×
  • Sport
  • Sport

    Trajneri kampion largohet nga Kosova për “një jetë më të mirë”

    Insajderi
    27 January 2023 - 21:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Seid Onbashi është vlerësuar njëri prej trajnerëve më perspektiv në futbollin kosovar. Ai ka pasur suksese të mëdha me klubin e futbollisteve Mitrovica e po ashtu me juniorët e Trepçës ’89.

    Vlerësohej se Onbashi shpejt mund ta bënte hapin tutje në karrierë – të merrte drejtimin e ndonjë skuadre të Superligës së futbollistëve.

    Por prej së shtunës Seid Onbashi nuk do të jetë më pjesë e futbollit kosovar. Në kërkim të një jete më të mirë, të stabilitetit financiar dhe mundësive më të mëdha, Onbashi do të vendoset në Finlandë. Në këtë vend udhëton me “vizë pune”.

    Numri i të rinjve nga Kosova që jetën po e vazhdojnë në Finlandë është shumë i madh. Sidomos nga Mitrovica shumë qytetarë zgjedhin Finlandën si vend që ofron kushte më të mira e mundësi më të mëdha.

    Onbashi ka pasur karrierë të madhe si lojtar. Ishte kryesisht te Trepça ’89, ndërsa është shquar për teknikën superiore. Në kohën e tij ka qenë prej sulmuesve të mirë të futbollit kosovar.

    Karrierën e përfundoi pa i mbushur 30 vjet dhe nisi si trajner, fillimisht te shkolla e futbollit Lushta. Pas sukseseve me kategori të reja, mori edhe drejtimin e skuadrës së futbollisteve mitrovicase. Në vitet e fundit ishte i angazhuar në klubin ku u rrit, Trepça ’89. Ishte trajner i ekipit junior e për një kohë të gjatë pjesë e shtabit teknik në ekipin senior. Me juniorët ka punuar deri të premten.

    Me Mitrovicën, Onbashi ka fituar tre tituj të kampionit dhe tri kupa të Kosovës. E ka udhëhequr këtë skuadër drejt suksesit në fazën grupore të Ligës së Kampionëve për futbolliste. Mitrovica nën drejtimin e Onbashit u bë njëra prej 32 skuadrave më të mira në Evropë. Me Trepçën ’89 vitin e kaluar fitoi titullin e kampionit për juniorë, të parin në histori të klubit me këtë grupmoshë. Me Lushtën kishte fituar plejofin e kampionatit të Kosovës me grupmoshën U15, ndërsa ka dhënë kontribut që Trepça ’89 të kthehet në Superligë pas një edicioni në Ligën e Parë.

    Jam falënderues ndaj Trepçës ’89 dhe Mitrovicës për mundësitë e ofruara. Do të jem gjithnjë mirënjohës ndaj këtyre klubeve. Por në kërkim të një perspektive më të madhe për veten e familjen, kam vendosur që jetën ta vazhdojë në Finlandë”, ka thënë Onbashi për KOHËN.

    Në Finlandë pos punës së rregullt që do ta kryejë, Onbashi do të jetë i angazhuar edhe në futboll.

    Falë shokëve dhe ish-bashkëlojtarëve te Trepça ’89, Elvis Osmani e Ymer Xhaferi, do të angazhohem edhe në Finlandë si trajner futbolli. Respekti që Xhaferi e Osmani kanë krijuar në Finlandë do të më hap dyert e futbollit finlandez”, ka shtuar Onbashi.

    Në drejtim të vendeve evropiane, kryesisht Finlandës, në vitet e fundit janë larguar edhe shumë lojtarë të rinj të klubeve mitrovicase, por edhe të klubeve nga qytetet e tjera.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark