Transferonin para nga Kosova në Kinë e Dubai, dëgjohet eksperti financiar në seancen për milionat e dyshimtë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Transferonin para nga Kosova në Kinë e Dubai, dëgjohet eksperti financiar në seancen për milionat e dyshimtë

    Insajderi
    23 November 2022 - 19:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Eksperti financiar Ramadan Ferizi ka thënë se shmangia tatimore totale tek e akuzuara Shahe Tahirukaj është 464 mijë e 969 euro e 2 centë, ndërsa tek i akuzuari Nuhi Hoxha është 794 mijë e 943 euro e 71 centë, në rastin ku këta dy të fundit po akuzohen për shpëlarje parash dhe vepra tjera penale.

    Në pyetjen e prokurorit special Atdhe Dema se a është i saktë kosntatimi i të njëjtit në faqen 73 të ekspertizës, që shmangia totale tatimore për të akuzuarën Tahirukaj është 464 mijë e 969 euro e 2 centë, eksperti Ferizi e pohoi një gjë të tillë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “E saktë, kjo është shmangia për të lartpërmendurën Shahe Tahirukaj”, ka thënë eksperti.

    Kurse, i pyetur se a është e saktë shmangia tatimore prej 794 mijë e 943 euro e 71 centë për të akuzuarin Hoxha, eksperti tha se një shmangie e tillë konsiston për bizneset ku i akuzuari Hoxha ka qenë pronar dhe ku ka qenë i autorizuar sipas qarkullimit.

    “Kjo shmangie konsiston nga shmangiet tatimore të të gjitha biznesve ku Nuhi Hoxha ka qenë pronar dhe i aurotrizuar sipas viteve të qarkullimit dhe është nxjerrë edhe detyrimi tatimor, do të thotë edhe për biznesin e vet edhe për bizneset në të cilat Nuhi Hoxha ka qenë i autorizuar sipas qarkullimit, sipas viteve është nxjerrë edhe obligimi tatimor dhe është shuma 794 mijë e 943 euro e 71 centë dhe qëndroj tërësisht pranë saj”, ka deklaruar eksperti.

    Paraprakisht, duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues, i njëjti ndër të tjera ka thënë se në disa prej deponimeve që janë bërë në vende si Qipro, Kinë Dubai etj, nuk mund të identifikohet qëllimi i transaksioneve.

    “Të gjitha këto transfere të cilat janë bërë jashtë si në Qipro, Kinë, Bangladesh, Dubai, Greqi, Maqedoni dhe vende të tjera, paraprakisht janë deponuar në kesh dhe në disa përshkrime të deponimeve shkruan si vijon “për mallra, blerje të automjeteve dhe huazimeve”, mirëpo nga këto transfere nuk mund të identifikohen qëllimi i këtyre transaksioneve, për çfarë qëllimi janë transferuar”, ka thënë Ferizi.

    Në pyetjen se a ka mbishkrim për qëllimin e deponimit të disa personave të tretë jo të akuzuar, eksperti tha se për të njëjtit nuk ka mbishkrim dhe nuk dihet qëllimi i deponimit.

    “Nuk ka asnjë mbishkrim në këto deponime, nuk dihet qëllimi për çka janë deponuar”, deklaroi ai.

    I njëjti gjithashtu ka thënë se ka pasur edhe shitje të faturave.

    “Po, ka pasur shitje të disa faturave, jo të gjitha por ka pasur në shkresa të lëndës shabllon si me thënë ndoshta nuk kanë qenë të gjitha faturat e bisnizeve të cilave iu është lëshuar fatura fictive, por disa biznise të cilat përmenden se u janë lëshuar fatura fiktive”, tha ai.

    Sipas ekspertit, as në lidhje me tërheqjen e mjeteve financiare nga llogaria nuk është dhënë ndonjë arsye.

    “Nuk ka asnjë arsye që është dhënë për arsyen e tërheqjes së këtyre mjeteve dhe kjo e shtyn ekspertin që të jep një konstatim se këto tërheqje janë tërheqje nga faturat e lëshuara fiktive derisa në tërheqje nuk ka asnjë arsyetim”, tha ai.

    Më pastaj, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Dema, eksperti Ferizi ka thënë se në ekspertizë ka folur vetëm për shmangie të tatimit, pasi që nuk është në kompetencë të të njëjtit që të gjykojë nëse ka në këtë rast shpëlarje parash apo jo.

    Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Hoxha, avokatit Emrush Kastrati, eksperti Ferizi ka deklaruar se në shkresa të lëndës nuk ka hasur në ndonjë autorizim ku i akzuauri Hoxha ka qenë i autorizuar vetëm për llogari bankare dhe jo edhe që të udhëheq biznesin.

    Ai gjithashtu ka thënë se Ligji për kontabilitet, raportim financiar dhe auditi, parasheh që menaxheri i ndërmarrjes nënshkruan edhe pasqyrat financiare dhe mban përgjegjësi për vërtetësinë e tyre.

    “Në deklaratat e këtyre personave të cilat janë dhënë në hetuesi, konkretisht për biznesin “Edi” qëndron deklarata e Nuhi Hoxhës, në faqen 13 të aktakuzës, i cili deklaron si vijon “ndoshta kam qenë i autorizuar për këtë biznes”, por ligjërisht nuk mund të themi se Nuhi Hoxha është person apo ka qenë person i cili detyrimisht është dashtë pasqyrat financiare t’i paraqes në ATK. Ligji për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim, neni 9, decivisht shkruan “menaxhmenti i ndërmarrjes nënshkruar pasqyrat fiannciare dhe mban përgjegjësinë për vërtetësinë e tyre”, ka deklaruar i njëjti.

    Tutje, eksperti ka deklaruar se në bazë të deklaratës së pronarit të biznesit “Fisi”, ka ardhur në përfundim se edhe i akuzuari Hoxha është përgjegjës për këtë biznes.

    “Nuk mund të them se nuk ka pas detyrim, mirëpo përgjegjësi për mosdeklarim mban edhe Nuhi Hoxha sepse në dekalratën e vet, dhënë para hetuesisë, Fisnik Kajtazi, pronar dhe aksionar i biznesit “Fisi”, faqe 16 dhe 17 të aktakuzës “biznisi im me Nuhi Hoxhën ka qenë i përbashkët mirëpo unë nuk kam njohuri se çfarë paska bërë me llogarinë time”, në bazë të këtyre deklarimeve kemi ardhë dhe tek përfundimi se Nuhi Hoxha mban përgjegjësi për këtë biznes”, ka deklaruar ai.

    Në pyetjen e avokatit Kastrati se a mund të japë ndonjë koment se pse dokumenti i ATK-së konsiston se shmangia tatimore për të akuzuarin Hoxha është 83 mijë e 259 euro e 16 centë, ndërsa në ekspertizë shuma prej 794 mijë e 973 euro e 71 centë, eksperti ka thënë se nuk mund të flas për një raport të cilin nuk e ka parë.

    “Unë nuk mund të flas për një raport të ATK-së të cilin nuk e kam parë, por mund të flas vetëm për raportin hetues, metodoligja të cilën unë e kam përdor për konstatimin e gjendjes lidhur me detyrimet tatimore është e njëjtë me atë të ATK-së, raporti final”, deklaroi eksperti Ferizi.

    Pastaj, i njëjti duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarës Tahirukaj, avokatit Betim Shala, ka thënë se nuk është i autorizuar që të japë sqarime lidhur me parashkrimin e kërkesave apo detyrimeve tatimore.

    I pyetur se sa ka qenë lartësia e qarkullimit që një biznes të regjistrohet si regjistrues i pagesës së tatimit në vlerën e shtuar gjatë viteve 2009 deri 2014, eksperti Ferizi ka thënë se është diku 50 euro brenda 12 muajve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ai gjithashtu duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues, ka thënë se me përjashtrim të llogarive të kompanisë “Fisi”, tek të tjerat është ekskluzivisht i akuzuari Hoxha i cili ka bërë deponime.

    “Me përjashtim të biznesit të llogarive “Fisi”, deponimet në këtë llogari të biznesit ku pronar është Fisnik Kajtazi, ka deponime shumë të larta, 1 milion e 114 mijë e 337 euro e 20 centë, në këto depinime në këtë llogari nuk mund të konstatohet se kush ka deponuar, ka deponuar Nuhiu apo Fisnik Kajtazi, vetëm shkruan “N.T.SH. Fisi”, as transferet nuk shkruan se kush i ka bërë, nuk ka përshkrim, domethënë as te deponimet dhe as te transferi. Tek bizneset e tjera është ekskluzisivisht Nuhi Hoxha”, ka deklaruar i njëjti.

    Ndryshe, avokati Kastrati ka propozuar që ekspertiza të kthehet në plotësim që të konsultojë edhe dokumentin e ATK-së të datës 22 qershor 2022, për të cilin eksperti ka thënë se nuk e ka pasur në konsultim.

    “Eksperti u deklaru se nuk e ka pas në konsultim dokumentin e ATK-së 0706-1976 të datës 22.06.2020 dhe meqenëse detyrimi tatimor në këtë raport ndryshon esencialisht me mendimin e eksepertit të dhënë në faqen 76, i propozoj gjykatës që ekspertiza të kthehet në plotësim pasi të konsulton edhe këtë dokument ATK-së të na jep një mendim lidhur me këtë çështje”, ka thënë i njëjti.

    Ky propozim u kundërshtua nga prokuroi Dema, mirëpo u aporvua nga trupi gjykues.

    Seancat e radhës për këtë çështje penalo-juridike pritet të mbahen më 30 dhe 31 janar 2023.

    Në këtë çështje penale kanë qenë të akuzuar edhe Edmond Curri, Fisnik Kajtazi dhe Mensur Peja, mirëpo ndaj tyre është pushuar procedura penale, për shkak se kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

    Ndryshe, me aktvendimin e nxjerrë më 20 nëntor 2019, Departamenti Special i kësaj gjykate kishte aprovuar pjesërisht kërkesat për hudhjen e aktit akuzues të parashtruara nga mbrojtësit e të akuzuarve Nuhi Hoxha, Fisnik Kajtazi dhe Mensur Peja, avokatët Emrush Kastrati, Leon Përlaskaj dhe Florent Latifaj, për pikat V, VI dhe VII të dispozitivit të aktakuzës.

    Si rrjedhojë, gjykata ka pushuar procedurën penale sa i përket këtyre pikave të dispozitivit të aktit akuzues për të akuzuarit Nuhi Hoxha, Fisnik Kajtazi dhe Mensur Peja me arsyetimin se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

    Ky vendim i nxjerrë në shkallë të parë është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit, e cila ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë me të drejtë e ka hedhur pjesërisht aktakuzën dhe ka pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale, për veprat penale nga pikat V, VI dhe VII të kësaj aktakuze.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 29 dhjetor 2014, ka ngritur aktakuzë ndaj Nuhi Hoxhës për shkak të veprave penale “shpëlarja e parave”, nga neni 32 par.2 pika 2.1, 2.2 dhe 2,3 dhe 2,8 të ligjit mbi parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimin e terrorizmit, lidhur me veprat penale “keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike nga neni 290 dhe shmangie nga tatimi nga neni 249 të KPK-së dhe veprave penale “keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, nga neni 290 par.2 lidhur me par.1 dhe veprën penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin”, nga neni 314 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së, si dhe veprave penale “shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par.1 të KPK-së, si ligj më i favorshëm.

    PSRK-ja këtë aktakuzë e ka ngritur edhe ndaj Shahe Tahirukaj, për shkak të veprave penale “keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, nga neni 290 par.2 lidhur me par.1 dhe veprën penale “dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin”, nga neni 314 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së, veprës penale “shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par.1, të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm.

    Në dispozitivin e tretë të kësaj aktakuze, Shahe Tahirukaj dhe Nuhi Hoxha akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par.1, lidhur me nenin 31 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm.

    Në dispozitivin e pestë të aktakuzës, Nuhi Hoxha dhe Edmond Curri akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par.1, lidhur me nenin 31  të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm.

    Për veprën penale “shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par.1, lidhur me nenin 31  të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm të kryer në bashkëkryerje, janë të akuzuar edhe Nuhi Hoxha dhe Fisnik Kajtazi, pastaj Nuhi Hoxha dhe Mensur Peja.

    Sipas PSRK-së, Nuhi Hoxha akuzohet se në periudhën kohore 2006-2014, në cilësinë e pronarit të firmës “Bimi SHPED” dhe i autorizuar në firmat “EDI”, “Rrufeje”, “FISI”, “A&E”, duke e ditur se paratë burojnë nga aktiviteti kriminal, ato i ka deponuar në xhirollogaritë e bizneseve të lartshënuara e pastaj me qëllim të fshehjes së burimit, natyrës, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë, ato i ka transferuar jashtë Kosovës në Qipro, Kinë, Bangladesh, Dubai, Maqedoni dhe vende tjera, në shumën prej 2,734, 708.00 euro, duke mos importuar fare mallra nga shtetet e lartshënuara.

    Po ashtu, Hoxha akuzohet se gjatë viteve 2006-2014, ka shkelur ligjet e ATK-së dhe ligjet tjera, duke përpiluar dokumente të rreme, kur ka lëshuar fatura fiktive, bilance të rreme, dokumente këto me përmbajtje të rreme dhe ka keqpërdorur autorizimet që ia kanë dhënë bizneset e lartshënuara, e pastaj me veprimet e tij ka mundësuar që këto biznese të kenë përfitim të kundërligjshëm në vlerë 674,312.79 euro, duke shmangur pagesën e të gjitha llojeve të tatimeve, duke dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës.

    Për shmangie nga tatimi në periudhën kohore 2009-2013, Nuhi Hoxha akuzohet se personalisht dhe përmes firmës së tij “Bimi-Shped”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht të pagesës së tatimit që kërkohen me ligj, ka dhënë të dhëna të pavërteta, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me biznesin e tij, pasurinë, gjendjen ekonomike, duke deklaruar një qarkullim më të vogël se ai real, ku me këtë ka bërë shmangie nga tatimi në vlerë prej 30,174.13 euro.

    Ndërsa, e akuzuara Shahe Tahirukaj akuzohet nga PSRK-ja se në periudhën kohore 2007-2014, përmes përpilimit të dokumenteve të rreme ka shkelur ligjet e ATK-së dhe ligjet tjera, ku në periudha të kohëpaskohshme ka lëshuar fatura fiktive, bilance të rreme, nga të cilat ka përfituar provizion të kundërligjshëm prej 3%, duke përfituar kundërligjshëm dobi pasurore prej 18,241.21 euro. Ajo akuzohet se me veprimet e saj u ka mundësuar bizneseve tjera përfitime të kundërligjshme, përmes shmangies së tatimeve, ku përfitimi për të tjerët është 401,314.42 euro, ndërsa për vete apo personin tjetër ka përfituar 419,555.63 euro.

    Shahe Tahirukaj akuzohet edhe se prej vitit 2008-2014, përmes firmës NPSH “Rrufeja”, “Afërdita”, “Dardani-BK” dhe “Drenusha”, në pronësi të saj, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, ka deklaruar një qarkullim më të vogël se ai real i bizneseve në fjalë, ashtu që shmangie totale nga faturat fiktive me provizion 3% është 18,241.09 dhe ajo nga qarkullimi fiktiv është 401,314.42 euro, dhe në total, shmangia e përgjithshme dhe dëmtimi i buxhetit të Republikës së Kosovës është në shumën prej 419,555.51 euro.

    PSRK-ja për veprën penale shmangie nga tatimi ka akuzuar në bashkëkryerje Nuhi Hoxhën dhe Shahe Tahirukaj se në periudhën kohore 2008-2014 kanë kryer shmangie nga tatimi në vlerë prej 7,752.05 euro, pastaj Nuhi Hoxhën dhe Edmond Currin se në vitet 2007-2008 kanë shmangur pagesën e tatimit në vlerë 187,083.10 euro, pastaj Nuhi Hoxhën dhe Fisnik Kajtazin se në bashkëkryerje në vitet 2007-2008 kanë shmangur pagesat tatimore në vlerë 393,178.72 euro, dhe në fund të akuzuarit Nuha Hoxha dhe Mensur Peja, se në bashkëkryerje gjatë vitit 2007 kanë shmangur pagesat tatimore në vlerë 86,478.82 euro. 


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark