“Cristiano Ronaldo është ende i uritur, edhe në moshën 38-vjeçare, pavarësisht se tashmë ka fituar gjithçka në karrierën e tij”, – tha këtë të hënë trajneri portugez, Roberto Martínez, i cili theksoi se ylli portugez “është në një moment shumë të mirë”.
“Këtë vit Cristiano ka shënuar më shumë gola (43 në 46 ndeshje) se çdo lojtar tjetër. Më pëlqen angazhimi i tij, mënyra e tij e punës”, – shtoi Martínez në një intervistë për kanalin shtetëror portugez RTP.
Lidhur me largimin e kapitenit luzitan në Arabinë Saudite, ku luan për Al Nassr, trajneri deklaroi se ish-lojtari i Real Madridit “është i lumtur në këtë projekt të ri personal me shumë përgjegjësi”.
Cristiano Ronaldo vazhdon të jetë referenca kryesore e Portugalisë në fushë. Ai ka shënuar 9 nga 32 golat në total të kombëtares luzitane në fazën kualifikuese të “Euro 2024”, ku tejkalohet vetëm nga belgu Romelu Lukaku me 10 gola. Pavarësisht këtij ndikimi të qartë, Roberto Martínez theksoi se “është e rëndësishme që kombëtarja portugeze të mos varet nga një apo dy lojtarë për të shënuar gola. Është e rëndësishme për ne që të kemi golashënues të ndryshëm. Po rritemi në mënyrën se si luajmë, pa u varur nga një lojtar”.
Portugalia e Roberto Martínez jo vetëm që është kualifikuar në “Euro 2024”, por ka siguruar kreun e grupit pas 8 fitoreve në 8 ndeshje, me 32 gola të shënuar dhe vetëm 2 gola kundër.