Klubi i Futsalli, Prishtina 01 ka arritur edhe një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare duke u kualifikuar në fazën e Elite Raund të Ligës së Kampionëve.
Kampioni i Kosovës do të përballet me dy ish-kampionët e Ligës së Kampionëve në futsall, Benfica dhe Kairat, dhe sllovenët e Dobovec, 6 herë kampion në Slloveni.
Për ta arritur këtë sukses, trajneri Haki Ahmeti thotë se kaluan nëpër një rrugë të vështirë, por shprehet optimist se skuadra do të bëjë mirë edhe në fazën e grupeve.
Ahmeti: Besoj në sukses edhe në fazën e grupeve
“Kjo arritje në Ligën e Kampionëve padyshim ka qenë shumë e vështirë, madje për disa edhe e pa mundur, mirëpo dëshira dhe pasioni për punë gjithçka është më lehtë duke pasur parasysh grupin e lojtarëve të cilin e kemi në ekip… Siç kemi pasur besim te skuadra, prapë vazhdoj të kem besim edhe në fazën e Elite Raund të cilët i falënderoj të gjithë lojtarët për maksimumin e dhënë ndaj këtyre ndeshjeve”, tha Ahmeti.
Duke folur për KosovaPress, Ahmeti deklaroi se niveli i ngritur i Superligës së Kosovës po bën që skuadra të ketë paraqitje të mira dhe kualitative edhe në garat evropiane.
Ahmeti: Fal kualitetit të Superligës, po arrijmë suksese edhe në Evropë
“Niveli i futsallit të Kosovës është mjaftë i mirë, mjaftë i lartë. Kemi ekipe shumë të mira në Superligën e futsallit të Kosovës me të cilët kemi zhvilluar edhe ndeshje mjaftë të mira. Po të mos ishte Superliga e Futsallit të Kosovës në nivel sikur ato të Evropës, për ne do të ishte shumë më vështirë për të arritur deri në këtë fazë të Ligës së Kampionëve ku kemi arritur deri më tani”, ka thënë Ahmeti më tutje.
Sipas Ahmetit, përballja me ekipe të forta në fazën e Elite Raund do të ndihmojë në rrjet e skuadrës, e po ashtu edhe në imazhin e futsallit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ahmeti: Kishim dëshirë të përballeshim me ekipe të mëdha
“Në këtë fazë nuk ka ekipe të dobëta dhe kemi dëshirë të takohemi me ekipe të forta për të bërë përvojën tonë sa më të mirë të cilët edhe lojtarët kanë dëshirë të kenë ndeshje shumë më të fortë… Do të rritet imazhi i futsallit dhe iu bëjë apel edhe juve si gazetarë të vini më shpesh dhe të na vizitoni dhe jo vetëm kur kemi kësi lloj fazë të Elite Raund të Ligës së Kampionëve apo ndonjë finale të Kupës.”, deklaroi Ahmeti.
Sa i përket skuadrës, Ahmeti theksoi se është i kënaqur me lojtarët që ka në dispozicion dhe se nuk është duke menduar për përforcime të reja.
Ahmeti: Kam besim të plotë në lojtarët që kam në dispozicion
“Për momentin nuk jemi duke menduar për përforcime të reja. Kemi një grup të shëndosh, të mirë dhe kemi besim të plotë tek lojtarët tanë. Jemi duke u përgatitur për futsallin e Kosovës ku janë edhe tri xhiro dhe të përgatitemi për Elite Raund në Ligën e Kampionëve.”, ka thënë Ahmeti në fund.
Ndeshjet e fazës së Elite Raund do të zhvillohen në Prishtinë nga 28 nëntori deri më 3 dhjetor.