit e saj Peter dhe Sue.

    Më i moshuari ishte 82-vjeçari Robert Norton, i cili ishte në një aeroplan tjetër me gruan e tij Jacqueline, rrugës për një ceremoni martesore.

    Kur avioni i parë goditi, rreth 17,400 njerëz ishin prezent tek kullat binake. Askush nuk mbijetoi mbi zonën e goditjes në Kullën e Veriut, por 18 arritën të shpëtonin nga katet mbi zonën e goditjes në Kullën Jugore.

    Në mesin e viktimave ishin shtetas të 77 vendeve të ndryshme. Qyteti i Nju Jorkut humbi 441 reaguesit e parë.

    Mijëra njerëz u lënduan ose zhvilluan më vonë sëmundje të lidhura me sulmet, përfshirë këtu edhe zjarrfikësit që kishin punuar në pastrimin e mbeturinave toksike.

    Kush e realizoi sulmin?

    Një rrjet ekstremist islamik i quajtur Al-Kaeda planifikoi sulmet nga Afganistani.

    Të udhëhequr nga Osama Bin Laden, al-Kaeda fajësoi SHBA-në dhe aleatët e saj për konfliktet në botën myslimane.

    Nëntëmbëdhjetë persona i kryen rrëmbimet, duke punuar në tre ekipe prej pesë vetash dhe në një tjetër nga katër (në aeroplanin që u rrëzua në Pensilvani).

    Çdo grup përfshinte dikë që kishte kryer trajnim për pilot. Kjo u krye në shkollat e fluturimit në vetë SHBA.

    Pesëmbëdhjetë rrëmbyes ishin sauditë si vetë Bin Laden. Dy ishin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.

    Si u kundërpërgjigjën SHBA-të?

    Më pak se një muaj pas sulmeve, ish-presidenti amerikan George W Bush udhëhoqi një pushtim të Afganistanit – i mbështetur nga një koalicion ndërkombëtar – për të çrrënjosur al-Kaedën dhe për të ndjekur Bin Ladenin.

    Megjithatë, tek në vitin 2011 trupat amerikane gjetën dhe vranë Bin Ladenin në Pakistan.

    Planifikuesi i dyshuar i sulmeve të 11 shtatorit, Khalid Sheikh Mohammad, u arrestua në Pakistan në vitin 2003. Ai është mbajtur në paraburgim në Gjirin e Guantanamos që atëherë dhe është ende në pritje të gjyqit.

    Al-Kaeda ekziston ende. Ajo është më e forta në Afrikën Sub-Sahariane, por edhe tani ka anëtarë brenda Afganistanit.

    Trupat amerikane u larguan nga Afganistani këtë vit pas gati 20 vjetësh, duke nxitur frikën e shumë njerëzve se rrjeti islamik mund të rikthehet.

    Trashëgimia e 11 shtatorit

    Siguria e fluturimeve u forcua në mbarë botën në vitet që pasuan pas 11 shtatorit.

    Në SHBA, Administrata e Sigurisë së Transportit u krijua për të forcuar sigurinë në aeroporte dhe aeroplanë.

    U deshën më shumë se tetë muaj për të pastruar “Ground Zero” – vendi ku kishin rënë Kullat Binjake.

    Një memorial dhe një muze tani është i ndërtuar në hapësirën në fjalë, ndërkaq janë ri-ndërtuar, me një dizajn tjetër.

    Rindërtimi në Pentagon zgjati pak më pak se një vit, ku stafi u kthye në zyrat e tyre më gusht të 2002-ës. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark