×
Insajderi

Shkarkimi i shefit të hetimeve – Si po tentohet të kursehen nga drejtësia Martin Berishaj e Ngaip Krasniqi?

Insajderi
12 July 2023 - 13:03
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Shemsi Haziri, shef i Njësisë së Veçantë të Hetimeve në Policinë e Kosovës është shkarkuar nga kjo pozitë pa ndonjë arsyetim. Shkarkimi i tij  ka lënë hapësirë për interpretim, kjo për shkak se ai qëndronte në krye të hetimeve për dy njerëz të vlefshme të Qeverisë Kurti. Nagip Krasniqin e Martin Berishjan.

Kjo lëvizje e pushtetit për të shkarkuar njeriu që po hetonte ambasadorin, Martin Berishaj e kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi po cilësohet si tentative për kapje të shtetit.

Sipas Hisen Berishës së Partisë Demokratike të Kosovës kjo është taktikë tashmë e njohur e pushtetit të Albin Kurtit.

“Mendoj se kjo është në vazhdën e tendencës së tyre gjoja për ç’kapje dhe kapjes së pushtetit në formë siç këta e kanë përzgjedhur mënyrën diktaroiale, autokratike që pjesë kryesore e kanë propagandën dhe këta po provojnë që përmes propagandës t’i etiketojnë, t’i fyejnë, t’i shpallin kategori që nuk meritojnë të udhëheqin me institucionet dhe pastaj ju keni parë që është taktik e tyre dhe këtë që po e bëjnë tani është gjoja në emër të ç’kapjes”, tha deputeti për Insajderin.  

Sipas tij pushteti nuk ia doli ta qojë deri në fund luftën me kryeprokurorin dhe zgjodhi një individ tjetër, pra, Shemsi Haziri për ta bërë.

“Pikërisht rasti i fundit (shkarkimit të Shemsi Hazirit), është rasti legjislativ ku këta po mundohen , meqenëse nuk arritën ta qojnë deri në fund luftën me kryeprokurorin e shtetit, të cilin ende po e mbajnë peng edhe pse janë kaluar gjitha procedurat formale, po e mbajnë peng pikërisht për shkak të nisjes së hetimeve ndaj shumë të afërt që këta i kanë vendosur dhe kapur përmes bordeve institucionet si në rastin konkret siç është rasti me energji, tani kanë fillu edhe më të është e njëjta luftë e këtu kanë pasur mundësi më të madhe se ky nuk ka qenë në proces emërimi por në krye  të detyrës dhe tani po e heqin pikërisht sepse kanë nis hetimet në fushat e energjetikës e KEK-ut, Besoj që me heqjen e tij do ta instalojnë një person i cili pastaj krejt mekanizmin do ta përdorin për luftën e kundërshtarëve politik”, u shpreh ai për Insajderin.

Bardh Ahmeti nga Partia Socialdemokrate ka përmendur dy problematike që sipas tij paraqet shkarkimi i shefit të hetimeve në Polici.

“Shkarkimi i Shemsi Hazirit shpërfaq dy problematika në të njëjtën kohë; fillimisht, që Kurti asnjëherë s’ka pasur problem me korrupsionin, por më shumë me njerëzit të cilët kanë qenë të korruptuar më herët. Pra, synimi i tij është që dorën e pushtetit, të ndikimit, ta shtroj çdo kund, e me çdo kusht Së dyti, për rastin më të madh të korrupsionit, atë të Martin Berishajt dhe financimin nga mafia e energjisë, e gjithë qeveria ishte e mobilizuar që ta mbronte atë”, u deklaroi Ahmeti.

Ai thotë se shkarkimi i Hazirit nuk është i rastësishëm është i mirë menduar.

“Nuk është aspak e rastësishme që z.Haziri, që në të njëjtën kohë ishte shefi i hetimeve për rastin e Martin Berishajt. Ky pushtet është i lidhur ngushtë me para ilegale të Martin Berishajt dhe çfarëdo hetimi rreth tij pashmangshëm do të qoj edhe në implikimin e Kurtit dhe Vetëvendosjes. Qasja e pushtetit ka qenë agresive qysh në fillim”.

Anëtari i PSD-së ka bërë thirrje që të shpëtohet nga mendësia e qeverisjes së kryeministrit.

“Synimi është kapja e çdo institucioni të pavarur në mënyrë që t’i shërbejnë pushtetit të Kurtit. Kjo jo vetëm që nuk është demokratike, por është edhe e rrezikshme dhe e dëmshme për Kosovën. Çdonjërit nga ne i nevojitet vigjilencë e shtuar e kritikë e ashpër ndaj tendencave autoritare të këtij pushteti. Vetëm kështu mund ta shpëtojmë shoqërinë që të mos bie në grackën dhe hegjemoninë e këtij pushteti”.

Hisen Berisha i PDK-së i cili është anëtar i komisionit për Siguri dhe Mbrojtje ka thënë se LVV po e bllokon punën edhe në komision, si rrjedhojë nuk po iu mundësohet thirrja e ndonjë seance për të kërkuar sqarime.

“Edhe në Komisionin për Siguri dhe Mbrojtje ku unë jam pjesë jemi në raport të njëjtë siç jemi edhe në Kuvend, do të thotë edhe aty dominojnë me numra dhe e kanë atë arrogancën e numrave dhe në momentin që iniciohet procedura e thirrjes në çdo rrethanë këta e kanë numri e votave brenda komisionit që nuk e mbështesin ne si opozitë që jemi aty 4-5 veta, nuk ka legjitimitet e numrave edhe çështje formale dhe si rrjedhojë nuk lejojnë me u zhvillu as procedura. Thjeshtë ky është një mobilizim i tyre për kapje të shtetit, i cili fatkeqësisht por rezulton i koordinum edhe me përfaqësues të krimit atje në Veri”, ka thënë Berisha.

Gazeta ka provuar ta kontaktojë edhe deputeti i LDK-së, Anton Quni i cili është pjesë e këtij komisioni por i njëjti ka qenë i paqasshëm.

Përgjigje nuk kanë kthyer as deputetë e pozitës që poashtu pjesë e Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje.

Kujtojmë që departamenti brenda Policisë së Kosovës që udhëhiqej nga Shemsi Haziri ka hetuar rastin e kryeshefit tashmë të suspenduar të KEK-ut, Nagip Krasniqit, i cili u arrestua me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës nën dyshimin se ka kryer veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar; ushtrimi i ndikimit, dhe konflikti i interesit. Haziri po hetonte edhe ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Krejt kjo lëvizje politike duket se po i shkon për shtati më së miri Berishajt. Për të, gazeta sllovene më herët raportoi për përfshirje në një skandal financiar prej 600 mijë eurosh.

Insajderi kishte raportuar se firmës “MB Consulting” te Martin Berishajt, i ishin bllokuar xhirollogaritë.

Mbi 600 mijë euro nga kompania GEN-I, dega ne Beograd ishin transferuar te firma “MB Consulting”, prone e ambasadorit kosovar ne Kroaci.

Televizioni Planet TV raportoi se ato ishin dhënë për të ndikuar në procesin zgjedhor në Slloveni.

Deri tash Ambasadori Berishaj ka mohuar këtë pjesë por nuk ka treguar se përse u pagua nga GEN-I Beograd, dhe se pse i tërhoqi ato para dhe ku i dërgoi ato. 

/GazetaInsajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark