
Në vitin 2023, kur firma e dyshimtë “Noa Energy Trade” e Gentian Sula përfitoi nga Republika e Kosovës 142 milionë euro, një tender të majmë ia dha edhe KEK-u që atë kohë drejtohej nga Nagip Krasniqi i Vetëvendosjes, tash me dy aktakuza. Gjykata Komerciale, në një vendim që e ka Insajderi, ka konstatuar se tenderi iu dha kundërligjshëm, edhe pasi që vet KEK-u e kishte shpallur kompani të papërgjegjshme. Insajderi sjell detajet e këtij rasti
Në shkurtin e vitit 2023, kur Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ende po drejtohej nga Nagip Krasniqi i partisë së Kryeministrit Albin Kurti, kishte shpallur një tender për tregti të energjisë elektrike përmes shkëmbimit.
Thirrja ishte publike, pastaj kompanitë që ofertuan u thirrën për negociata.
Vlera e këtij tenderi, në fund kur u bë njoftimi që është zgjedhur firma fituese nuk u përmend, por emri që doli në këtë dokument ishte “Noa Energy Trade”, pronë e biznesmenit Gentian Sula.
Gazeta Insajderi ka raportuar për lidhjet e kësaj kompanie dhe tregtarit të mirënjohur grek të energjisë, Georgios Peristeris, të cilin e takoi vet Kryeministrit Albin Kurti.
Thirrjes së KEK-ut për këtë tender i ishin përgjigjur disa kompani, që edhe dërguan ofertat e tyre.
“Noa Energy Trade”, sipas dokumenteve që ka administruar Gjykata Komerciale e Republikës së Kosovës, krejt në fillim nuk e kishin bindur KEK-un, dhe shkoi puna deri aty sa u konsiderua në fillim e papërgjegjshme.
Por, në momentet e fundit krejt situata do të ndërronte në favor të kësaj kompanie.
Edhe pse e papërgjegjshme në fillim, negociatorët e KEK, që në atë kohë drejtohej si kompani me 100% aksione nga Qeveria e Kosovës, nga njeriu i Vetëvendosjes, Nagip Krasniqi, ftuan në fazën e fundit edhe biznesin e Gentian Sulës.
E shpërblyen me kontratë. Ankesat e firmave tjera për ri-vlerësim të tenderit i hodhën poshtë. Dhe, krejt çka u kishte mbetur kompanive ishte t’i drejtohen Gjyqit.
Njëra nga to edhe e ka bërë, dhe Gjykata Komerciale, me vendim final, të shkallës së dytë ka vendosur që KEK-u kundërligjshëm ia dha këtë tender tregtarit të rrymës nga Republika e Shqipërisë, Gentian Sula.
Çka thuhet në vendimin e Gjyqit?
Gjykata Komerciale, në shkallën e parë, kishte nxjerrur vendim që vet dhënia e tenderit për “Noa Energy Trade” bie në kundërshtim me ligjet e aplikueshme në Kosovë, dhe si e tillë është kërkuar që të anulohet.
Këtë vendim e ka vërtetuar edhe shkalla e dytë e po të njëjtës gjykatë, duke e kundërshtuar ankesën e KEK-ut si të pabazë.
“Duke reduktuar kërkesat minimale për ofertim, AK (KEK) ka vepruar në kundërshtim me Procedurën për Tregtimin e Energiisë Elektrike, marrë parasysh se neni 18 i kësaj procedure i cakton kërkesat minimale të cilat duhet të jenë pjesë e Ofertave në secilën procedurë tenderuese, mirëpo përkundër kësaj thekson se i padituri kishte vepruar në kundërshtim me kriteret e përcaktuara për vlerësimin në thirrjen për Ofertë, pasi që fillimisht ka diskualifikuar ofertuesit që nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore dhe administrative, siç kërkohet në bazë të nenit 8 të Procedurës për Tregtimin e Energjisë Elektrike”, thuhet në vendimin e Qyqit, që e ka Gazeta Insajderi.
Gjykata zbulon edhe skemën se si veproi KEK-u, që në atë kohë për Drejtor kryesor e kishte Nagip Kasniqin, tash me dy aktakuza për periudhën e tij në krye të kësaj korporate, aktakuza të konfirmuara në Gjyq që i ka ngritur Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK).
Procesverbali i datës 03.02.2023 zbulon se KEK-u, “pavarësisht se i ka shpallur të papërgjegjshme firmën e Sulës, të tri kompanitë në garë megjithatë i ka ftuar për të negociuar çmimin dhe “në këtë rast është shpallur fitues “Noa Energy” e cila ne fazën e parë ishte shpallur e papërgjegjshëm”, thuhet në vendim.
“…i padituri (KEK) ka vepruar në kundërshtim me Procedurën për Tregtimin e Energjisë Elektrike dhe Ligjit për Energjinë Elektrike, pasi që është dashur që për negocim të ftoj vetëm Operatorët Ekonomik (OE) të përgjegishëm, dhe jo t’u ofroj mundësi OE te papërgjegjshëm, e aq më pak t’i shpallë fitues”, konstaton Gjykata Komerciale
Gjykata ka zbuluar tutje në vendim se për këtë tender në garë ishte edhe “GEN-i”, firma e ndërlidhur me Martin Berishajn, ambasadorin kosovar tash në Kroaci, për lidhjet e të cilit me degën e kësaj firme në Beograd dhe aferat financiare të tij ka raportuar në vazhdimësi Gazeta Insajderi.
Por, në vendim thuhet se as “Noa…” e Gentian Sulës, e as “GEN-i” nuk ishin krejt në rregull me letra në këtë tender.
“Procesverbal i hapjes së ofertave i datës 25.01.2023, gjykata konstaton se pjesë e ofertimit kanë qenë pesë OE, prej të cilëve vetëm paditësi dhe OE Loniko LTD kanë ofertuar sipas kërkesës, ndërkaq OE “Noa Energy Trade”, “ETMT Energy” Sh.p.k. dhe “GENI-I” D.O.O. Slovenia, nuk kanë ofertuar sipas kërkesës”. Thuhet në këtë dokument.
Pavarësisht shkeljeve, nuk ka ndonjë njoftim publik nëse është respektuar vendimi i Gjykatës që kërkon anulimin e vendimit me të cilin KEK-u i dha tenderin “Noa Enegry”, të Gentian Sulës.
“Noa Energy Trade” është licencuar nga ZRrE më datë 02.12.2021, vetëm pak muaj pasi ishte regjistruar si biznes në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).
Më 2022, sipas të dhënave që kjo kompani ka raportuar në Ministrinë e Financave, përkatësisht në Këshillin Kosovar për Raportim Financiar, realizoi qarkullim vjetor prej 54 milionë eurove. Në dy vitet pasuese, qarkullimi u trefishua, më 2023 shkoi në rreth 142 milionë euro, kurse më 2024 – në 161 milionë euro. Të dhënat për vitin 2024, janë siguruar nga platforma Data4x.
Në Shqipëri, “Noa Energy Trade” funksionon si kompani që merret me tregtim të energjisë elektrike që nga viti 2014. Është e njohur për kontrata me Korporatën Elektro-Energjetike Shqiptare (KESH).
Përfaqësues i autorizuar për Kosovë është Gentian Sula, një biznesmen nga Shqipëria, i njohur më shumë si drejtues i një kompanie të sigurimeve në Shqipëri. Nga kompania nuk janë përgjigjur rreth përvojës në tregtim me energji elektrike dhe angazhimin në sektorin e energjisë në Kosovë.
Noa e Gentian Sulës dhe Vuk Hamoviç
Raporti biznesor me kompaninë greke nuk është vetëm një prej bashkëpunimeve të dyshimta të kompanisë Noa të Gentian Sula.
Kompania e tij dyshohet se ka lidhje të afërta edhe me biznesin e Vuk Hamoviç, i cilësuar si një prej kriminelëve rajonal të tregtisë së rrymës.
Përgjegjës i kompanisë EFT të Hamoviçit në Shqipëri e Kosovë është i njëjti biznesmen.
Pjesë e EFT’së në Shqipëri është familjarja e tij Suada Uruçi. Ajo është e martuar me Jonian Antonin.
Joniani është vëllai i gruas së biznesmenit kontravers Gentian Sula, pronar i “Noa Energy Trade”
Sula ka dhënë një përgjigje për portalin “Buletini Ekonomik”, ku ka folur për lidhjet familjare me drejtuesit në Shqipëri e Kosovë të EFT’së së Vuk Hamoviçit.
“E para njëherë Suada është nuse e kunatit tim. E dyta, më bëre një pyetje, a punoj me EFT-në. EFT-ja nuk është Mirsad Uruçi, ai është një nga drejtuesit e EFT-së. E treta, unë marrëdhëniet me Mirsadin i kam të ftohta personalisht, për shkak të konkurrencës që kemi, do ti më transparente që po të përgjigjem. Nuk kam marrëdhënie fare. Tani, a shkëmbej unë energji me këtë kompani. Përgjigja ime është zero. S’kam pasë asnjë kontratë me EFT-në, s’kam çfarë të të them më tepër në raport me EFT-në. Nëse ju doni të thoni që EFT-ja i shet Gentianit, nuk ka problem, duhet ta vërtetoni me letra”, është shprehur ai.
Lexo edhe: